Episodet finale të “Game of Thrones” vijnë në 2019

Kultura January 10, 2018 - 09:37

Seriali i famshëm “Game of Thrones”, i cili ka thyer rekorde shikueshmërie tash e disa vite, do të sjellë gjata vitit 2019 gjashtë episodet finale.

Produksioni i sezonit të tetë nisi në muajin tetor e do të zgjasë deri nga mesi i këtij viti përpara se HBO-ja të jetë gati ta transmetojë vitin që vjen. Adhuruesve të serialit tejet popullor do t’ju duhet të presin edhe ca kohë për finalen e tij të madhe.

“Game of Thrones” është projekti më i rëndësishëm që HBO ka realizuar ndonjëherë, me 30 milionë shikues vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një ushtri fansash të devotshëm anembanë globit. Sezoni përfundimtar i tij pritet të zbulojë se cila prej familjeve luftarake të shtatë mbretërive të trilluara të Westeros do të fitojë luftën shumë brezëshe për kontrollin e fronit të hekurt.

Kreu i programit, Casey Bloys, sqaroi se do të filmohen disa përmbyllje të mundshme të serialit me qëllim shmangien e rrjedhjes së informacionit mbi fundin e sagës.

Gjithë çfarë dihet, është ajo që krijuesit e serialit, David Benioff dhe D.B Weiss, kanë thënë për “Entertainment Weekly” se duan që “Game of Thrones” të ketë një fund sa më spektakolar që të jetë e mundur.

Game of Thrones” është i bazuar në best-sellerin e shkrimtarit George R.R. Martin, i cili bën fjalë për disa familje mesjetare të cilat luftojnë për të kontrolluar një tokë mitike.