“Emerge”, ekspozita që bashkoi 12 artistë

Kultura December 14, 2017 - 08:42

Të martën mbrëma, Brilant Milazimi, Ermir Zhinipotoku, Blertë Hashani, Valdrin Thaçi, Arbnor Karaliti, Petrit Maliqi, Arben Elshani, Dardan Murseli, Alban Januzi, Naim Geci, Pajtim Osmanaj e Yll Krasniqi janë dymbëdhjetë artistët që kanë bashkuar frymëzimet e tyre dhe kanë hapur një ekspozitë kolektive në Fakultetin e Arteve.

Të gjithë këta janë studentë të këtij fakulteti, përveç artistit të ardhur nga New Yorku, Pajtim Osmanaj, i cili iu bashkua këtij grupi dhe Yll Krasniqit, që në këtë ekspozitë prezantohet me performancë muzikore, shkruan "Zëri".

Në hapësirat e Fakultetit të Arteve, në kuadër të ekspozitës “Emerge” vizitorët që erdhën në hapje patën mundësi të shohin mediume të ndryshme të artit, përfshirë këtu pikturë, skulpturë, video-instalacion e fotografi e muzikë.

Në këtë ekspozitë secili artist ka sjellë frymën e tij, duke iu përshtatur një koncepti të përgjithshëm. Kështu  në këtë ekspozitë publiku ka rastin të shoh disa teknika të ndryshme arti, të kombinuara.

Ideatori i kësaj ekspozite, që njëkohësisht është edhe student i Fakultetit të Arteve, Valdrin Thaçi, tregoi për Zërinse qëllimi i tij edhe Brilant Milazimit, si ideator, ka qenë që me ekspozitën “Emerge” të sjellin diçka më ndryshe se ekspozitat e zakonshme. 

Dëshira e tyre ishte që t’i prezantojnë veprat në një ambient tjetër publik që mund të vihet në funksion të artit, e që jo domosdoshmërish duhet të jetë një galeri e zakonshme.

LEXO EDHE: Ndahen çmimet e PEN Albani

Këtë e arritën duke aktivizuar një hapësirë në Fakultetin e Arteve, e cila aktualisht po i nënshtrohet një renovimi. Duke iu përshtatur edhe lokacionit, punimet e përzgjedhura për ekspozim janë kryesisht miniatura. I pyetur për emrin e veçantë të ekspozitës, “Emerge”, Thaçi shpjegoi se ky emër përputhet krejtësisht me idenë e tyre.

“E kemi titulluar ‘Emerge’ sepse vet definicioni i kësaj fjale do të thotë zhvendosje nga një vend në një vend tjetër, si nevojë”, shpjegoi ai.

Në hapje të kësaj ekspozite, i kënaqur me punën e studentëve u shpreh edhe dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi.

“Ju keni mbledhur një audiencë kaq të madh që i shijon veprat e juaja. Unë do të ju thosha që edhe ata që nuk janë përfshirë këtu në të ardhmen të kemi edhe iniciativa të tilla, që t’i përkrahim me mundësitë tona. Shumë mundësi nuk kemi, mirëpo dëshirojmë që ta përkrahim çdo iniciativë. Jam shumë i kënaqur dhe i nderuar që po e hap këtë ekspozitë, për të cilën ju keni mbledhur një publik kaq të madh, që edhe ekspozitat e tjera mund t'ua kenë lakmi”, tha ndër të tjera dekani Selimi.

Ekspozita “Emerge” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 19 dhjetor. /ZËRI/