“Sabotage”, kënga e adrenalinës dhe rebelimit

Kultura January 22, 2018 - 08:28

Në rubrikën javore të Gazetës "Zëri", “Rrëfej përmes muzikës”, prezantojmë aktorin Lulzim Bucolli, i cili na tregon më shumë për shijen e tij muzikore dhe muzikantët e këngët që e kanë influencuar gjatë jetës.

Aktori i filmit “Kthimi” dhe i shumë roleve tjera, na shëtit nëpër periudha të ndryshme të jetës së tij përmes këngëve që ka zgjedhur t’i komentojë.

Jamiroquai - Love Foolosophy

Është këngë që të bën me u ndie smooth, edhe me u dashunu me lezet. Jamiroquia e ka stilin shumë unike, e kjo është një prej ma të mirave! Këtë këngë ua kisha sugjeruar njerëzve për ta dëgjuar gjatë snowboarding apo skijimit, vallëzimit, shëtitjes të shtunave e të dielave në mëngjes, kur s’ka njeri, e krejt këto aktivitete, kuptohet, gjithmonë para ushqimit!

The Stroke – Albumi Is This It

E ka gjetur kohën ma të mirë me dalë! Gjithmonë e kam dëgjuar albumin deri në fund pa ndal dhe për mua ky album ka qenë krejt një këngë. Viti 2001, koha për freedom, për punk, pak post-depresion adoleshence, për shpresë për të bërë shumë gjëra. Jam kanë pak i humbur dhe gjithashtu me plot ëndrra. “The Strokes” kanë qenë terapi meremetuese dhe pak rrebeluese për shpirtin.

Eminem - My Name Is

 E kam pas një fazë të adhurimit ndaj Eminemit, e tmerrshme, e di. I mbaj mend pantallonat e gjanë me ngjyrë krem që i kam vesh. I kemi pas te njëjta me vëllanë. Na i ka çu baba prej Gjermanisë! Vëllai dhe unë e kemi pas mundësinë me u tregu komshinjve se i kemi kushtet “me shku zhag e me pastru asfalt”! Ishim krenarë…tani me vije të vjell, por aso kohe ishim krenarë. Ne kemi besuar që Eminem këndonte për neve, për vuajtjet tona dhe kemi qenë adhurues të zjarrtë! Po më pëlqen me i përdorë fjalët “zjarrtë, flaktë, mahnitshëm”, si me gjysmë sarkazmi. Atëherë ishte koha e “Gangsta thug life” me byrek në dorë, kur mendonim sikur ne jemi duke i udhëheq rrugët e qytetit. Ishte fazë e shkurtër, ndaj edhe gëzohem për këtë fakt!

Audioslave - Show Me How To Live

Kjo këngë ishte dhe ende është e fuqishme. “M’ke dhanë jetë, tash tregomë qysh me jetu”, është një fjali interesante dhe rrebeluese në këtë tekst. Supozohet që kënga ka qene për krijesën e Frankenstein po gjithashtu besoj se i referohet të gjithë atyre që dikujt i japin jetë dhe largohen. Në vitin kur ka dal kjo këngë jam regjistruar në Fakultet të Arteve - Aktrim dhe e kam përdorë për me marrë energji para audicionit. Hmmm… tash e kuptova pse me kanë thirr “Tatita”! 

Beastyboys - Sabotage

Me këtë këngë i kisha dy faza; një në Kosovë dhe një në Nju Jork. Dy rrethana goxha të ndryshme. Edhe kjo këngë është rebeluese, mandej e kom kuptuar që njeriu do me u rebeluar edhe në moshë madhore, veç i ka hije ma pak, ama poenta e rebelimit është mos me të pas hije! Kënga super energjike, e unë me shpejtësi të madhe në longboard nëpër rrugë të Nju Jorkut duke kaluar mes veturave taksi të verdhë t'u shpresuar mos me u çel ndonjë derë dhe unë me mbet pa e sjell diplomën amerikane në shtëpi. Këtë këngë e kam dëgjuar kur ma ka prish qefin dikush dhe nuk jam kanë i aftë për t'i pranuar gabimet e mia, po veç kam dashtë me harru problemin, që garant e kam shkaktuar vetë!

