Përvjetori i Kryetrimit shpërfaqë krizën e identitetit tonë

Kultura January 15, 2018 - 09:46

Jemi në vitin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, përkatësisht në 550 vjetorin e vdekjes së tij. Kryetrimi ynë nuk ka datë tjetër, ndërsa ajo e lindjes nuk i dihet. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjënë e parë që bëri pas fitimit të mandatit të dytë të udhëheqjes së qeverisë, vitin 2018 e shpalli vit të Kryetrimit.

Dhe bëri mirë shumë. Çështja se Kryeministri e bëri këtë për poenë personal politik, apo i nxitur nga fryma pro-evropiane, në kuadër të proceseve integruese nëpër të cilat po ecën Shqipëria, sigurisht që është e diskutueshme, por pak është e rëndësishme karshi faktit se ai në këtë mënyrë ka hapur shtegun për ndërmarrje nga më të ndryshmet, të cilat mund ta nderojnë kryetrimin tonë.

Gjithashtu e rëndësishme është që dy qeveritë, e Shqipërisë dhe e Kosovës, janë pajtuar që t'i koordinojnë aktivitetet në kuadër të kremtimit të këtij jubileu kaq të rëndësishëm, shkruan "Zëri".

Sigurisht që është fyes fakti që Qeveria jonë ka caktuar për koordinator të këtyre aktiviteteve kulturore Jahja Llukën, një personalitet i cili nuk mund ta bartë këtë barrë kaq të madhe.

Lluka nuk ka faj për këtë, por ka faj shefi i tij, i cili nuk e ka as idenë më të vogël çfarë rëndësie ka ky përvjetor për udhën tonë integruese në Evropën e Bashkuar. Madje, për fatin tonë të keq, ai momentalisht është edhe i zënë me angazhimin në pengimin e këtyre proceseve!

Po edhe përkundër kësaj, institucionet dhe individët që kanë një krebidilitet publik, do të duhej të angazhoheshin dhe të kërkonin forma të organizimit që sa më mirë dhe sa më dinjitetshëm të nderohet dhe respektohet Kryetrimi ynë.

Kjo mbase për shumë arsye, ndërsa jemi dëshmitarë të një krize të thellë identitare që ka mbërthyer shqiptarët në të gjitha hapësirat ku jetojnë. Kjo krizë më së miri po shpërfaqet kur janë në pyetje dy personalitetet më të mëdha të historisë sonë: Gjergj Kastrioti dhe Shën Tereza. Jemi dëshmitarë të një fushate të vazhdueshme të denigrimit të tyre, madje në format më të vrazhda.

Dhe më në fund, nuk duhet harruar faktin se nuk kemi figurë më unifikuese të përkatësisë tonë evropian sesa Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, Atletin e Krishterimit, përcjell "Zeri.info".

Mu për këtë, ky përvjetor do të duhej që jo vetëm në aspektin kulturor, por edhe në atë politik të na motivonte që vërtet të dëshmonim një përcaktim të tillë.

Dhe për ta realizuar një vit në emër të tij, së pari duhet vullnet i mirë, nëpërmjet të cilit do të krijonim një frymë të tillë, e cila do të na e bënte të pranishëm Kryetrimin kudo. E them këtë nga frika se njësoj mund të ndodhë, siç ndodhi edhe me vitin për Shën Terezën.

Nëse viti 1968, përkatësisht 500 vjetori i vdekjes së Kryetrimit ishte një vit i integrimit brendashqiptar, ky vit duhet të jetë vit i integrimeve brendaevropiane.

Dhe vetëm në këtë prizëm do të kishte kuptim angazhimi ynë i përbashkët nëpër të gjitha hapësirat shqiptare. Po gjasat që të ndodhë kjo janë vërtet shumë të vogla, të mos themi asfare.

Atleti i Krishterimit do të vazhdojë të kujtohet vetëm nga ata që nuk qëndrojnë pezull mes Lindjes dhe Perëndimit, por që kanë një përcaktim të qartë properëndimor. /ZËRI/