Petrarka dhe Shekspiri

Kultura January 09, 2018 - 08:19

Rreth treqind vite para Shekspirit, bota njohu sonetet e Petrarkës. Soneti petrarkian përbëhet prej 14 vargjeve të ndara në një oktet dhe një sestet me rimë ABBA ABBA / CDE CDE. Këto sonete kanë të ashtuquajturën “volta”, që nga latinishtja do të thotë “kthesë” ku bëhet dallimi mes dy strofave.

Njëjtë si sonetet e Shekspirit, janë të shkruara në pentametrin jambik.

Petrarka ka shkruar gjithsej 366 poezi lirike nga të cilat 317 janë sonete të cilat më vonë botohen në një vëllim poetik të quajtur “Il Canzoniere” që do të thotë “këngë”. Për sonetet e tij, kritikët thonë që i kushtohen Laurës, vajzës që poeti e kishte njohur në një kishë në Francë. Kritiku Robert Stanly Martin thotë: Dashuria për vajzën ideale ishte rruga drejt të mësuarit se si duhet të duhet Zoti. Me pak fjalë, një burrë zbulon dashurinë hyjnore pasi ka njohur dashurinë e një gruaje.

Pavarësisht çka thonë kritikët, Petrarka përshkruan në detaje takimin me Laurën. Në poezinë “Era il giorno ch’al sol si scoloraro” ai tregon që dashuria me Laurën ka qenë dashuri në shikim të parë dhe se ai as që ka provuar të mbrohet nga shigjetat e dashurisë që po lëshonte Kupidi atë ditë. Ai shprehet që dashuria e ka gjetur të paarmatosur dhe se të vetmet që i kanë mbetur në mend janë sytë e saj. Është tamam kjo poezi ku mund të shohim ngjashmëri tematike mes këtyre dy poetëve, ku dielli (që nganjëherë paralelizohet me perëndinë) paralelizohet edhe me të dashurin. Është tamam kjo poezi ku Petrarka lëshon paralele edhe me antikitetin grek. Kjo është poezia ku Petrarka e krahason veten me Apollonin dhe Laurën me Dafinën. Në bazë të kësaj analogjie dhe këtij paralelizimi merr më shumë kuptim edhe titulli i gjithë këtij vëllimi. Apolloni, perëndia e poezisë dhe e muzikës dhe ky si poet që arrin ta imortalizojë dashurinë për mes kanconës apo këngës. Petrarka arrin ta kthejë në poezi atë që Gian Lorenzo Bernini e bënë me anë të skulpturës.

Dimë që sonetet janë të ndara në të gjallë dhe në të vdekur të Laurës, por ato që tregojnë vdekjen e zonjës janë shumë më të bukura. Për shembull, soneti 292, ku poeti thotë që vdekja e muzës së tij ka bërë që t’i vdesë edhe motivimi për poezinë, ka bërë që arti t’i kthehet në lot. Gjithsesi duhet përmendur Soneti I, ku te poeti luftojnë ndjenjat e njeriut të ri të Rilindjes Evropiane dhe pasionet tokësore me ndjenjat kristiane, që e shtyjnë të pendohet për dëshirat e kësaj bote dhe i bëjnë thirrje të mendojë për jetën e përtejme. Soneti 3 nga ana tjetër tregon se si poeti ka rënë në dashuri në të Premten e Madhe, kur e gjithë bota po mbante zi vdekjen e Krishtit.

Kurse soneti 11 përdor referenca nga “Balada e Velit” për t’u ankuar për ashpërsinë e Laurës pasi ajo merr vesh për dashurinë e tij ndaj saj. Ka edhe sonete ku vërehen ndikimet e poetëve të mëdhenj, si soneti 132, ku citon Danten dhe thotë: të gjitha mendimet e mia më flasin për dashurinë. (“Vita Nuova”,VI). Kurse soneti më i mirë është soneti 219, ku poeti tregon se si është zgjuar një mëngjes nga zhurma e zogjve dhe e gurgullimës së ujit dhe me shumë trishtim tregon që jeta vazhdon edhe pse Laura është e vdekur.

