U promovua '15 parimet e suksesit sipas Behgjet Pacollit'

Kultura December 14, 2017 - 15:25

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka promovua librin e tij të dytë “15 parimet e suksesit sipas Behgjet Pacollit”.

Të enjtën gjatë promovimit në Universitetin “AAB” Pacolli tha se ky libër nuk garanton sukses, për ju mëson diçka të re secilën herë që vendosni ta shfletoni, shkruan zeri.info.

“Janë 15 parimet e suksesit. Mos mendoni se ju e lexuat atë libër dhe arritët sukses menjëherë. Jo, nuk garanton ky libër, sepse do të ishte një bestseller. Por atë lexojeni shumë herë. Çdo herë që e lexoni do të zbuloni diçka, por jo në libër. Do të zbuloni nga veprimet tuaja, sepse ju do të filloni të jetoni me atë realitet. Ju filloni të përgatiteni fizikisht, shpirtërisht dhe emocionalisht për sfidat tuaja... Merreni këtë libër, lexojeni”, u shpreh Pacolli.

Pacolli foli edhe për sfidat që njeriu has përgjatë rrugës, e për këtë rrëfeu se si vet ka hasur në shumë zhurmë me rastin e paraqitjes së tij për herë të parë publike si politikan në Kosovë.

E për këtë, ai tha se përkundër zhurmës, askush nuk mundi ta ndalojë, pasi që me punë ka dëshmuar se gjithë ato reagime kanë qenë asgjë më shumë sesa të pavërteta.

“Më tepër bënë zhurmë një lis që rrëzohet sesa një kodër që ndërtohet. Kjo është gjithë ajo zhurmë që u bë me ardhjen time në skenën politike të Kosovës. Ardhja ime në skenën politike në Kosovë nuk kishte për qëllim përfitime politike. Ajo u pa me vite. Ashtu siç ishin të gjithë të zhurmshëm të gjithë në vitin 2006-2007. Ishin të zhurmshëm edhe në titujt e gazetave se ka ardhë një agjent nga Rusia, një serbofil dhe donë të marrë nga Kosova atë ... siç u pa edhe kjo nuk u vërtetua. Ishte sikur ajo zhurma e lisit që u rrëzua”, tha ai.

Në anën tjetër, dekani i Universitetit “AAB”, Lulzim Tafa tha Pacolli është njëri që nuk mbeti duke ëndërruar por punoi për ëndërrat e tij.

“Disa njerëz ëndërrojnë për suksesin, ndërsa tjerët zgjohen e punojnë. I tillë mendoj se është Pacolli. Natyrisht se Pacolli nuk e kishte rrugën e lehtë, e ka thënë edhe vet ai, por shumë kohë më parë e ka thënë edhe Dante Aligieri, i cili thoshte se nuk ka rrugë të lavdishme të shtruara me lule. Rrugët e suksesit janë gjithmonë të vështira. Për punën e tij, Pacolli ka marrë shumë mirënjohje, lëvdata dhe kritika të padrejta nga armata dembelësh”, tha Tafa.

 

Behgjet Pacolli është autor edhe i librit “Nga Sfida në Sfidë” i cili ishte botuar vite më parë dhe mund të lexohet falas në internet. Zëri