Tallavaja si murtajë e kulturës sonë

Kultura January 08, 2018 - 12:52

Tallavaja nënkupton improvizimin, nënkupton situatën kur këngëtari, përkatësisht artisti, aty për aty improvizon një këngë pa tekst dhe melodi të duhur, por ashtu si i teket dhe si vlerëson se është më mirë për situatën. Kështu pa politikë kulturore dhe pa qëllime në këtë fushë veprojmë edhe ne. Po tallava është bërë e gjithë politika jonë, rrjedhimisht gjithë jeta jonë, ndërsa refleksionet e saj në kulturë janë bërë më të dukshme. Në kuadër të këtyre improvizimeve tani kushdo mund të bëhet shkrimtar, mund të bëhet këngëtar, mund të bëhet aktor, mund të bëhet regjisor e çka jo tjetër! Shihni sa tonelata letër harxhohen tek ne në botimin e librave nga më të ndryshmet, ku pa dilemë dominojnë monografitë dhe autobiografitë, si dëshmi se edhe pas kaq vitesh dominon koncepti i ndërtimit të heroit në këtë vend, madje pa u mjaftuar me shtatoret dhe bustet e shumta ngado nëpër Kosovë, për të shpërfaqur heroizmin e një kohë dhe për ta kornizuar kuptimin e të qenit tonë dhe të historisë brenda një periudhe dyvjeçare. Kjo frymë edhe ka stimuluar improvizimin, i cili natyrshëm është mbështetur mbi gënjeshtrën dhe mashtrimin.

Po nuk është dëmi kaq i madh pse harxhohet më shumë letër për libra sesa për tualet, dëmi qëndron në faktin se këto libra që nuk i blen kush shpërndahen nëpër bibliotekat shkollore dhe të qyteteve tona, ku frekuentojnë dhe vihen në kontakt me to kryesisht nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, ata që nëpër shkolla duhet ta mësojnë kulturën. Ky është dëmi që i bëhet shoqërisë sonë dhe që askush nuk brengoset për këtë. Për më keq, numri i madh i këtyre librave krejtësisht pa vlerë, financohen nga institucionet tona, përkatësisht nga taksat tona, të cilat do të duhej të shërbenin për ndonjë të mirë publike e jo për helmimin e publikut, si në këtë rast. Tjetër gjë do të ishte sikur këta libra, kinse historik e beletristik, të shiteshin nëpër tezga shesheve të qyteteve tona. Në këtë rast dëmi do të ishte shumë më i vogël. E nëse konstatojmë se librat janë si njerëzit, atëherë do të duhej që patjetër të kemi kujdes se çka futet brenda shkollave, përkatësisht rafteve të bibliotekave të tyre. Kjo edhe për faktin se siç ka vlerësuar Konfuçio 500 vjet para erës sonë, arsimi duhet ta orientojë drejt njeriun në udhën e tij jetësore. Në këtë kuptim duhet ta orientojë edhe në aspektin kulturor, sepse shkolla është vendi ideal ku mësohet kultura.  

Në këtë vazhdë improvizimesh dhe degradimesh kulturore shpërfaqen edhe autoritetet e rrejshme kulturore. Janë të shumtë ata tipa që dikur janë vlerësuar si personazhe të rëndësishme të prodhimit tonë kulturor që sot nuk hezitojnë të vënë firmat e tyre nëpër libra injorantësh dhe mediokrish, qoftë në cilësi redaktori a recenzenti, madje pa ngurruar që të dalin edhe në publik dhe të flasin për këto prodhime si për kryevepra të kohës që po e jetojmë! Kështu Biblioteka Kombëtare dhe Instituti Albanologjik janë zgjedhur vendet ku promovohen këto prodhime, në vend që këto institucione t'i mbyllnin dyert dhe të ruheshin nga kjo mortajë.  E Daviqo e ka vërejtur mirë kur ka vlerësuar se mungesa e talentit nxit daljen në treg. Kjo mungesë talenti karakterizon mediokrit dhe injorantët, të cilët nuk kanë lexuar më shumë se një libër, ndërsa janë bërë autorë të dhjetëra librash!