Dinky –Falling Angel

E kjo të shtyn të vallëzosh edhe të kënaqesh me krejt çka je kah bën! Po meqë kam qëlluar adrenaline freak/junkie, shpesh e dëgjoj kur jam në rrota të shpejta të ndonjë mjeti që e urren prindi e ta bën ‘ruju po rrëzohesh’ ose ‘e thefsh qafen’, varësisht nga metoda e edukimit të tij/saj! Electronik kam filluar të dëgjoj pak ma vonë në jetë, sepse kam blloku në rock e punk për një kohë të gjatë.

Clutch –Gone Cold

Prej kësaj kënge të vjen ftohtë. Është goxha e thellë dhe ma merr mendja që kënga ka të bëjë me kohën kur njeriu ftohet nga zemra dhe e lëshon frigoriferin organik, vendos ‘muret’ dhe ka nevojë për pauzë emocionale. Asht si melhem për zemër të thyer. Në afat të gjatë nuk e di a funksionon, por për disa ditë ta jep një vetëbesim dhe mandej kur ke ma shumë hapësirë për ta analizuar mundesh ta shërosh.

Bob Marley- Buffalo Soldier

S’kemi çka me fol për Bob Marley-n! Kënga ka të bëjë për ushtarët e marrë nga Afrika dhe të sjellë në SHBA për luftën me autoktonët amerikan. Këtë fakt nuk e kam ditur derisa nuk u futa tani në Google në mënyrë që të tentoj të tingëlloj i dijshëm, gjë që për mu është e vështirë! Sidoqoftë, pavarësisht njohurive të mia, kënga e përcjell atë ndjenjën e revolucionit, siç e përcjellin shumë këngë të Bob-it. Kjo këngë ma kujton kohën kur kam jetuar ne Hawaii. Aq shumë e kanë lëshuar havaianët sa që kam arritur të lodhem prej këngës. Tash besoj se jam rikuperu dhe mundem me iu kthyer prapë, ama përmes Kafu-së, Vokalistit të Gipsy Groove, bendit ma të mirë në Ballkan, i cili e këndon po si një rastafari i vërtetë. Sidoqoftë, Bob Marley në plazh shkon shumë mirë e posaçërisht në atë ishull fantastik. I vetmi send që ka munguar aty ka qenë një shqiptar, të cilit do të kisha me ia tregu të gjitha!

505-Arctic Monkeys

Kjo këngë më kujton një dashni në New York, Brooklyn. Ca ditë magjike bashkë dhe mua më është dashtë të kthehem. E kemi pas  këtë këngë në repeat bashkë me lumturi e dhimbje, dashni, seks, bukuri, frustrim e adhurim, ethe, ritëm, çiltërsi, dritë, lot, buzëqeshje e jetë. Është këngë për dashnin e shkume, si plotë dashni tjera e secila unike në vete. Preferohet që të mos dëgjohet në ndarje e sipër!

Nu & Jo Ke –Who Loves The Sun

Kaq e thjeshtë, kaq e ëmbël, me super ritëm, të shtyn të lëvizësh shpirtin. Familjarisht e dëgjojmë. Stili newrave; kombinimi i rock, rave, elektro, dance, punk me t'i përmbushë nevojat e krejt zhanreve. Sikur 5 në 1 e muzikës, dhe nëse je entuziast i disa zhanreve atëherë nuk ki nevojë të udhëtosh nëpër to, po veç e lëshon këtë këngë dhe je i përmbushur! Më një fjalë e merr malin muzikor. Komplet shoqëria jemi janë “infektu” me këtë këngë dhe për një vit të tanë gjatë çdo ndeje që e kemi bo nuk e kemi ndal. /ZËRI