Secili çmendet simbas mënyrës së vet

Kultura December 15, 2017 - 08:51

Shkrimtari shkodran, Stefan Çapaliku, erdhi në Prishtinë për të promovuar romanin e tij me dy vëllime, të titulluar “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”.

Të enjten në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” ai u takua me dashamirët e fjalës së tij të shkruara, e ata që ishin të thirrur të flisnin për veprën e tij e konsideruan romanin “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” një minirrëfim për kohën e metarrëfimit komunist.

Para të pranishmeve në këtë promovim studiuesi i letërsisë, Ndue Ukaj tha se romani “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”, është një libër prekës, që flet për kujtesën komuniste, një roman me nota autobiografike, i shkruar me shkathtësi dhe stil rrëmbyes, që lexuesit të kultivuar i jep kënaqësi të dyfishtë: estetike dhe intelektuale.

“Lexuesi ka përpara një roman fantastik për çmendinën, ku ngjarjet zhvillohen në një vend konkret, që është Shqipëria, në një periudhë të njohur historike, që është diktatura komuniste, nga viti 1967, kur Shqipëria qe shpallë shtet ateist, deri më 1985, kur vdiq diktatori, në një qytet specifik e shumëdimensional, që është Shkodra, në disa rrugë të njohura, që janë lagjja Gjuhadol, Kafja e Madhe, Kisha e Madhe, Kompanjeli i Kishës Françeskane, dhe ku bëjnë jetë shumë figura të njohura, që janë: Zef Mark Harapi, Frederik Rreshpja, Zef Zobra, Kolë Ashta, At Pjetër Meshkalla, Gjon Shllaku, Pjetër Gjini, familja Çapaliku, etj. Pra, si rrjedhojë e kësaj logjike, autori ka zgjedhë që, për heronj të romanit të tij të mos ketë personazhe imagjinare, por personazhe reale, shumica prej të cilëve, emra me nam të kulturës shqiptare. Karakteret e tij, në roman, nuk janë heronj dhe nuk përfaqësojnë tipare të tilla, por figura të degdisura në mjerim. Ky përcaktim autorial, si stratagjemë shkrimore, është shtrirë me mjeshtri artistike, pa kurrfarë teprie, për të përshkruar kujtesën dhe makthin e diktaturës. Nga kjo perspektivë, për mua, ky roman, hap një shteg të ri për prozën bashkëkohore shqiptare, sidomos për atë që evokon temat dhe kujtimet e makthshme të komunizmit. Peizazhet e Shkodrës, rrugët, njerëzit e saj, tradita dhe e kaluara, heronjtë e kulturës dhe artit, humori, përplasja ndërmjet lavdisë dhe marrëzisë, ndërmjet bukurive natyrore dhe shëmtisë arkitektonike, e influencojnë romanin, dhe janë tharmi kulturor i tekstit letrar. Romani ka tension të vazhdueshëm, rrëfim dinamik, dhe kjo e mban lexuesin kureshtar përgjatë gjithë shtjellimit të ngjarjes. Autori, realizon përshkrime mjeshtërore për ambientin shkodran, shtëpitë, dhe veçmas shtëpinë qendrore që shndërrohet në oazë- min kinema e mini teatër- ku zhvillohet drama e narratorit, një dramë psikologjike, që të kujton letërsinë e përroit të ndërgjegjes, veçmas romanin “Portreti i artistit në rini”, të James Joyce”, theksoj Ukaj.

Në anën tjetër, në kumtesën e tij për këtë roman, studiuesi i letërsisë dhe profesori universitar, Ag Apolloni, theksoi se tema e romanit “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” shtrihet në kohë (përfshin tri dekada diktaturë) dhe në hapësirë (qyteti i Shkodrës).

“Pra, romani fillon me kohën kur në Shqipëri u ndalua feja dhe mbaron me vdekjen e diktatorit. Krejt kjo periudhë shihet me sytë e një fëmije që vjen duke u rritur e burrëruar bashkë me zhvillimin e rrëfimit. Ky personazh-narrator që i përket një lagjeje katolike të Shkodrës, nuk i tejkalon kompetencat e rrëfimit. Historitë e tij janë histori të shtëpisë, të lagjes, të qytetit. Gjithçka tjetër vjen nëpërmjet televizorit, ose nëpërmjet thashethemeve. Dhe kur televizorit i ndalen valët nga zhurmuesit e partisë, personazhi nuk mund të shohë as televizionin jugosllav, as atë italian, por vetëm atë shqiptar, rrjedhimisht bota e tij ngushtohet. Ky pengim i valëve, siç thotë autori, e kthen televizorin nga dritare ku shihnin botën, në pasqyrë ku shihnin veten.

Romani, edhe pse ndjek një kronologji, nuk ka një linjë rrëfimi. Ai e shpërfill kompozicionin tradicional për t’i lënë hapësirë eksperimentit dhe për t’u ndërtuar si një album narrativ me imazhe të ndryshme nga jeta e një kohe dhe e një qyteti. Fotografitë diegjetike ndërrohen, duke u kthyer në motive dinamike që e zhvillojnë temën e romanit, e lëvizin rrëfimin nëpër kohë. Kjo provohet me ndarjen e madhe të romanit në tri pjesë: Para, Gjatë dhe Mbas. Kjo ndarje ka për bazë televizorin si religjion të ri. Siç thuhet para Krishtit e pas Krishtit, mund të thuhet para Televizorit dhe pas Televizorit. Shkodra me rreth njëqind mijë banorë kishte vetëm pesë televizorë. Pra, një televizor për njëzet mijë veta. Kështu, televizori kthehet në qendër të rrëfimit. Ai imponon sjelljet e njerëzve, diskutimet e tyre, ai ndryshon jetën e familjes, të lagjes dhe të qytetit. Ashtu siç konstaton Bodriari me teorinë e simulacionit, jeta ndikohet thellësisht nga televizioni, i cili ka forcën e transformimit të shoqërisë. Njerëzit mblidhen te shtëpia që ka televizor dhe shikojnë emisione të ndryshme informative, sportive, apo argëtuese. Kështu, fillimisht shfaqet nevoja e përkthimit, pastaj organizohen kurse gjuhe në mënyrë që shikuesit të aftësohen për t’i kuptuar vetë filmat. Lidhja e njerëzve me televizorin bëhet lidhje emocionale, prandaj ai nuk fiket për gjashtë vjet rresht, derisa vdes një anëtar i familjes. Ironia e kësaj lidhje nxjerr krye disa herë në roman, si në rastin kur të gjithë katolikët e lagjes i gëzohen humbjes së Muhamed Alisë në një ndeshje boksi, pasi ky ishte konvertuar në mysliman, apo si në rastin kur shoku Hysen zbritjen e njeriut në Hënë e sheh si miratim të ateizmit të tij: Ata shkuen atje në Hanë dhe ku ishte Zoti? Ku ishte Zoti po ju pyes. Më thoni. Zoti kërkund. Nuk e gjetën”, tha ndër të tjera Apolloni.

Shkrimtari Stefan Çapaliku u lind në Shkodër, në vitin 1965. Ai ka diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, në vitin 1988, kurse më 1995 përfundoi doktoraturën.

Ky shkrimtar është nderuar me disa çmime kombëtare e ndërkombëtare. Disa nga veprat e tij gjendën edhe në disa gjuhë evropiane. Kohët e fundit kontributet e Stefan Çapalikut janë shtrirë edhe në regjinë skenike dhe filmike. /ZËRI/