Një ekspozitë për Skënderbeun në Toronto

Kultura January 16, 2018 - 09:15

Në Toronto të Kanadasë, më 14 janar, për nder të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, u hap ekspozita “Jeta dhe vepra e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti -Skënderbeu”.

Kjo ekspozitë përmban pjesë nga koleksioni i librave të vjetër dhe të rrallë të Patricia Nugee-t. Nugee njihet botërisht dhe është vlerësuar edhe me mirënjohje nga ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu për pasionin e rrallë dhe koleksionin më të pasur, me më shumë se 500 ekzemplarë, kushtuar heroit tonë kombëtar të shkruar në rrjedhën e shekujve.

Librat janë ekspozuar në katin e dytë të Robarts Library ndërsa ekspozita u ndoqën me interes nga dhjetëra bashkatdhetarë me banim në Toronto. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës morën pjesë Ambasadori i Shqipërisë në Ottawa, Ermal Muça, Robert Austin nga Universiteti i Torontos, Patricia Nugee si edhe anëtarë të bordit dhe këshillit të nderit të SHBSHK-së, Presidenti, Ramazan Këllezi, Presidente e Nderit Ruki Kondaj dhe miq nga shoqatat shqiptare të Londonit e Hamiltonit.

Ceremonia dhe kjo ekspozitë u organizua nga Pasqyra Shqiptare, në bashkëpunim dhe me sponsorizim të pjesshëm të SHBSHK-në dhe me sponsorizimin e “The Boutique Real Estate” me dy agjentët e shitblerjes së pronave: Toni dhe Ledi Alushi si edhe shkrimtarit shqiptaro-kanadez Përparim Kapllani.