Në telashe për një logo!

Kultura January 16, 2018 - 09:05

Këshilli Organizativ, nga Zyra e Presidentit të Kosovës, ka caktuar për herë të dytë logon e cila do të përdoret gjatë kremtimit të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, por pakënaqësitë dhe reagimet në publik nuk kanë mbaruar me kaq, shkruan Gazeta 'Zëri'.

Logoja e zgjedhur për së dyti herë, e cila është punuar nga artisti Zeni Ballazhi, doli të jetë shumë e ngjashme me një logo tjetër, të punuar nga po ky artist, për partinë politike BDI në Maqedoni, para rreth tre vitesh. E kjo ngjashmëri nuk u prit mirë nga publiku dhe njohësit e fushës, duke u quajtur edhe auto-plagjiaturë.

Vetë autori Ballazhi, përmes rrjeteve sociale ka deklaruar se të dyja logot janë të punuara nga ai dhe sipas tij, veprat e tij edhe mund të kenë ngjashmëri me njëra- tjetrën, sepse i punon dhe i ripërpunon në stilin e vet.

“Veprat e mia janë të publikuara dhe të mbrojtura me të drejtën autoriale prej vitesh. Ato gjenden kudo, madje edhe jashtë vendit. Unë jam autor edhe i asaj logoje të BDI-së. Ndonjëherë veprat e mia mund të kenë edhe ngjashmëri, sepse i punoj dhe ripunoj gjithmonë me stilin tim dhe vijat e mia, që të jem më unik. Pra, janë vepra të dizajnuara, që mbrohen me të drejtë të plotë autoriale, sepse janë edhe vazhdimësi e punës sime, stilit tim, avancimit tim prej vitesh”, ka shkruar ndër të tjera Ballazhi.

Në anën tjetër, në konkursin e Presidencës së Kosovës për logon e 10-vjetorit nuk janë renditur shumë kritere. Në të thuhet se logoja e 10-vjetorit nuk duhet të dalë jashtë simboleve të Republikës së Kosovës, përfshirë këtu dhe ngjyrat dhe se autori i saj do të shpërblehet me 1.000 euro. Ky konkurs nuk e specifikon nëse logoja duhet të jetë krejtësisht origjinale, e pa shitur apo botuar më parë, shkruan tutje Gazeta 'Zëri'. 

“Kriteret që duhen marrë parasysh për logon nuk duhet të dalin jashtë simboleve të Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe ngjyrat e flamurit shtetëror”, thuhet në pikën e dytë të konkursit.

E pasqaruar nga ana e Presidencës së Kosovës mbetet edhe çështja e sloganit të 10- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Kjo ka qenë e paraparë me konkursin e njëjtë.

“Personi, propozimi i të cilit zgjidhet për slogan të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shpërblehet me 500.00 Euro (Pesëqind).”, thuhet në pikën e gjashtë. Nuk jepet asnjë kriter e asnjë shpjegim se çka duhet të përmbajë slogani. Përderisa në shpallje të Pavarësisë dhjetë vjet më parë një nga sloganet që u përdor më së shumti ishte ai “Bac, u kry”, sivjet “10 vjet shtet” po përdoret shpesh si shprehje, por ende nuk dihet slogani zyrtar i këtij përvjetori.

Dizajneri kosovar, Agi Haxhimurati, u shpreh për gazetën “Zëri” duke thënë se nuk e sheh profesional përdorimin e një logoje të ngjashme me një tjetër, e sidomos në një përvjetor të rëndësishëm si ky.

“Është ofendim moral që një klienti t’i ofrohet një punë e ngjashme apo një punë që është shitur njëherë. Askush nuk do të donte t'i ndodhte kjo gjë. As Kosovës si një klienti i ri po as BDI-së, kur e sheh që një punë e tyre për të cilën kanë paguar është përsëritur diku tjetër. Asnjë autor nuk ka të drejtë të shesë punën e tij më shumë se një herë, në të kundërtën kalon në absurditet profesional dhe ofendim për palën tjetër, në këtë raste për klientët. Nuk e di nëse është termi i saktë  'auto-plagjiaturë', por e di që kjo festë nga një festë që do të duhej të sillte mijëra turistë nga vendet e ndryshme të botës, për t’i treguar edhe ato pak suksese që kanë ndodhur në 10-vjeçarin e fundit, po del në një festë qesharake dhe pa kurrfarë koncepti kreativ. Shto këtu faktin që ende as slogani i kësaj fushate nuk është përcaktuar, kur e dimë që jemi 1 muaj para festës jubile”, tha Haxhimurati.

Rikujtojmë se logoja e parë, e cila u anulua, ishte e punuar nga dy dizajnerë të rinj, Arbër Racaj dhe Egzon Çaka. Ky dizajn u anulua, sepse doli i ngjashme me atë të “Schauindsland Resien”, një agjension gjerman. Në këtë mënyrë u vendos që dizajni i Ballazhit, i zgjedhur për Medaljen Presidenciale, të përdoret edhe si logo zyrtare e të gjitha manifestimeve në kuadër të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, që shënohet më 17 shkurt. /Zëri/Image