Kemi vënë seriozisht në rrezik identitetin tonë

Kultura January 08, 2018 - 12:35

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit", prezantojmë poetin dhe përkthyesin Jozef Radi, i lindur në Elbasan si i detyruar të ndjek fatin e prindërve të internuar gjatë kohës së diktaturës. Është edhe autor i dokumentarit për të atin "Golgota e Lazër Radit", me të cilin edhe është bashkautor i disa veprave. Jeton në Qytetin e Anconës, në Itali.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Besoj se njeriu që e pyet veten në vazhdimësi, jeton me statusin e një koshience aktive! Nëse s'i bëjmë asnjë pyetje vetit, mundemi të jetojmë  krejt në paqe me atë çka bëjmë, po ndërkohë dëshmojmë se s'jemi rrekë të bëjmë ndonjë gjë përtej asaj çka mund të quhet egoizmi ynë! Duke qenë se i bëj vazhdimisht e në vazhdimësi pyetje vetit, e sidomos përballë dilemash, s'e kam fort të lehtë me dhanë një përgjigje krejt të saktë. Por mendoj se pyetja që ma së shumti e ma së shpeshti ia bëj vetes është: A munde me i marrë ditës gjithçka ishte e mundur!? Ose: Cili është pozitiviteti që munde t'i diktosh vetit po edhe tjerëve me ditën tënde!?

Një pyetje instinktive, frutat e së cilës nuk janë gjithnjë edhe aq të dukshme...

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Jetoj në një qytet të vogël, në breg të Adriatikut. Kështu udhëtimi im ma i zakonshëm asnjëherë s'e kapërcen sasinë e katër-pesë kilometrave. Përpiqem që në këtë të zakonshme të ditës sime me gjetë më së pari motive dinamike, ku ecja dhe ideja e shkëmbimit të mendimeve a ndonjë kafeje presupozon edhe ndonjë bisedë qoftë edhe krejt të sipërfaqshme me i dhënë njëfarë motivimi ditës dhe jetës. Ndodh edhe s'ndodh përditë e njëjta gjë: megjithatë ndalem te kafja ime, lexoj diçka nga shtypi i përditshëm, u shkruaj miqve dhe përpiqem të shkruaj atë çka asht trazimi ma thelbësor i ditës sime... dhe nuk luaj prej aty po i dhënë njëfarë forme mendimeve dhe ditës sime!

 

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e  e kujtesës suaj?!

Librat (bibliotekën) i kam të vendosura në mënyrë të tillë që s'ka libër të kaluar nëpër duar të mija të mos e gjej brenda pak minutave. Duke qenë se kurrë një libër i vetëm s'është në vëmendjen time, për një kohë tejet të gjatë, ndodh që disa prej tyre t'i kem në qendër të vëmendjes kur punoj me ta. Fjala vjen: tash më rrinë gjithnjë ndër sy librat: “Fiset Shqiptare”, të Robert Elsiesë dhe “Gjuha e shkipëtarëve”, e Joseph fon Xilanderit. Po nëse më duhet me thanë se cili asht libri ma i pranishëm i tavolinës sime do të thosha: “Fjalori i Gjuhës Shqipe”, ose ma mirë disa prej tyre... që më ndihmojnë në punën time si përkthyes, shpesh duke konsultuar fjalë dhe kuptime, shprehje apo ngjyrosje të fjalës, për të cilat fjalori më bëhet i domosdoshëm si buka, sa herë më nevojitet për të përcaktuar diçka!

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Në këtë krizë morale, nëpër të cilën vërtitet bota e sotme e ku ne shqiptarët jemi pjesë ma e dukshme e kësaj vorbulle, e jetoj në mënyrë të dyfishtë. Nuk besoj se ka krizë së cilës njeriu mund t'i gëzohet. Kjo krizë bëhet gjithnjë e ma e thellë, e s'shoh ndonjë perspektivë se si mundet me u shmangë, apo ma keq s'po mundemi me dalë prej saj. Kur më pyesni si ndiheni, sigurisht ashtu në fluturim them: “Keq , mjaft keq!” po mandej mendoj se mbas çdo rrëmuje vjen rregulli, e mbas çdo trazimi vjen paqja, diçka filloj dhe besoj se mundet dhe duhet ndryshuar.

