Placido Domingo: Do të doja të këndoja bashkë me tenorin Ramë Lahaj në Kosovë

Kultura January 18, 2018 - 20:44

Tenori kosovar me famë botërore Ramë Lahaj ka shpërndarë në rrjetin social Facebook një video ku shihet legjenda Placido Domingo duke folur rreth karrierës së shqiptarit dhe cilësive që ai i posedon dhe që e veçojnë si një performues në skenë.

“Kur zëri ka kualitet, nuk është me rëndësi se prej nga vjen. Në Kosovë mund të mos jenë paraqitur shumë, i gjithë ai rajon është me talentë të jashtëzakonshëm” tregon mes tjerash Domingo në këtë video katër minutëshe.

Pamjet e tregojnë Ramë Lahajn duke performuar krahas Domingos. Placido Domingo ka kohë që është një mbështetësh i karrierës së Ramë Lahajt, dhe një përkrahje i tillë do të jetë i vazhdueshëm.

“Ai e ka temperamentin, zërin, dukjen, dhe tashmë ai vërtetë mund të jetë njëri nga tenorët e mëdhenj. Sigurisht se do të doja të shkoja në vendin e tij të lindjes, dhe mezi pres një ditë të shoh publikun e mrekullueshëm të Kosovës, duke kënduar së bashku me Ramën” pohon Domingo.

Placido e ka ftuar tenorin shqiptar në disa paraqitje të tija, ndërsa ka qenë po ai që ia ndau çmimin Operalia, tenorit Ramë Lahaj, shkruan KultPlus.

Ramë Lahaj po pushton skenat teatrale të botës. Ai ka mahnitur audiencën në Rusi në nëntorin e vitit të kaluar, ndërsa në Meksikë ishte po krahas Domingos ku u veçua për paraqitjen e tij të fuqishme klasike. Edhe një tragjedi në familje nuk e ndali Lahajn të korrte suksese vitin e kaluar, duke vazhduar fuqishëm edhe në fillimin e këtij viti.