Mino shpalos një të vërtetë tronditëse të jetës së Skiroit

Kultura December 25, 2017 - 08:57

Serafina Lajçi

Poemën Mino, Skiroi e shkroi në vitet e fundit të jetës, atëherë kur dhimbja për humbjen e të birit u përjetësua në vargje të trishta.

Kjo poemë, duke qenë shprehëse e pikëllimit të thellë që një baba ndien për vrasjen e të birit, është një këngë e përvajshme e gërshetuar me shqetësim dhe me pezm të ndieshëm për aktin e ndyrë e barbar (Mandala2001: 63).

Kur John Stuart Mill, thoshte se e vërteta e poezisë është që të pikturojë prej së vërteti shpirtin njerëzor dhe se e vërteta e fiksionit është që të japë një pikturë të vërtetë të jetës (Mill 1999: 1214),duket sikur fliste pikërisht për tipin e poetit të cilit i takon Skiroi.

Duke e poetizuar jo vetëm dramën e tij jetësore, por edhe atë kombëtare, Skiroi hyn në kategorinë e poetëve që realitetin e hidhur, personal e kombëtar, e kanë muzë përjetimi. Poezia e Skiroit është reflektim i preokupimeve e shqetësimeve të mëdha dhe si e tillë ajo e konkretizon estetikisht përballjen e tij me realitetin. Në këtë mënyrë, poemat e Skiroit janë shprehëse të rrethanave e situatave të caktuara, pjesë e të cilave është poeti.

Duke qenë se poema Mino shpalos një të vërtetë tronditëse të jetës së Skiroit, si e tillë ajo është gërshetim i faktit me fiksionin, si dy komponentë të rëndësishëm që e shquajnë përbërjen e saj.

Pra, fakti si e dhënë konkrete, reale e jetës së poetit dhe fiksioni, si shkrirje artistike e saj në poemë. Sipas Mark Sharlow-it, poezia me fuqinë e saj të njohur për të evokuar përvoja dhe situata, lejon që të shfaqë fakte subjektive për një gjë apo situatë (Sharlow 2010: 2). Sharlow vazhdon më tej duke shtruar pyetjen se nëse këto fakte subjektive janë pjesë e botës reale apo janë thjesht pjesë të strukturuara e të sajuara në mendjen e poetit. Sipas tij, përgjigjja e kësaj pyetje nuk është e dukshme, por është e thjeshtë: po, faktet subjektive i përkasin realitetit (5).Në këtë rast, poema Mino është e modeluar në bazë të faktit subjektiv, i cili e ngërthen poemën që nga fillimi. Edhe emërtimi i saj, pra shenjat e paratekstit e shënjojnë elementin subjektiv si fakt (Mino).

Roman Jakobson, si njëri ndër semiologët më me ndikim, do të postulojë se ligjërimi metaforik dhe metonimik, përmban dy realitete të ndryshme të gjuhës. Meqë rendi i sistemit është ligjëratë metaforike dhe rendi i sintagmës, ligjëratë metonimike, njëjtë sikurse fakti dhe fiksioni, pjesë e Mino-s janë të dy ligjërimet.

Ligjërimi metaforik që ngërthen pjesën ku poema shfaq dukshëm metaforën, për t’i dhënë një ngjyrim stilistik realitetit, dhe ai metonimik, pjesën ku pozicionohet rrëfimi i poetit. Kështu, paralelisht, poema strukturën e saj e ndërton në bazë të binomeve, fakt/fiksion, (fact/fiction) metaforë-metonimi. Duke ndërtuar një rrëfim të tillë poetik, Skiroi i shpreh më plotnisht ndjesitë e tij, ndërkaq realiteti shfaqet në mënyrë më të ndërliqshme, kurse në vend të përshkrimit të ndodhisë, ashtu siç e parathotë fakti, zgjidhen ndjenjat si përjetim artistik, ku subjektivja formohet në forma e nivele të ndryshme nga objektivja, nga ku gjuha kalon në një shkallë tjetër, duke e bërë pjesë të saj ligjërimin metaforik:

Në këtë rast, realiteti jetësor është shfaqur në një realitet figurativ, ku gjarpri është vrasësi/e liga, zogu (sinonim i Minos) dhe shqiponja/Skiroi. Nëpërmjet rrëfimit të menduar dhe të shtjelluar me mjeshtëri ai (Skiroi) i shqipton, i trajton dhe i shpreh dukuritë, idetë, shqetësimet, dramat dhe tragjiken duke i ballafaquar, përafruar e kundërvënë, qoftë në gjallimin e përditshëm, në rrafshin sinkronik, qoftë në atë diakronik(Mandala: 19).

