Artpolis prezanton “Muzeun Virtual të Grave Aktiviste”

Kultura December 13, 2017 - 14:40

Këtë të enjte, në Teatrin “Oda”, në Prishtinë, me fillim nga ora 19:00 Artpolis do të lansojë një muze krejtësisht të veçantë. Bëhet fjalë për “Muzeun Virtual të Grave Aktiviste”.

Ky muze virtual, paraqitet si një entitet digjital që i merr karakteristikat e një muzeu, por me një rol më të veçantë që është promovimi i vlerave të aktivizmit paqësor të grave, të cilat mbrojnë të drejtat e njeriut. Ky muze, i cili do të jetë i pari i këtij lloji në Kosovë, do të paraqitet në formën e platformës interaktive, duke sjellë rrëfime frymëzuese dhe jetësore, fotografi apo edhe video të grave aktiviste.

Për “Muzeun Virtual të Grave Aktiviste” Artpolis ka mbledhur fillimisht njëzet shkrime për gratë nga Kosova dhe Rajoni, të cilat kanë luftuar pabarazitë sociale në forma të ndryshme duke u angazhuar në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëritë patriarkale.

Prezantimi i platformës do të përcillet edhe me një diskutim me aktivistet pjesëmarrëse si dhe me një koktej rasti. Kjo iniciativë është përkrahur nga Kvinna till Kvinna.

Për gazetën “Zëri”, njëra nga koordinatoret në Artpolis, Jeta Berisha, tregon se në këtë muze do të prezantohen njëzet shkrime që janë përgatitur për njëzetë gra, historitë e të cilave janë krejtësisht unike.

“Njëzetimet janë përgatitur nga aktivistja Fjolla Vukshinaj , e cila i ka intervistuar  aktivistet gra nga Kosova dhe rajoni dhe i ka hartuar shkrimet për to, të cilat do të prezantohen në ‘Muzeun Virtual të Grave Aktiviste’”, tregoi Berisha.

Me këtë muze Artpolis synon të rrëfejë histori personale dhe të aktivizmit të grave shqiptare dhe grave nga rajoni, të cilat kanë kontribuar në ndërtimin e paqes, ndalimin e luftërave ne Kosove, Bonje dhe Kroaci.

Këto shkrime flasim për gra që shquhen për guxim dhe që me aktivizimin e tyre kanë thyer barriera.

“Në këto shkrime flitet për gra, të cilat p.sh kanë dalë hapur për herë të parë si lesbike, ato të cilat kanë luftuar për të drejtat e grave dhe kundër shtypjes”, theksoi Berisha. Tutje koordinatorja e Artpolis bëri të ditur se kjo organizatë joqeveritare ka marrë përsipër realizimin e kësaj ideje duke dashur që të përmblidhen disa informacione dhe të dokumentohet veprimtaria e grave aktiviste.

“Ideja ka ardhur nga nevoja për të pasur informacione për aktivizmin e grave në Kosovë dhe mungesa informacioneve për gratë aktiviste, të cilat kanë sfiduar mentalitetin dhe sistemin patriarkal. Pikërisht për ato arsye që historia shumë pak i njohu, madje asnjëherë nuk ju dedikua një kapitull këtyre grave. Ato janë shumë, shumë më shumë se që ne i njohim. Ato s'janë numra janë emra të cilat s'duhen harruar”, theksoi Berisha.

Për “Zërin” ajo shpalosi disa nga emrat që do të jenë pjesë e këtij muzeu, e këtu përfshihet edhe Sevdije Ahmeti, aktiviste shumëvjeçare e çështjeve të grave dhe të drejtave të njeriut. Një kohë ka punuar edhe në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, si dhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Pasi u shkarkua nga puna më 23 korrik 1989, ajo filloi të punojë për Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe ka përgatitur shumë raporte mbi shkeljet e të drejtave të grave për Amnesty International. Në vitin 1993, bashkë me Vjosa Dobrunën themeluan Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, një organizatë që pos ndihmës për nënat dhe fëmijët, ndihmoi shumë edhe në dokumentimin e torturave që pushteti serb bënte ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e grave dhe fëmijëve në veçanti.

Listës pastaj i bashkohet edhe psiklogia e aktivistja e cila humbi jetën aksidentalisht, Dua Dauti-Kadriu, apo regjisorja e mirënjohur kosovare, Blerta Zeqiri.

Pra, synimi i këtij muzeu dixhital është të sjellë të kaluarën në një dimension tjetër, duke shpalosur historitë e grave të guximshme shqiptare dhe të rajonit, në mënyrë që historitë e tyre të jenë motivim edhe për gra të tjera.

Image