Pjatat artistike të Granitës

Kultura December 31, 2017 - 10:39

Thuhet se gjithçka lind nga dheu e më të është e lidhur ngushtë edhe jeta. Prej dheut edhe njerëzit kanë punuar enët e para për përdorime të nevojshme, e diçka të ngjashme me elemente artistike punon sot artistja nga Gjakova, që jeton në Prishtinë, Granita Grezda -Lila.

Sot kur lundron në internet gjen shumë faqe artistësh që promovojnë punën e tyre të dorës, por nëse na pyesni se përse na bëjnë përshtypje punimet e Granitës, rrëfimin e së cilës vendosëm ta ndajmë me ju, do të thoshim shkurt: simetria, thjeshtësia e pastërtia e punës.

Argjila sot për sot nuk është materiali që përdoret më së shumti. Ajo kërkon durim e mjeshtri. Këto të dyja duket se Granita i ka, teksa durimi mund të jetë dhunti e lindur, ndërsa mjeshtërisë ajo si duket ia ka falur kohën dhe ka arritur ta përvetësojë.

“Punime argjile të krijuara me dorë, të ngjyrosura me zemër dhe me shumë dashuri”, i përshkruan kështu ajo punimet e saj.

Tridhjetegjashtëvjeçarja nga Gjakova tregon për gazetën Zëri se profesionalisht për momentin është e angazhuar vetëm më këto punime artistike. E për artin ajo ka edhe arsim universitar.

LEXO EDHE: Romeo e Zhulieta në shoqërinë kosovare janë çift i gjinisë së njëjtë

“Unë kam diplomuar në Akademinë e Arteve, Dega e Pikturës, por kam punuar punë edhe jashtë profesionit, duke përfshirë këtu marketingun, administratën, financat dhe punën e fundit në Muzeun e Kosovës, në kuadër të projekteve si skicuese e gjetjeve arkeologjike”, tregon Granita.

Ajo thekson se puna artistike e përmbush shpirtërisht dhe kjo ishte arsyeja e parë pse ajo filloi t’i punonte pjatat e saj, që më vonë, me rritjet e kërkesave, kjo iu shndërrua në një lloj biznesi.

“Kur fillova me këtë krijimtari ishte më tepër për ta përmbushur nevojën time për të krijuar, por më pastaj, me të parë se interesimi për ta poseduar njërin nga punimet e mia ishte i madh, atëherë edhe fillova ta zhvilloj edhe si biznes”, kujton artistja, e cila thotë se nuk e ka aspak problem të punojë me argjile.

Kur e pyesim më shumë rreth procesit të punës, Granita Grezda - Lila tregon se në punimet e saj përdor metodën e tharjes natyrale dhe rrjedhimisht i duhen disa ditë që ta përfundojë një punim.

“Procesi i punës fillon me formësimin e pjatës prej argjilës. Kur arrij formën e duhur vjen faza e dytë, ajo e tharjes. Unë përdor metodën e tharjes natyrale, me ajër (air-dry), e cila procedurë merr kohë tri-katër ditë dhe e fundit është faza estetike, ajo e dekorimit të pjatës, pikturimi në të, si dhe lyerja me llak për ta konservuar ngjyrën dhe punimin. Si në çdo punë tjetër, pengesat janë të pashmangshme, por kur një punë e bën me dashuri gjithçka kalohet me lehtësi. Deri më tash nuk kam hasur në ndonjë pengesë specifike ose të jashtëzakonshme, që ia vlen të ceket”, thekson Granita.

Ajo ka zgjedhur që punimet e saj të identifikohen me formën e pjatës, sepse, sipas saj, kjo formë qëndron bukur si dekor qoftë e vendosur mbi një tavolinë, qoftë vertikalisht në një mbajtëse, në ndonjë raft apo edhe në mur.

LEXO EDHE: Nëpër udhën e legjendës së rokut numër 55

Frymëzimi parësor i Granitës është natyra. Kjo reflektohet në elementet që ajo zgjedh t’i pikturojë. Aty gjejmë lulet, diellin, shpendët, ndoshta edhe diçka nga bota e insekteve.

Punimet e saj karakterizohen nga detajet e imta dhe përsëritja. Nuk heziton që punimeve të saj t’u shtojë edhe shkrime të ndryshme, thënie a porosi. Këto të fundit bëhen sipas kërkesave të klientëve, të cilët i kontaktojnë përmes rrjeteve sociale e për këto të fundit edhe vetë artistja konsideron që kanë ndikim të madh në promovimin e punës së saj.

“Mua më frymëzojnë format organike dhe gjeometrike. Frymëzimin e gjej në natyrë, në ambient, jo domosdoshmërisht vetëm natyra, por edhe objektet e krijuara nga njeriu. Në punimet e mia mund ta vëreni një harmoni të përsëritur të formave, e cila është e këndshme për syrin”, thotë ajo.

Të gjithë të interesuarit mund t’i kërkojnë punimet e saj me emrin “Dhe by Granita”, apo thënë në shqip “Dhe nga Granita”.

“Pse dhé? Sepse dheu përbën jetë, dheu si materie organike i elementëve kryesorë për jetë është edhe baza e enëve të para, përkatësisht i pjatave që i krijoi njeriu. Këto njëkohësisht janë edhe burim i inspirimit tim, natyra me të gjitha elementet e saj”, tregon thjesht ajo.

Sipas Granitës, kohët e fundit artizanalet kanë filluar të çmohen edhe më shumë dhe ajo inkurajon të gjithë ata që kanë dëshirë dhe prirje të merren ose të krijojnë art të mos hezitojnë, të paktën ta provojnë se sa munden të arrijnë. Të merresh me art nuk është vonë kurrë. Është qetësi e shpirtit”, përfundon ajo. /ZËRI/

Image