Skënderbeu mbajti të ndezur flakën e lirisë

Kultura January 18, 2018 - 09:29

Shënimi i 17 janarit, përvjetorit të 550-të të vdekjes së Gjergj Kastriotit, në Prishtinë nisi me homazhe para shtatores së tij, e cila ka zënë vend në qendër të kryeqytetit kosovar në vitin 2001.

Në një akademi përkujtimore, mbajtur në Teatrin Kombëtar të Kosovës, nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, u tha se Skënderbeu për shekuj e mbajti të ndezur flakën e lirisë tek shqiptarët.

“Sot e përmot na bashkon një figurë. Na bashkon heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Sot po ashtu jemi të bashkuar dy qeveritë e vendeve tona, Kosovës dhe Shqipërisë. Jemi në Vitin Kombëtar të ‘Gjergj Kastriotit – Skënderbeut’. Sado që flasim është pak. Në këtë përvjetor të sotëm nderojmë heroin kombëtar Skënderbeun, por edhe të gjithë atdhedashësit, liridashësit për të gjitha flijimet nëpër shekujt. Këtë ditë kujtojmë më respekt edhe heronjtë tanë, Jufsuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka. Të gjithë ata që u flijuan për liri”, tha Haradinaj, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Tutje ai theksoi se Skënderbeu ishte ndër të parët që ishte përcaktuar se cilën rrugë duhet ta zgjedhin shqiptarët.

“Sot ballkanasit me gjithë dallimet, janë në të njëjtën rrugë, në rrugën e integrimeve euro-atlantike, siç ishin në epokën e Gjergjit. Breza të tërë shqiptarësh janë rritur e edukuar  duke dëgjuar për luftërat heroike e liridashëse të Gjergjit tonë të madh. Zjarrin e luftës për liri e kemi parë që nga koha e Princit të Arbrit e deri te lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë zjarr sot duhet ta kthejmë në respekt për vetën edhe të tjerët. Të dashur të pranishëm, sot është 17 janari. 17 janari është data që u kujton shqiptarëve zinë, por edhe guximin. Guximin për t’i prirë shqiptarëve. 17 janari i lidhë edhe politikanët  e Kosovës, Jusufin, Bardhoshin e Kadrinë, ata tre burra, që me fener të ndezur në zemër na dëftuan rrugën për të arritur lirinë kombëtare. Ata ishin lajmëtarë të lirisë. Flijimi i tyre na mban bashkë, ashtu siç e ruajti Gjergji flakën e lirisë në ne për pesë shekuj me radhë. Sot jemi të obliguar që mesazhin e lirisë ta shndërrojmë në mesazh paqe e bashkëpunimi, pune e solidariteti, që liria të jetë vlerë e përbashkët në shtetin modern. Lavdia e shekujve e mbuloftë përjetësisht Princin e Arbrit, Gjergj Kastriotin! Lavdi heronjve të Kosovës Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka!”, përfundoi kështu Haradinaj.

Në anën tjetër, Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë, tha se trashëgimia e Skënderbeut është aktuale edhe sot.

“Në memorien historike të popullit shqiptar, pa dallim se ku jeton, në synimet e popullit shqiptar për liri, në piedestale gjithsesi është figura e Skënderbeut. Sot po mbushen 550 vite nga vdekja e tij, por vepra dhe trashëgimia e tij edhe sot është aktuale dhe jo vetëm për shqiptarët, por për të gjithë popujt e Evropës. Skënderbeu jo vetëm se është themeluesi i shtetit feudal shqiptar, por në të njëjtën kohë, duke pasur parasysh gjendjen ka qenë mbrojtësi i Evropës”, tha Xhaferi duke theksuar se ai në një mënyrë të vendosur është angazhuar për bashkimin e principatave ballkanike, por edhe bashkëpunime të tjera.

Programi u hap me intonimin e himnit kombëtar shqiptar dhe atij shtetëror të Kosovës. Për nder të vendlindjes së tij, Dibrës, ky program artistik vazhdoi me vallen e Dibrës, për të vazhduar me këngën e mirënjohur “Albulena gropa-gropa”, në kujtim të betejës së njohur të fushës së Albulenës.

Në këtë ceremoni u promovuan edhe dy pullat postare me portretin e Skënderbeut të cilat do të përdorën në Maqedoni e Kosovë.

Në anën tjetër, në qytetin e Gjilanit të mërkurën u zbulua bustin i Gjergj Kastriotit – Skendërbeut, i cili u vendos në sheshin e qytetit para Zyrës së Kryetarit. Atje, në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”  u mbajt edhe një akademi kushtuar këtij përvjetori e gjithashtu edhe ekspozita e artit pamor “Peneli i Flakës”. /ZËRI/