Kultura

2018-a e Skënderbeut, kryetrimit të shqiptarëve

2018-a e Skënderbeut, kryetrimit të shqiptarëve
04 janar 2018 • 08 : 49
Argjenda Selmani

Edhe 550 vjet pas vdekjes figura e heroit kombëtar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut po e unifikon popullin shqiptar.

Duke qenë se viti 2018 përkon me 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit, kujtojmë se ai vdiq më 17 janar 1468 në Lezhë, vendimi i parë që mori kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me të pranuar mandatin e ri ishte shpallja e vitit 2018 “Vit i Skënderbeut”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Koordinatori i Qeverisë së Kosovës, Jahja Lluka, tregoi për gazetën Zëri se së shpejti ata do t’i paraqesin propozimet e tyre për ngjarjet që mund të organizohen gjatë këtij viti.

“Shteti shqiptar tashmë ka hartuar një agjendë me aktivitetet të cilat priten të mbahen gjatë këtij viti. Do të ketë edhe disa aktivitete në Kosovë sigurisht. Në fillim të janarit do t’i japim edhe propozimet e Qeverisë së Kosovës, të institucioneve e të intelektualëve, që kanë bërë propozime të ndryshme për ngjarje që mund të organizohen gjatë këtij viti”, tha Lluka.

Disa nga propozimet për aktivitete në Kosovë gjatë vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit përshijnë: 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, 19-vjetorin e kthimit nga eksodi më 20 qershor, 85-vjetorin e vdekjes së Hasan Prishtinës në gusht, ditëlindjen e Jusuf Gërvallës në tetor, një ekspozitë me piktura me tematikë Skënderbeun dhe 90-vjetorin e lindjes së akademikut Ali Hadri.

E në bazë të kësaj agjende të hartuar nga shteti shqiptar marrim vesh se ngjarja kryesore do të jetë pikërisht 17 janari 2018, që përkon me 550-vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar Skënderbeut.

Kjo është përshkuar si “ngjarje e madhe kombëtare”, pa u dhënë detaje të tjera. Në kuadër të “Vitit të Skënderbeut” do të shënohet edhe përvjetori i lindjes së shkrimtarit Naim Frashëri më 25 maj, për të vazhduar me 140-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit më 10 qershor.

Më 23 tetor do të shënohet përvjetori i vdekjes së poetit Gjergj Fishta, kurse më 14 nëntor 110-vjetori i Kongresit të Manastirit, ndërsa më 18 nëntor, siç është bërë shprehi viteve të fundit, do të mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive, e Shqipërisë dhe e Kosovës.

Historiani Jahja Drançolli e konsideron me vend shpalljen e 2018-ës “Vit të Skënderbeut”.

“Është e pamundur të bëhet fjalë për rëndësinë e shënimit të 550-vjetorit brenda një rubrike të gazetës tuaj prestigjioze, meqë personaliteti historik i Skënderbeut  është bërë i njohur që në kohën kur ka jetuar, për të vazhduar deri në ditët e sotme pothuajse me intensitet të përafërt jo vetëm te shqiptarët, por edhe në historinë botërore. Tërheq vëmendjen sidomos fakti se për veprën dhe për jetën e tij edhe sot ruhen mijëra dokument zyrtare, vëllime historike e letrare-artistike të shkruara në më shumë se 20 gjuhë. Janë të njohura gjithashtu edhe vepra nga artet figurative, muzika, teatri, filmi, etj.  Të pakta janë figurat mesjetare që kanë gjetur një pasqyrim kaq të gjerë e jetëgjatë në letërsinë botërore, siç ka gjetur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. E gjithë kjo është dëshmuar edhe me rastin e shënimit të 500-vjetorit të vdekjes së heroit në të katër anët e botës, si në Tiranë, Prishtinë, Vatikan, Romë, Palermo, Bruksel, Londër, Paris, Boston, Nju Jork, Buenos Aires, Melburn, Moskë e në ndonjë vend tjetër. Do të dëshmohet shkencëtarisht me të arriturat e reja edhe me rastin e shënimit të 550-vjetorit përgjatë vitit 2018”, deklaron për Zërin ai.

Drançolli thekson se të arriturat e deritanishme historiografike provojnë se Skënderbeu kishte mbrojtur atdheun nga sulmet e ushtrive fanatike, të cilat numëronin madje deri 150.000 - 200.000 ushtarë të udhëhequr nga sunduesit më të njohur osmanë, siç ishte Sulltan Murati II, si dhe biri i tij Sulltan Mehmeti II, pushtues i Kostandinopojës (1453).

“Ishte meritë e Skënderbeut që mori përsipër për ta themeluar Lidhjen e princave arbërorë në Lezhë më 2 mars 1444, ku morën pjesë princërit më të njohur arbër të kohës. Në këtë kuadër duhet përmendur princat e familjes fisnike, Dukagjini, Arianiti, Balshaj, Muzakaj, Topiaj, Spani e ndonjë tjetër. Kuvendi i Lezhës kishte marrë një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat përcaktuan edhe natyrën juridike të këtij organi. Me gjithë diversitetet që vinin si shprehje e interesave të ngushta, kryezotërinjtë pjesëmarrës në Kuvend u shprehën për bashkimin e tyre në luftë jo vetëm kundër pushtimit osman. Krahas politikës së brendshme, rëndësi të madhe Skënderbeu i ka kushtuar edhe politikës së jashtme. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare Skënderbeun do të zëvendësonin një sërë diplomatësh, siç ishte arqipeshkvi Pal Engjëlli, abati Lazar, abati Gjergj Pelini i Novobërdës, etj. Rol kyç në diplomacinë skënderbease kanë luajtur vëllezërit Gazulli (Gjini e Pali), të cilët kishin specializuar për çështje të marrëdhënieve të Skënderbeut me Raguzën, Shtetin e Papës dhe Mbretërinë e Hungarisë, që gjatë viteve 1443-1444, si dhe 1448-1456, Skënderbeu e kishte bërë shok Janosh Huniadin për të luftuar në Fushë Kosovë, si dhe në beteja të tjera”, nënvizon ndër të tjera Drançolli.

Sipas tij, të gjitha këto fakte që u përmendën na shpijnë që të ripërsërisim se Gjergj Kastrioti - Skënderbeu nuk ishte vetëm një hero i shtetit të Arbërit, por Gjergj Kastriotin - Skënderbeun duhet konsideruar edhe hero të Evropës së atëhershme. /ZËRI/

 

© zëri.info