Lamtumirë Basri Çapriqi!

Kultura January 17, 2018 - 10:00

Salla më e madhe që ka Fakulteti Filologjik, nuk kishte mjaftueshëm ulëse për t’i zënë të gjithë ata që erdhën për ta nderuar në një akademi përkujtimore profesorin e poetin që vdiq të dielën, Basri Çapriqin. Shumë prej tyre zgjodhën edhe të shkruajnë disa rreshta në librin e kujtimeve, i hapur për këtë profesor.

Kolegët nga Fakulteti Filologjik, në sallat e të cilit ligjëroi mbi 30 vite, studentët e bashkëpunëtorët, miqtë e familjarët u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit Çapriqit, i cili u varros pasditen e së martës në varrezat e qytetit të Prishtinës.

Në hapje të kësaj ceremonie, kolegu i Çapriqit nga Fakulteti Filologjik, profesori Osman Gashi, lexoi telegramin ngushëllues të kryeministrit Haradinaj, i cili vdekjen e Çapriqit e cilësoi si humbje të madhe për letërsinë, kulturën e publicistikën shqiptare.

Edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, foli për kontributin e Çapriqit në Universitet.

“E kam vështirë të flas e të them fjalën e ndarjes për njeriun që kaloi jetën në sallë të ligjëratave para studentëve të tij, para librit e pendës. Profesori Basri ishte një lider i mirë i Këshillit drejtues të UP-së, me të cilin pata nderin dhe kënaqësinë të ndajë pikëpamje për gjashtë vite me radhë. Profesori Basri ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për avancimin e cilësisë në UP, e veçanërisht në avancimin e mirëfilltë të financave. Ne mësuam shumë nga profesori Basri. Mësuam se si i trajtojë të gjithë në mënyrë të barabartë, në mënyrë të qetë t’i marr mendimet nga të gjitha palët. Me ndarjen e tij nga jeta Universiteti i Prishtinës humbi një nga profesorët më të çmuar, letërsia, kultura dhe publicistika humbën një shkrimtar të shkëlqyer, kolegët mikun dhe bashkëpunëtorin e respektuar, studentët udhërrëfyesin e tyre, ndërsa familja prindin dhe bashkëshortin e dashur”, tha ndër të tjera rektori Demaj.

Në anën tjetër, dekanja e Fakultetit Filologjik, Lindita Rugova, kujtoi se Çapriqi dha një kontribut të rëndësishëm në auditoriumet e këtij institucioni.

“Përveç detyrave pedagogjike ai pati edhe detyra e përgjegjësi tjera në nivel të Fakultetit e Universitetit. Ishte për dy mandate rresht kryetar i Këshillit Drejtues, anëtar i shumë komisioneve dhe një nga anëtarët e komisionit për përpilimin e statutit aktual të UP-së. Profesori nuk e mbërriti ditëlindjen e 58-të për pak orë, megjithatë emri i tij tashmë ka zënë vend në mesin e atyre që kujtohen deri sa të studiohet letërsia shqipe”, tha dekanja Rugova.

Si një nga miqtë më të mirë, e si shokë gjenerate që ishin, i prekur shumë me vdekjen e Çapriqit, u shpreh edhe profesori e shkrimtari Sali Bashota.

“Basri i dashur, më shumë se tri vjet me një përkujdesje dhe përkushtim të jashtëzakonshëm të familjes tënde, megjithatë nuk gjete rrugëdalje për ta munduar sëmundjen e rëndë , por kurrë nuk u ligështove, kurrë nuk u dorëzove, kurrë nuk lëshove asnjë ofshamë për të ikur nga kjo botë, prandaj të gjithë të dashurit e tu u mësuan me besimin dhe durimin tënd. Ti ishe poet i jetës jo i vdekjes. Pranë teje ishte vetëm dashuria për jetën dhe miqësia për njeriun. I dashur Basri, të qoftë i lehtë dheu i Kosovës,  poeti i Ulqinit. Pusho në paqe! I paharruar, i ndritur dhe i pavdekshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën tënde”, tha ndër të tjera Bashota.

Në emër të familjes foli vajza e poetit e profesorit, Bulza Çapriqi, e cila emocionoi të pranishmit me fjalën e lamtumirës kushtuar babait të saj.

“Të gjitha mësimet që ti na i mësove për gjuhën dhe fjalët, sot nuk po arrijmë t’i kujtojmë. Ike aq shpejt dhe na le në heshtje! A thua që i deshe fjalët aq shumë na i more të gjitha me vete? E kemi shumë të vështirë ta pranojmë humbjen tënde. Një gjë e dimë shumë mirë, se dashuria dhe mirësia me të cilat na rrethove, do të na ngrohin zemrat përjetë. Do të na mungosh shumë, kurrë nuk do të arrijmë ta përmbushim zbrazëtinë që na lë pas”, ishin fjalët e Bulza Çapriqi për babain.

Çapriqi ishte lindur më 1960, në Anë të Malit të Zi, Ulqin. Ka udhëhequr PEN Qendrën e Kosovës, dhe ka botuar më shumë se 100 studime e artikuj nëpër revista të ndryshme brenda dhe jashtë vendi. Është përfshirë në dhjetëra antologji të poezisë në gjuhë të huaja (polonisht, rumanisht, gjermanisht, kroatisht, maqedonisht, anglisht, frëngjisht, arabisht, japonisht, koreane).

Image