Romeo e Zhulieta në shoqërinë kosovare janë çift i gjinisë së njëjtë

Kultura December 29, 2017 - 14:53

Ajo që pa dyshim është një nga filmbërëset më të dalluara në vend - Blerta Zeqiri, aktualisht po shijon sukseset e para të filmit të saj më të ri “Martesa”.

Filmi i metrazhit të gjatë i Zeqirit, për të cilin është punuar pesë vjet, ka në qendër një histori dashurie.

E veçanta e gjithë kësaj është se filmi rrëfen historinë e një çifti që i takon komunitetit LGBT.

Në këtë intervistë, për numrin festiv të “Zërit”, regjisorja Zeqiri shprehet se “Romeo e Zhulieta” në ditët e sotme, në shoqërinë kosovare, janë pikërisht çift i gjinisë së njëjtë, që dashurojnë njëri-tjetrin.

E ndonëse e kanë titulluar “Martesa”, në këtë film regjisorja Zeqiri, producenti Kreshnik Berisha dhe gjithë ekipi, kanë mëtuar të flasin thjesht për dashurinë, e cila nuk duhet ndaluar në asnjë mënyrë, as në emër të disa normave të sajuara shoqërore.

Që nga triumfi i filmit “Kthimi” emri juaj lakohet gjithmonë kur flitet për regjisorët e suksesshëm në Kosovë. Tashmë keni filluar t’i shijoni sukseset e para të filmit tuaj të metrazhit të gjatë “Martesa”, pas prezantimit dhe çmimeve të marra në Estoni, si ju bën të ndiheni kjo dhe çka prisni tutje nga ky film?

-Jam jashtëzakonisht e lumtur, sepse në këtë projekt jemi duke punuar ka një kohë shumë të gjatë. Një pjesë e ekipit ka qenë e përfshirë në këtë projekt që nga viti 2012. Fakti që premiera botërore u dha në një festival të kategorisë “A” dhe përveç kësaj filmi triumfoi duke marrë dy çmime shumë të rëndësishme, Çmimin e Kritikës (Fipresci) dhe Çmimin Special të Jurisë për Kastën e Aktorëve, më bën të ndihem e përmbushur. Puna që kemi bërë me kaq përkushtim u shpërblye për të gjithë. Tash me gjasë filmi do ta fillojë rrugëtimin e tij nëpër festivale dhe ne duhet të vazhdojmë ta prezantojmë atë sa herë që të jetë e mundur.

Filmi “Martesa” flet për një trekëndësh dashurie në kohën kur një çift është në prag të martesës, por ky trekëndësh përfshin një histori që lidhet me komunitetin LGBT, pse vendosët të sillni një perspektivë të tillë?

-Besoj se dashuria është ndjenja më e bukur dhe më e fuqishme që kanë qeniet njerëzore. Kur dashurojmë bota na duket më e bukur; kur dashurojmë, bëhemi njerëz më të mirë. Besoj fuqishëm se dashuria nuk duhet ndaluar në asnjë mënyrë, sidomos jo në emër të disa normave të sajuara shoqërore. Unë kam dashur të rrëfej një histori dashurie të pamundur në ditët e sotme në Kosovë. Kam pyetur veten se kush janë Romeo e Zhulieta në shoqërinë tonë dhe për mua ka qenë më se e qartë që sot fatkeqësisht ata janë dashuritë në mes gjinisë së njëjtë.

Në kastën e këtij filmi janë Adriana Matoshi e Alban Ukaj, dy aktorë të dalluar të brezit të tyre, por në anën tjetër edhe muzikanti Genc Salihu, si ishte të punosh me këta tre artistë?

-Me Adriana Matoshin kam punuar edhe në projekte tjera të kaluara dhe ajo ka arritur gjithmonë të më mahnit me natyrshmërinë e saj. Alban Ukaj është aktor jashtëzakonisht i mirë, i dëshmuar, gjithmonë i guximshëm dhe i gatshëm për sfida të reja, punën e të cilit e kam përcjellë gjithmonë me admirim. Genc Salihun, në anën tjetër, e kam përcjellë vazhdimisht në paraqitjet e tij skenike dhe kam vërejtur se përveç aftësive si këngëtar dhe performues ai mund edhe të aktrojë. Jam shumë e lumtur që ka pranuar të bëhet pjesë e projektit dhe mendoj se kam pasur fat që të tre aktorët kryesorë janë në radhë të parë artistë shumë të guximshëm dhe të pasionuar për punë.

