Cineplexx me rreth 375.000 vizitorë gjatë vitit

Kultura December 28, 2017 - 08:44

Ardhja e rrjetit të kinemave Cineplexx në Kosovë, ka mundësuar që filmdashësit të kenë një ambient me teknologjinë e fundit, ku mund t’i shohin filmat e tyre të preferuar.

Kjo kinema, e vendosur në një nga lagjet periferike të Prishtinës, që u hap në fund të vitit 2016, ka tërhequr gjatë vitit të cilin po e lëmë pas një numër tejet të madh të vizitorëve.

Dëfrim Puka, menaxher i marketingut dhe komunikimit në Cineplexx, tregon për gazetën Zëri se deri në javën e fundit të dhjetorit sallat e kinemasë Cineplexx janë vizituar nga mbi 367.000 shikues, ndërsa presin që ditët e fundit ky numër edhe të rritet.

Gjithë këto vizita janë bërë për qindra premiera që ata kanë dhënë këtë vit.

“Gjatë vitit 2017 janë dhënë gjithsej 187 premiera të filmave. Deri më tani kemi pasur mbi 367.000 shikues, ndërsa deri në fund të vitit po presim t’i arrijmë 375.000”, thekson Puka.

Ndër gjithë filmat që janë dhënë premierë gjatë vitit, shikuesit kosovarë kanë qenë më së shumti të interesuar për premierën “The Fate Of The Furious”.

“Filmi me i shikuar i vitit është ‘The Fate Of The Furious’ me 27.646 bileta të shitura, që njëherësh është edhe rekord ne gjithë kinematë e Ballkanit”, tregon Puka.

Filmi “The Fate Of The Furious” ndryshe njihet edhe si “Fast and Furious 8” apo “Fast 8”. Filmi është realizuar nga regjisori F. Gary Gray dhe shkruar nga Chris Morgan.

“The Fate Of The Furious” është pjesa e tetë e serisë së filmave “Fast and Furious”. Vin Diesel, Dwayne Johnson, Jason Statham, Michelle Rodriguez, Tyrese Gibson, Chris "Ludacris" Bridges, Scott Eastëood, Nathalie Emmanuel, Elsa Pataky, Kurt Russell dhe Charlize Theron janë aktorët që paraqitën me rolet e tyre në këtë film.

Prej rreth 200 premierash që janë dhënë në Cineplexx gjatë vitit, vetëm dy prej tyre kanë qenë filma shqiptar. Bëhet fjalë për filmin “T’padashtun” të regjisorit Edon Rizvanolli  edhe “Bloodlands”, i pari film horror shqiptar.  

“T'padashtun” shtjellon dramën rrëqethëse të një familjeje refugjate nga Kosova, e cila jeton në Holandë dhe ballafaqohet me një dashuri e cila zgjon shumë plagë të së kaluarës së afërt nga lufta në Kosovë. Ky film është edhe propozimi i Kosovës për në “Oscars” sivjet nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Ndërsa siç tashmë është bërë e ditur, në shkurt të vitit të ardhshëm, për shikuesit në Cineplexx do të shfaqet edhe filmi “Martesa” i Blerta Zeqirit. Film kosovar ky, i cili sapo ka filluar rrugëtimin e suksesshëm nëpër festivale.

Për  kinemanë Cineplexx është e rëndësishme që t’i plotësojnë kërkesat e publikut kosovar dhe t’i japin atij qasje në premierat botërore në kohë reale.

“Për menaxhmentin e Cineplexx ka qenë shumë e rëndësishme që të ofrojmë për qytetarët e Kosovës një kinema që i përmbush të gjitha kërkesat e tyre dhe t’i bëjmë ata të ndihen të njëjtë me banorët e shteteve të huaja, duke i sjellë premierat e fundit në kohën e njëjtë, e shpeshherë edhe më herët se në tregun amerikan e evropian. Gjithashtu, për menaxhmentin ka qenë e veçantë organizimi i eventeve të ndryshme për premierat botërore, ku klientët tanë kanë ardhur në numër të madh, duke thyer shpeshherë rekorde të premierave në gjithë Ballkanin”, thotë Puka.

Tutje ai thekson se gjatë vitit në të cilin po hyjmë ata do të përpiqen të sjellin disa risi dhe lehtësime për vizitorët.

“Gjatë vitit të ardhshëm do të ketë disa risi nga Cineplexx. Ne jemi duke punuar në zhvillimin e një programi të ri të lojalitetit dhe jemi duke planifikuar që në vitin 2018 t’i lansojmë kartelat Cineplexx Bonus Card, me të cilat klientët tanë përveç se do të përfitojnë zbritje e dhurata të ndryshme, ata do të kenë mundësinë edhe t’i blejnë biletat përmes internetit. Gjithashtu, përgjatë vitit do të kemi oferta të ndryshme për blerjen e biletave, të cilat po planifikojmë t’i realizojmë me partnerët tanë. Mbi të gjitha, viti i ardhshëm do të jetë përplot me premiera botërore, që pritet të thyejnë rekorde gjithandej”, përfundon ai.

Rikujtojmë se Cineplexx në Kosovë ka gjashtë salla për shfaqjen e filmave ndërsa në total kapaciteti i ulëseve është rreth 800. /ZËRI/