Ne, si popull e kemi vënë seriozisht në rrezik identitetin tonë, çka do të thotë si individë, po edhe si bashkësi shoqërore, jetojmë me identitete të dyfishta e të shumëfishta. Nga një mbyllje hermetike gjysmëshekullore, ne jemi pjesë e një braktisjeje shembullore të vendit. Asgjë s'është absolutisht negative edhe në këto trauma të ikjes dhe emigracioneve masive, po as  pozitiven absolute nuk e gjej ndër to, ama vlerat e idenditeteve tona jetojnë kohëra të çoroditura, dhe pakkush po kujdeset që e nesërmja të ketë ndonjë shtegdalje pozitive...    

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Sipas meje, në kohër krizash të thella morale dhe sociale, arti dhe kultura mund të ndihmojnë botën, munden me e shkundë shoqërinë që ajo mos me u zhytë edhe ma thellë në batakun e politikave globale. Historia, kjo mësuese e madhe e vlerave, na ka dëshmuar se mbas çdo rrëzimi vjen ngritja, edhe unë mendoj se kjo periudhë rrëzimesh, është njëherazi edhe periudhë ngritjesh shpirtërore, energjish që lëvizin edhe kaotikisht, forca centrifuge e të cilave është duke troshitë, shoshitë dhe duke qitë në breg leshterikët e njëherazi duke lartësuar edhe pse me vështirësi ato vlera që shpesh janë shkelë me këmbë dhe janë përdhosë në mënyrat më të padrejta e më barbare...

Kultura shqiptare është midis kësaj vorbulle, në një luftë të paepur me veten. Shoh gjithandej energji pozitive, shoh vepra, shoh talente, shoh frymë, shoh që kultura shqiptare rreket me iu bashku energjive të kulturës botërore, qoftë në muzike, qoftë në letërsi, qoftë në përkthime, qoftë në botime. Edhe pse po bëhen përpjekje titanike, me ia marrë frymën këtij pozitivizmi që shpesh është sporadik, i hallakatun dhe i marrakotun...

Gjithsesi besoj se pjesa ma e mirë e kulturës shqiptare është pjesa më dinjitoze e jona, është tharmi i shpëtimit ndër kohëra...

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Si njeri që përpiqem të rrokë pozitiven e ditës, kohës dhe jetës, s'e kam fort të lehtë që me një pyetje të kësaj përmase me i dhënë ndonjë përgjigje që mund të jetë e përputhshme me këto tri pika nëpër të cilat kalon rrethi i jetës... me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Duke qenë se kemi jetuar gjatë nën një diktaturë të egër, e mbas saj një postdiktaturë zhgënjyese që e ka shndërruar në të pafundmë tranzicionin e një shoqërie, besoj dhe shpresoj se energjitë pozitive të këtij populli të mos i lejojnë rikthime tragjike, çka do të ishte fatale për fatin dhe të ardhmen e tij. Kjo vlen jo vetëm për shqiptarët e “dheut amë” po për krejt shqiptarët kudo që ata ndodhen. Të gjithë duhet të jemi ma shumë përgjegjës për atë çka ndodh me ne, dhe e quaj të palejueshme që politika të vazhdojë të prodhojë më të keqen e mundshme për popullin e saj dhe të kapërcejë fjollë dhe e pandëshkueshme...

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Për me qenë koherent me bisedën që po zhvillojmë së bashku, do të veçoja ashtu pa u menduar shumë si pikturë “Britmën” e Munch-it; si poezi “Me kohë...” e Jorge Luis Borgesin, si kangë “The sound of silent” të Simon and Garryfunkel, kurse si film do të këmbëngulja te filmi “Jeta e të tjerëve”, të Donnersmarckut... një model filmi si duhet me e pa të nesërmes përmes ndëshkimit pa kompromis të së djeshmes sonë...