Iku njëri nga bohemët e paktë të letrave tona

Kultura December 12, 2017 - 13:49


Vdekja e përkthyesit, poetit e ekomonistit Nehat S. Hoxha, ka lënë të pikëlluar të gjithë miqtë dhe dashamirët që njohën për së afërmi krijimtarinë e tij artistike. Nehat S. Hoxha, ndër të tjera, ishte njëri nga bohemët e paktë të letrave shqipe. Kjo e bënte të dallueshëm për brezin e tij, për faktin se edhe në poezi e kishte bartur frymën e bohemisë, ashtu siç e kishte jetuar në përditshmëri. Ai mbahet mend edhe si bashkëshorti i këngëtares Nazmije Hoxha, e cila vdiq në moshë të re dhe si vëllai i kitaristit me famë Shefqet Hoxha-Sheki. 
Pas lajmit për vdekjen e Nehatit, poeti dhe publicisti Faruk Tasholli, përmes një shkrimi e ka konsideruar atë si një krijues të frytshëm në botën e letrave.
“Në ditën e sotme ra edhe një pikëllim mbi mua. Paska ikur nga jeta miku im Nehat S.Hoxha, një njeri i shkëlqyeshëm dhe një krijues i frytshëm në botën e letrave, qoftë me letërsinë e vet origjinale, qoftë me pjesë të letërsisë kulmore botërore të përkthyera në shqip. Nehati ishte edhe një personalitet që dha shumë në jetën kulturore, qoftë në rininë e hershme në Ferizaj, qoftë në Prishtinë. Ai gjithashtu la të shkruara edhe disa këngë, e veçmas hitin “Këngë moj” që fillimisht u këndua nga këngëtari Besnik Krajku e më vonë defiloi edhe përmes zërave të këngëtarëve të tjerë me aranzhmane gjithashtu të reja. Nehat S. Hoxha ka lënë pas vetes një krijimtari të begatë, por edhe kujtime të veçanta në mesin e miqve të shumtë”, shkruan Tasholli.

Në anën tjetër edhe publicisti Hail Matoshi ka shprehur dhimbjen me rastin e vdekjes së Nehat S. Hoxhës, për të cilin, siç është shprehur ai, ju bashkua radhës të shkrimtarëve si Abdullah Konushevci e Arif Demolli, të cilët prej vitesh nuk jetojnë më.

“Kur vdes njeriu ne zvogëlohemi, sepse vdes një pjesëz e njerëzimit! Kur vdes poeti ne trishtohemi, sepse ai i ka kënduar një jetë njeriu jetës. Dhe vargu i këputet dhe zani i dridhet dhe bie si gjethe që u ka mbijetu ernave vjeshore. Do të më mungojnë çastet ‘Te Martini’, kur së bashku me Islam Velinë, Abdullah Konushevcin, Arif Demollin dhe Nehat S. Hoxhën kemi folë për Shkup e Shkodër. Prej tyne sot, më ka mbetur vetëm Islam Velia, i cili ka mbetun knejpari me m’i ngjallë pamjet e miqve shkrimtarë, që po ikin një nga një. Dritë i pastë shpirti Nehat. S. Hoxhës!Dheu i Kosovës i qoftë i lehtë, si varg epiko-lirik…”, shkruan Matoshi në Facebook.

Nehat S. Hoxha u lind në Ferizaj më 1951. Edukimin themelor dhe atë të mesëm i mbaroi në vendlindje, kurse studimet e ekonomisë në Universitetin e Prishtinës dhe Provimin e posaçëm profesional për punë të tregtisë së jashtme(specializim) në Beograd. Në skenën e letrave shqip u shfaq nga vitet ’70, me poezi, tregime, vargje për këngë, përkthime, sidomos ato letrare nga anglishtja. Ka përkthyer edhe shume filma artistik, arsimorë e vizatimorë për TV, Radio, Gazeta dhe Revista. Redaktor i shumë librave të krijuesve letrarë, figurativ, muzikor. Hoxha ishte fitues i dhjetëra çmimeve letrare dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.