Në kritikën për filmin, të publikuar në “Cineuropa”, “Martesa” u cilësua si një nga debutimet më mbresëlënëse evropiane të vitit, çfarë kritikash apo komentesh të tjera keni marrë, të cilat ju kanë mbetur mendje?

-Kritikat e shkruara në medie më kanë gëzuar shumë, por mbi të gjitha më kanë gëzuar komentet e shikuesve. Në dy shfaqjet që i kemi pasur në Tallin, komenti që është përsëritur ka qenë se te ky film kanë parë një dramë dashurie dhe se nuk e shohin si film me dramë dashurie të zhanrit LGBT. Kjo më gëzon sepse edhe qëllimi im ka qenë që të pasqyroj një dashuri njerëzore, dashuri çfarë e kemi përjetuar të gjithë nga një apo më shumë herë në jetë dhe me të cilën mund të identifikohemi.

Komenti më i mirë ka qenë nga një shikuese, e cila me sy të përlotur më është afruar pas shfaqjes dhe më tha se ajo ishte hidhëruar me babanë, sepse kishte lënë atë, motrën dhe nënën e saj për të bërë jetën e tij me një burrë. Tha, asnjëherë nuk ia kam falur, as nuk e kam kuptuar babanë tim. Sot filmi më bëri ta kuptoj vendimin e tij. Fakti se filmi ka arritur të prekë thellë një shpirt dhe ta bëjë atë të shohë edhe një perspektivë tjetër, mua më lumturon pa masë.

Që nga 1 shkurti filmi do të shfaqet edhe në kinemanë “Cineplexx”, në Prishtinë, sa jeni kureshtare për mënyrën sesi publiku do ta presë?

Shfaqjen e filmit në Kosovë e pres me padurim, sepse publiku i parë, të cilit i është dedikuar ky film që nga fillimi, ka qenë publiku ynë. Shpresoj që tema të mos jetë barrierë për shikuesit, por të vijnë ta shohin një film, i cili flet për dashurinë dhe për shoqërinë tonë. Edhe pse disa kufij të kinematografisë sonë tejkalohen, filmi nuk përmban asgjë ndryshe prej filmave/serive tjera që bëhen në botë. Besoj se shikuesi ynë duhet të mësohet t’i shohë filmat shqiptarë me të njëjtin sy siç i sheh ata të botës dhe të mos ketë standarde të dyfishta. Nuk e kuptoj pse nuk kemi frikë dhe nuk i përflasim skenat e dhunimeve në filmat tanë, që janë të shumtë, por i frikësohemi paraqitjes së dashurisë! Duhet të kuptojmë filmin si një art, i cili tenton të paraqesë një realitet shoqëror e në realitetin tonë shoqëror, si në çdo realitet tjetër, kur flitet për natyrën njerëzore, ekzistojnë të gjitha komponentët e jetës dhe ato patjetër se do të paraqiten në filma.

Pas “Martesës” në çfarë projekti do ta derdhë gjithë pasionin e saj për regjinë Blerta Zeqiri?

-Derisa jam duke menduar për projektin e ardhshëm të filmit, jam duke punuar në një serial të ri komik, i cili ka për personazh një grua shumë të fuqishme nga e kaluara e historisë sonë. Është projekt i cili po më frymëzon pa masë dhe me padurim po pres momentin kur do të mund të flas më shumë për të.

Cila është sfida më e madhe e të qenit filmbërës në Kosovë?

-Të gjithë personat që punojnë në art përballen me sfidën e njëjtë. Nëse dëshiron të merresh ekskluzivisht me artin tënd dhe ta shndërrosh atë në profesion e ke të vështirë mbijetesën, sepse arti nuk paguhet te ne. Për ta bërë artin që dëshiron duhet të kesh biznese tjera ose të ardhura tjera dhe në kohë të lirë t’i bësh projektet tua artistike që të përmbushin.