“Portreti i pakryer” së shpejti në “Dodonë”

Kultura December 16, 2017 - 12:00

Po finalizohen të gjitha përgatitjet që së shpejti në skenën e Teatrit “Dodona” të vihet monodrama “Portreti i pakryer”, tekst i autorit Besim Rexhaj e me regji të Elmaze Nurës. Për këtë monodramë, në skenën e sapo rinovuar të “Dodonës” do të ngjitet aktorja Aurita Agushi.

Në konferencën për media, të mbajtur të premten, ekipi i shfaqjes “Portreti i pakryer”, njoftoi se ky projekt po realizohet në bashkëpunim mes Besim Rexhajt, si autor e producent, dhe “Dodonës”. Shfaqja do të prezantohet para publikut më 20 dhjetor.

Autori Besim Rexhaj bëri të ditur se ky tekst është pjesa e parë e një trilogjie, dy pjesët e tjera të së cilës janë inskenuar tashmë. Bëhet fjalë për shfaqjet “Vorbulla” dhe “Lojë e pafund”, të cilat publiku tashmë ka pasur rastin t’i shoh.

“Ideja e realizimit të këtij projekti teatror nuk është e vonshme. Ka kohë që kisha një vizion për realizimin e këtij projekti dhe përcaktimet tona ishin që këtë projekt ta realizojmë në këtë formacion të bashkëpunimit”, theksoi autori Rexhaj.

Në anën tjetër, regjisorja Elmaze Nura tha se duke qenë e informuar prej fillimit me frymëzimin e autorit, ndihet shumë e kënaqur se ky projekt po finalizohet. Për aktoren Aurita Agushi kjo është monodrama e parë. Ajo e sheh si sfidë këtë shfaqje, por njëkohësisht u shpreh se fakti që po punon me regjisoren Elmaze Nura po i jep asaj shumë siguri.

Muzikën e kësaj shfaqjeje e ka realizuar kompozitori Memli Kelmendi, kurse kostumet kostumografja Samka Ferri. Në anën tjetër, për skenografinë është përkujdesur Majlinda Kelmendi, kurse për koreografinë Agnes Nokshiqi. Mjeshtër skene dhe i ndriçimit në këtë shfaqje është Skendër Latifi.