Këtu edhe nuancohet ligjërimi metonimik. Ky rrëfim i poetit, megjithëse shfaq natyren e tij shqetësuese, brengën, dhimbjen në përmasa të mëdha dhe humbjen si marrëse të lumturisë, në pjesën e parë të poemës,veçanërisht tek tetë strofat e para është më i drejtpërdrejtë dhe më informues.

Poema Mino është e strukturuar përmes disa niveleve të komunikimit, si komunikim i brendshëm,ku poeti i qaset vetvetes, si komunikim retrospektiv, poeti me Minon, si komunikim imagjinar, Mino me poetin dhe si komunikim ironik, poeti me Pjanen dhe tradhtarët. Secili prej këtyre komunikimeve, përcakton praninë dhe sasinë e faktit dhe fiksionit në poemë.

Duke i parë me kujdes këto lloje komunikimesh, do të bie patjetër në sy se Skiroi veprën e vet poetike, edhe atëherë kur ajo është shprehëse e ndjenjave të forta emocionale, e strukturon me kujdesin më të madh, për të përçuar tek lexuesi jo vetëm gjendjen, mesazhin apo idenë që ai do ta shpërfaqë, por edhe mundësinë që vepra e tij të jetë pjesë e një komunikimi e përjetimi të veçantë estetik. Kjo edhe e bën të veçantë strukturën poetike të Skiroit.

Poemën Mino, Skiroi e nis në thirrje për këngën e lavdit, element ky tipik i strukturës romantike, ku kënga lidhet me anën shpirtërore e si e tillë ajo ngërthen jetën, qëndresën e sublimen. Pra, që në fillim Skiroi, e paralajmëron lexuesin se Mino megjithëse është poemë e dhimbjes është edhe poemë lavdi për të birin e vrarë.

Kur, Skiroi i drejtohet Minos, ligjërimi i tij është i prejshëm, duke krijuar herë- herë një komunikim imagjinar, si shtresim simbolik i dhimbjes. Pjesët e tilla në poemë e të cilat e përforcojnë fiksionin, krijojnë një atmosferë të veçantë, duke përçuar tek lexuesi një koncept e imazh konkret. Pjesa kur flet Mino, ndonëse pjesë fiksionale, megjithatë shkakton një përjetim emocional:

Pjesët e tilla në poemë, përveç qëllimit estetik, shpalosin karakterin e qëndrimin plot finesë të Minos. Në këtë mënyrë, lidhja e faktit më fiksionin, krijon një lidhje të natyrshme, duke e përforcuar qëllimin e Skiroit, si dhe duke e argumentuar pohimin se poezia mund ta flasë të vërtetën, por ‘një të vërtetë të ndryshme nga të vërtetat e intelektit (Sharlow: 7).

Sikurse heroi antik që e pëson si shkak i trinomit, fat, faj dhe fund tragjik, edhe Minon e karakterizon një situatë e tillë tragjike. Fati i tij tragjik shënjon faktin se ai është lindur e formuar në një mjedis ku kundërshtarët e së drejtës nuk janë të paktë, faji i tij tragjik është ideali e dashuria ndaj atdheut dhe fundi i tij tragjik ndodh pikërisht nga ky përkushtim e ideal i tij.

Duke i prekur këto tri segmente, Skiroi arrin të krijojë një imazh të plotë të Minos, i cili i rritur në këso rrethanash nuk ka sesi t’i shpëtojë fundit të tij tragjik. Duke qenë tip i poetit që vuajtjen e kthen në art, Skiroi do të ndërtojë një urë lidhëse mes Minos dhe lexuesit, duke i shpërfaqur këtij të fundit një katarse sa shpirtërore, aq dhe artistike.

Por, përderisa heroi antik është veprues aktiv, Mino është i distancuar, ai jetësohet nga rrëfimi i poetit, duke u shndërruar në protagonistin për të cilin thuret rrëfimi, por i cili mungon si prani vepruese.