Kolegë e dashamirë kujtojnë poetin Çapriqi

Kultura January 16, 2018 - 09:12

Mbrëmjen e së dielës (14 janar) u bë i ditur lajmi për vdekjen e poetit dhe profesorit universitar, Basri Çapriqi. Çapriqi vdiq një ditë para ditëlindjes së tij, sepse më 15 janar 2018 do të mbushte 58 vjeç. Lajmi për vdekjen e tij ka pikëlluar miqtë, kolegët e gjithë komunitetin letrar.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, i ka shprehur ngushëllime familjes Çapriqi me rastin e vdekjes së poetit.

“Vdekja e hershme e krijuesit, pedagogut dhe intelektualit Basri Çapriqi është humbje e madhe për familjen, miqtë, institucionet arsimore dhe kulturore, ku ai dha një kontribut të çmuar. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Çapriqi”, shkroi Thaci në Facebook.

Edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, e ka kujtuar Çapriqin si punëtor të zellshëm.

“Profesor Çapriqi me punën dhe me veprën e tij, la gjurmë të përjetshme në shoqërinë tonë. Emri i tij do të kujtohet me respekt për kontributin e tij të çmuar që e ka dhënë si profesor për dekada të tëra në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, si kryetar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës për dy mandate, por edhe si studiues, e si një poet i shkëlqyer”, thuhet ndër të tjera ne telegramin ngushëllues të rektorit Demaj për familjen.

Shkrimtari Mehmet Kraja ka shkruar në rrjetet sociale se me vdekjen e Çapriqit letërsia shqipe ka mbetur pa një nga poetët e saj më të mirë.

“Sonte letërsia shqipe mbeti pa njërin nga poetët e saj më të mirë. Ishte mjeshtër i vargut dhe i metaforës, poet i ndjeshmërisë së hollë dhe mendimit të thellë. Do të më mungojë poezia e tij, që gjithmonë më ngjante me një kurorë degësh ulliri...Të falëm mik, nuk jetove gjatë, por nuk bëre jetë pa vlerë”, ka theksuar Kraja.

Edhe poeti e publicisti Halil Matoshi e konsideroi mikun e tij dhe shokun e gjeneratës si një nga poetët më të mirë të letërsisë shqipe.

“Me Basriun ishim mocë, '61-sha. Ulqinaku i butë për nga natyra, âsht rritë e burrnue n'Prishtinë. Basriu ishte një nga ne, studjues letërsie, kritik, poet e veprimtar lirie... Ishte ndër poetët ma t' mirë në Kosovë, qe u shfaqën në vitet '80, në kulmin e robnisë dhe shtetrrethimit”, shkruan Matoshi.

Profesori Rrahman Paçarizi i prekur nga vdekja e Çapriqit, shkroi për ikjen e tij, siç u shpreh, tek miqtë e vet Ali Podrmija e Azem Shkreli.

“Miku ynë Basri Çapriqi iku sonte në amshim. Iku te paraardhësit dhe te miqtë e tij, te Ali Podrimja e Azem Shkreli. I la të përlotun Sazanen dhe dy fëmijët. I la të përlotun miqtë e tij, Milazimin, Ibrahimin e Saliun. Na la te gjithëve. Pusho në paqen e përjetshme miku i mirë, poeti i shkëlqyeshëm”, shkroi Paçarizi.

Çapriqi ishte profesor i Letërsisë Shqipe, Gazetarisë, Letërsisë së Përgjithshme dhe Krahasimtare në Universitetin e Prishtinës. I ndjeri ishte një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ka botuar më shumë se 100 studime e artikuj nëpër revista të ndryshme brenda dhe jashtë vendi. Është përfshirë në dhjetëra antologji të poezisë në gjuhë të huaja. Varrimi i Çapriqit do të bëhet sot (të martën) në Prishtinë.