Shuhet mësuesi Lush Bicaj

Kultura January 12, 2018 - 10:13

Në moshën 99 vjeçare ka vdekur të enjten (11 janar) veterani i arsimit, Lush Tahir Bicaj. Me Bicajn identifikohet drama e shqiptarëve gjatë shekullit XX dhe lufta e përpjekja e vazhdueshme për mësimin në gjuhën shqipe. Gjysmën e jetës së tij Bicaj e kaloi si mësimdhënës, mision të cilin e konsideronte të shenjtë.

Mësuesi Lush Tahir Bicaj lindi në prag të formimit të SKS-it, në vitin 1919 në Vrellë të Istogut, pra në Jugosllavinë e Kralit. Mësimet e para i mori në Vrellë të Istogut në gjuhën serbokroate. Bicaj, që jetoi gati një shekull, shërbeu si mësues afër dyzet vite. Ai punoi në disa vende, përfshirë këtu shkolla në Vrellë, Saradan, Uçë, Mojstir, Gurrakoc, Jabllanicë të Vogël të Pejës e Rakosh dhe u kthye për tu pensionuar pikërisht aty ku e nisi mësimdhënien, në Vrellë të Istogut.  Rrugën e mësuesit drejt shkollimit të lartë më pas e ndoqën edhe shumë të tjerë nga familja Bicaj.

Në një intervistë, dhënë për gazetarin Maxhun Osmanaj në gazetën “Epoka e Re” më 7 mars të vitit 2016, Lush Bicaj tregon se si motivin për të mësuar shkronjat shqipe si fëmijë e kishte të mbjellë nga familjarët.

“Abetaren ma ka dhuruar një bashkëvendës, Musë Tahiri, një atdhetar, komit-kaçak. Ai ma ka dhënë dhe unë me Smail Bicaj, një kushëri, kemi mësuar shkronjat shqipe në bjeshkë në tëbana me lopë. Por për këtë Abetare kam hequr të zitë e ullirit nga komandant me xhandarët në Istog. Na morën Abetaren dhe kemi qenë në përndjekje. Traditën e edukimit na e kishte mbjellë axha im, Ramë Ali Bicaj, një njeri me autoritet, i cili kishte shkruar mejtepin në Pejë në gjuhen shqipe dhe dinte shkrim-lexim”, tregonte Bicaj.

I pyetur se a ka pasur aso kohe shkolla shqipe në Dukagjin, mësuesi Bicaj përgjigjej se nuk ka pasur.

“Me sa më kujtohet jo, veç në kohën e Luftës së Parë Botërore, në kohën e Austro-Hungarisë janë hapur disa shkolla në gjuhën shqipe, por pas luftës Jugosllavia e Kralit i mbylli ato kudo”, theksonte ai, duke shtuar se numri i shqiptarëve që ndiqnin shkollat në gjuhë të huaja ishte shumë i vogël, e vajza nuk kishte asnjë. Mësuesi kujtonte se në atë kohë as që guxonin të përmendnin diçka nga historia e shqiptarëve në shkolla.

“Historinë e shqiptarëve e mësonim veç nëpër oda të shqiptarëve”, tregonte Lush Tahir Bicaj.

Si njohës i rrethanave të kohës, në intervistën për “Epokën e Re” Bicaj pyetet për ndikimin që patën mësuesit e dërguar nga ministri i Arsimit, shkrimtari Ernest Koliqi, në Kosovë për të zhdukur analfabetizmin.

“Po, këta kanë dhënë një ndihmesë të madhe për zhdukjen e analfabetizmit meqë në Kosovë s’kishte kuadro të kualifikuara në gjuhën shqipe. Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në mbarim të luftës 1945-46 u hapën shumë shkolla shqipe anë e kënd Kosovës. Ndër të parët që  ka çelur një kurs pedagogjik ka qenë Fadil Hoxha, ku 5-6 profesorë të Elbasanit kanë hapur kurs pedagogjik për mësues në Prizren. Në Prizren mësuesit e mi të parë ishin Mehmet Gjevori, Xheladin Hana, Xhemil Doda, Tajar Hatipi, Beqir Kastrati, etj”, rrëfente kështu ai.

Në këtë intervistë Bicaj tregon edhe për shkollimin e tij dhe vitet e para si mësues.

 “Më vonë Beqir Kastrati hapi Shkollën Normale në Gjakovë. Unë bashkë me Abdurrahim Gashin, veteran dhe inspektor i arsimit në Istog, kemi kryer këtë kurs të pedagogjisë për tre muaj në gjuhën shqipe, pastaj aftësoheshim dhe dilnim mësues. Mbas kursit unë jam caktuar mësues në Vrellë ndërsa Abdurrahimi në fshatin Uçë të Istogut. Gjatë luftës kemi mësuar edhe në shtëpi-shkollë në kushte të rënda. Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, unë, Abdurrahim Gashi dhe Ali Fetahu kemi çelur Drejtorinë e Arsimit në Istog. Unë isha referent, Abdurrahimi inspektor, ndërsa Ali Fetahu shef përgjegjës i arsimit për rrethinën e Istogut. Me biçikletë shkonim në shkollë-punë”, përshkruante kështu fillimin e karrierës së tij si mësues Bicaj.

Mësuesi thekonte se në atë kohë profesioni i tij konsiderohej si i shenjtë. “Mësuesi vlerësohej si i shenjtë. Edhe pse i ndëshkonim nxënësit respekti ishte i madh”, shprehej ai.

Kur pyetej se po ta rifillonte një jetë te re a do t’i përkushtohej profesionit të njëjtë Lush Tahir Bicaj këmbëngulte në rrugën e mësuesisë. Sipas tij, nuk kishte mision më të shenjtë.

“Sa e sa gjenerata të mia i shoh sot në jetë që kanë arritur anë e kënd Kosovës. Ata më rritin mua. A ka më kënaqësi për mua? Ata janë rrita ime, jeta ime. Mësues, mësues, mësues, t’i bëni fëmijët të zotët për jetë, trima për beteja të diturisë. T’i konsideroni fëmijët si fëmijë tuaj dhe të punoni me përkushtim të madh”, porosiste kështu Bicaj mësuesit e rinj.

Në librin e tij biografik për mësuesin Lush Tahir Bicaj veterani i arsimit dhe pedagogu Abdurrahim Gashi ka theksuar se Bicaj kudo që ka punuar në këtë kohë kaq të gjatë ka lënë mbresa të fuqishme te nxënësit, prindërit e kolegët.

“Qëndrimi i tij atëror ndaj nxënësve tërë kohën ka qenë brilant e pedagogjik”, nënvizon Gashi. A.S