Shpat Deda kujdeset për fëmijët me kancer

Kultura December 13, 2017 - 14:43

Kantautori i suksesshëm, njëkohësisht producenti i filmit “Home” dhe fitues i çmimit BAFTA, Shpat Deda, po vazhdon iniciativën e tij për t’i ndihmuar fëmijët e Kosovës.

Pas koncerteve në Prishtinë e Londër, me të njëjtin qëllim fisnik, Deda do të interpretojë edhe në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë. Adhuruesit e Shpatit në Shqipëri do të mund ta gjejnë atë në Tulla Center në Tiranë, më 16 dhjetor, me fillim nga ora 21:00. Për këtë koncert ka njoftuar edhe vet Deda përmes rrjeteve sociale.

“Pas koncerteve bamirëse në Prishtinë dhe në Londër, të shtunën me 16 dhjetor e përmbyllim këtë cikël të koncerteve bamirëse në Tulla - Culture Center në Tiranë për me mbledhë mjete për organizatën Care for Kosovo Kids. Mbështetja e juaj shkon për sigurimin e trajtimit për fëmijët me kancer në Kosovë. Ju mirëpresim!”, thuhet në postimin e tij në Facebook.

Ky koncert është një nismë e stafit të BERZH në Prishtinë, Tiranë dhe Londër, mbështetur nga Tulla-Culture Center dhe Grand Hotel and SPA Tirana. Fondet e mbledhura do të shkojnë për “Fondacionin Kujdesi për Fëmijët e Kosovës” i cili kujdeset që të gjithë fëmijët në QKUK të kenë ilaçet e nevojshme dhe të domosdoshme për trajtim.

 

Të gjitha të ardhurat që do të mblidhet gjatë kësaj mbrëmjeje, përfshirë fondet e mbledhura gjatë gjithë fushatës, do të dyfishohen nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në kuadër të programit të saj “Community Initiative”,kur te përmbushen kriteret raportuese dhe vlera do të dyfishohet deri në shumën maksimale prej 50,000€.

Me qëllim që të ndihmojë më të vegjlit, Shpat Deda i është bashkuar edhe platformës avokuese të KOMF “Miqtë e Fëmijëve” më 26 shtator 2017 duke nënshkruar “Deklaratën e Zotimit”, e cila është një përmbledhje e zotimeve të Miqve të Fëmijëve për t'u angazhuar në çështjet që prekin apo cenojnë mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve.

“Miqtë e Fëmijëve” është platformë avokuese e përbërë nga personalitete me karrierë të suksesshme nga fusha e diplomacisë, artit, kulturës, sportit etj, e cila ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit dhe promovimin e mbrojtjes së fëmijëve në të gjithë Kosovën, duke synuar vetëdijesimin e institucioneve dhe komunitetit, mbi rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe investimin afatgjatë në fëmijë. Kjo platformë dhe angazhimi i Miqve të Fëmijëve në fushata të ndryshme do të ndihmojë në rritjen e impaktit për çështjet e ndërlidhura me mbrojtjen dhe të drejtat e fëmijëve.

Kjo platformë është inicuar nga Koalicioni i OJQ-ve për mbrojtjen e fëmijëve – KOMF, themeluar në vitin 2011, është koalicion i përbërë nga 22 organizata joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare, të cilat punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, me mision të përbashkët avokimin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë”.

A.S