Pra me pak fjalë edhe sonetet e Petrarkës mund të ndahen në disa kategori si: poezitë për dashurinë e refuzuar, poezitë që tregojnë se dashuria është e ligë, poezitë me referenca biblike dhe antike, poezitë e dashurisë në shikim të parë, lufta e poetit me vetveten dhe poezitë ku Kupidi apo Erosi është armiku më i madh.

Sonetet e Shekspirit janë botuar për herë të parë në 1609 dhe janë të shkruara në pentametër jambik, që do të thotë që secili varg ka dhjetë rrokje të ndara në pesë vargje të shkurta jambike. Sonetet e Shekspirit njihen me numra, por kritikët modernë thonë që vargu i parë i secilit sonet mund të konsiderohet si titull i gjithë poezisë. Kenneth Muir [1]  thotë se datat e sakta të shkrimit të soneteve nuk dihen, e gjitha që dimë është që ato i ka shkruar vetë Shekspiri. Ai vërteton edhe autorësinë e dramave të Shekspirit, duke bërë të ditur që ato të parat kanë qenë më shumë bashkëpunime se sa krejtësisht autoriale.

Gjithsesi, 154 sonetet e Shekspirit mendohet të jenë shkruar diku rreth vitit 1590 dhe 1600. Te këto sonete ne nuk mund ta dimë nëse ai që flet është vetë Shekspiri, apo këtu ka krijuar një un imagjinar, por duke parë që soneti është formë e poezisë lirike, mund të quhen tejet personale, siç ndodh në shumicën e poezive lirike. Gjithashtu nuk e dimë nëse këto janë të gjitha sonetet që ka shkruar Shekspiri, apo ka edhe të tjera.

Sonetet më të bukura i kushtohen një burri, sidoqoftë ka edhe një personazh tjetër femëror që quhet “Black Mistress”. Këto janë disa nga sonetet më të errëta të këtij vëllimi poetik. Në sonetin 144 folësi i vë bashkë edhe burrin dhe të ashtuquajturën “Black Mistress”, duke iu referuar njërës me “engjëlli i keq” e tjetrit me “engjëlli i mirë”. Soneti tregon konfliktin e folësit dhe poezia përfundon me pesimizmin se “engjëlli i keq” do të fitojë mbi të “mirin”:Image

Gjithsesi kam edhe një dyshim timin që dua ta shndërroj në çështje letrare. Kritikët tregojnë që në ditën që Petrarka merr vesh për vdekjen e Laurës shkruan këto fjalë në librin e tij të preferuar: Laura, e dalluar për nga virtytet që kishte dhe e kremtuar gjerësisht në poezitë e mia, për herë të parë m’u shfaq kur isha tepër i ri, në vitin 1327 në ditën e gjashtë të prillit, në orën e parë në kishën e Santa Clara në Avignon. Dhe po në të njëjtin qytet, në të njëjtin muaj, në ditën e gjashtë në vitin 1348 kjo dritë u hoq nga dheu, ndërkohë që për fat të keq unë isha në Veronë, injorant dhe në mjerim për fatin tim.

Dua të vë theksin te vendi ku kishte qenë Petrarka pasi ka marrë vesh për vdekjen e Laurës, në Veronë. Pikërisht ky është tamam vendi ku Shekspiri e vë historinë e Romeos dhe Xhulietës, të cilëve u jep një moshë të re dhe një fund tragjik. Rastësi? Mbase po, mbase jo!

Është e qartë që ngjashmëritë kryesore mes dy poetëve janë himnizimi i dashurisë deri në adhurim, adhurimi që të dy kanë për poezinë dhe ndjenjën e të qenit gjeni, pasi të dy mburren me vargjet që kanë shkruar, qoftë duke e thënë shprehimisht, qoftë duke e krahasuar veten me perëndinë e këngës dhe të poezisë. /ZERI/

Shkruan: RronaJaka