Trashëgimia kulturore në xhepin tuaj

Kultura January 11, 2018 - 08:47

Qasja në informacione për trashëgiminë kulturore të vendit nuk ka qenë kurrë më e lehtë se sot. Kjo pasi platforma të ndryshme online po shfrytëzohen për informimin e të interesuarve dhe promovimin e pasurive kulturore.

Një gjë e tillë që nga dhjetori po bëhet edhe përmes një aplikacioni për telefon që mban emrin “Trashëgimia Kulturore e Prishtinës”.

Guida “Trashëgimia Kulturore e Prishtinës”, është realizuar nga Qendra me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Përmes kësaj guide, duke e shfrytëzuar teknologjinë mobile, përkatësisht platformat Android dhe IOS, paraqiten disa nga monumentet e Trashëgimisë Kulturore të Prishtinës si dhe vende identifikuese të Prishtinës, në funksion të promovimit të trashëgimisë kulturore. Ky aplikacion u realizua si projekt bashkëpunimi mes Shkollës Digjitale dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë.

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Prishtinës është institucion i trashëgimisë kulturore që funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës. Hapësira kulturore e Rajonit të Prishtinës, përveç Komunës së Prishtinës, që është bërthama e rajonit, shtrihet dhe në Komunën e Podujevës, Lipjanit, Drenasit, Fushë Kosovës, Graçanicës dhe Obiliqit.

Për gazetën “Zëri” Darsej Rizaj, drejtor i Shkollës Digjitale, tha se padyshim që zhvillimin e këtij projekti me sukses e ka mundësuar bashkëpunimi i ngushtë me Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit, e cila ishte në prapavijë si përkrahëse e projektit.

“Kemi pasur bashkëpunim të ngushtë me Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore. Nga ta kemi marrë dhe mësuar të gjitha të dhënat për të gjitha objektet e trashëgimisë kulturore që mund t’i shihni në aplikacion. Ne kemi punuar me nxënësit tanë për anën teknike të aplikacionit rreth tre muaj. Si përfundim e promovuam gjatë dhjetorit të vitit të kaluar në Muzeun e Kosovës”, tregoi Rizaj.

Për realizimin e këtij aplikacioni kanë punuar intensivisht tre nxënës të Shkollës Digjitale, Tea Reqica, Liburna Mehmeti dhe Robert Pira, mosha e të cilëve sillet rreth 12-14 vjeç.

Gjatë hartimit të konceptit të guidës, në funksion të përmbushjes së objektivave të promovimit dhe të gjithëpërfshirjes, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore ka pasur në fokus të veçantë edhe partnerët e mundshëm si hisedarë të pazëvendësueshëm në komplementarizimin e përvojave, energjive dhe kapacitetit organizativ, në qëllimin e projektit.

Nëse ju e merrni këtë aplikacion në telefonin tuaj, fillimisht ju ofrohet mundësia të zgjdhni gjuhën në të cilën doni t’i lexoni informatat, në shqip, anglisht apo serbisht.

Aplikacioni “Trashëgimia Kulturore e Prishtinës” ndahet në disa pjesë. Aty jepen fotografi dhe informata për Prishtinën e vjetër, Prishtinën sot, Parkun Ulpiana, Muzeun e Kosovës, Shatërvanin e Qytetit, Xhaminë e Çarshisë, Xhaminë e Jashar Pashës, Shtëpinë e banimit ish-ASHAK-u, Kullën e Sahatit, Hamamin e madh, Xhaminë e Sulltan Mehmet Fathiut II, gjimnazin “Sami Frashëri”, kompleksin e banimit “Emin Gjiku”, shkollën fillore “Elena Gjika”, sheshin e pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”, ish-hotel “Unionin”, sheshin “Skënderbeu”, Teatrin Kombëtar të Kosovës, çezmën në sheshin “Ibrahim Rugova”, bibliotekën e qytetit “Hizvi Sylejmani”, Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Galerinë e Arteve të Kosovës, Universitetin e Prishtinës, katedralen “Nënë Tereza”, hotel “Grandin”, sheshin “Zahir Pajaziti”, monumentin “New Born”, Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, muzeun e pavarësisë së Kosovës “Dr. Ibrahim Rugova”, Galerinë e Ministrisë së Kulturës, varrezat hebraike në Velani, Manastirin e Graçanicës, Tyrben e Bajraktarit, Tyrben e Sulltan Muratit, parkun e qytetit të Prishtinës dhe parkun nacional “Gërmia”.

Shfletuesit e këtij aplikacioni marrin informata për kohën e ndërtimit të objekteve, funksionet, pronarët e dikurshëm, pra një historik të përgjigjëm dhe gjithashtu lokacionin e saktë në rast se duan ta vizitojnë.

Nxënësit e Shkollës Digjitale në anën tjetër, gjatë gjithë punës për këtë aplikacion përveç aftësimit që kanë nxënë në fushën e programimit, kanë marrë njohuri edhe për monumentet e Trashëgimisë Kulturore të Prishtinës si dhe përmes fondeve të realizuara nga projekti me punë vullnetare, nxënësit iu mundësuan 12 fëmijëve të SOS Fshatit të mësojnë programim në Shkollën Digjitale për 1 vit pa pagesë.

Shkolla digjitale është institucion i akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve dhe është shkolla e parë e hapur në Prishtinë dhe Ferizaj, e cila ofron kurse të teknologjisë informative për fëmijët e moshave të reja. /ZËRI/