Në vazhdën e këtyre improvizimeve edhe kemi festivalizuar kulturën tonë. Kushdo mund të bëj një festival, mjafton të gjej burime financiare, kryesisht nga institucionet tona dhe të provojë të bëjë një festival poezie, filmi a drame. Tani edhe nëpër fshatra kemi festivale me karakter ndërkombëtar! E megjithatë, përkundër kaq shumë festivaleve, i vetmi Festival që shënon ngjarje kulturore, madje edhe me përmasa ndërkombëtare mbetet DokuFest-i. Pra këto improvizime veç sa dëmtojnë jo vetëm buxhetin edhe ashtu të pakët për kulturë, por edhe shpërfaqin kulturën në nivelin që konsumuesit e saj të ndjenjë një refuzim dhe të ikin sa më larg saj. Madje askund më mirë se në kuadër të këtyre improvizimeve nuk mund të shohësh sesi goditet kaq ashpër identiteti ynë nacional, duke filluar nga gjuha, e cila kurrë nuk ka qenë në krizë më të madhe. Nuk është këtu fjala për problemet që realisht në një masë i shkakton edhe standardi i saj, por për gjuhën e çoroditur që dëshmon ndikimet e kulturave tjera pa kriter dhe pa masë.

Sigurisht që në përhapjen dhe masovizimin e këtij improvizimi kulturor, kësaj tallavaje në formë murtaje, rol të rëndësishëm luajnë mediet tona, përkatësisht televizionet, e në veçanti ato me frekuenca nacionale. Është tmerr t'i shohësh serialet televizive si prodhim vendor, ku më së miri shpërfaqet niveli i shkollave të arteve që kemi. Në këto shkolla, përkatësisht në këto akademi, nuk mësohet të dallohet as gjuha si mjet komunikimi dhe si mjet shprehës! Ne vazhdojmë të prodhojmë artistë të leshit, të cilët besojnë se mjekra dhe flokët e gjata i bëjnë të tillë. Për më keq këta tipa, të të gjitha fushave të kulturës promovohen nëpër këto televizione dhe na shfaqen në emër të vlerës që duhet të karakterizojë prodhimin kulturor tek ne. Është e qartë se këta politikanë që kemi nuk e kanë idenë çka është interesi publik, e le më kultura. Nuk e kanë as idenë më të vogël çka nënkupton kultura nacionale. Prandaj nuk i dëgjojmë kurrë të flasin për kulturën. Për kulturën nuk i kemi dëgjuar të flasin as kandidatët për kryetar komunash që pak kohë përpara i kemi parë nëpër fushata. Këta politikanë dëshmuan se kultura është diçka e dorës së fundit edhe kur aprovuan ligjin për sponzorizimin e saj. Për ironi ata votuan një ligj i cili kulturën e bën shumë më pak të vlefshme se sportin! E Brougham thotë: "Kultura e bën një popull të lehtë për ta drejtuar, por të vështirë për ta zvarritur, të lehtë për ta qeverisur, por të pamundur për ta skllavëruar".

Tek ne ky nivel kulturor po dëshmon se jemi lehtësisht të manipulueshëm, madje edhe të zvarritur nga politika, e cila kulturën vazhdon ta trajtojë si diçka fare të parëndësishme. Në këtë mënyrë veprojnë edhe institucionet në të dyja nivelet, në atë qendror dhe lokal. Madje, në bazë të një inercioni nga e kaluara, me kulturën vazhdojnë të udhëheqin kuadro që nga politika vijnë si të rendit të dytë a të tretë. Pra kultura konsiderohet si një strehë e mirë për t'i rehatuar militantët partiakë, të cilët si të tillë nuk kanë si të mos i bëjnë dëm kulturës në përgjithësi. Kështu edhe ato pak mjete të vogla që ndahen për kulturën, shumica nga to shkojnë në pagat e punëtorëve të sektorit të kulturës, të cilët as nuk e dinë pse janë aty, le më të dinë se çka të punojnë. Në anën tjetër trashëgimia kulturore ka mbetur për gjynah. Epo në një vend ku nuk funksionon vetëdija për interesin publik edhe nuk mund të jetë ndryshe. Shumë objekte të trashëgimisë janë rrënuar në pikë të ditës, shumë sosh janë rrënuar natën, e një numri jo të vogël i është vënë edhe flaka, në mënyrë që në vend të tyre të ngrihen objekte për nevoja biznesi. Kështu, duke degraduar kulturën, kemi ardhur në një gjendje kur synetia na bëhet festë kombëtare!