Kosova e Franca me një program për 10-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Kultura December 09, 2017 - 15:25

Në kuadër të 10-të vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Ambasada e Francës në Kosovë dhe Ambasada e Kosovës në Francë, po bashkëpunojnë për të promovuar një program të përbashkët të ngjarjeve kulturore që tregojnë lidhjen dhe miqësinë mes dy vendeve.

Ky program përfshinë komplet vitin 2018-të, ku janë të përfshira ngjarjet të cilat Ambasada e Francës në Kosovë i përkrah. Ndërsa në Francë, në shumicën e muajve të vitit 2018-të, do të ketë nga një ngjarje nga Kosova.

Kësisoj më 17 shkurt në Paris të Francës do të ketë një “Teleportim-Prishtina në Paris” ku do të instalohen dy ekrane të mëdha publike. Në mars do të prezantohet ekspozita e Jakup Ferrit dhe do të mbahet “Pranvera e Poetëve”. Në maj do të prezantohet Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës me një shfaqje, ndërsa Kosova do të jetë edhe në Festivalin e Kanës. Në Qershor, në Annecy, do të mbahet Festivali i Filmit të Animuar. Shtatori në Paris do ta dërgojë Mini-Dokufest-in, ku do të shfaqen filma të përzgjedhur të metrazhit të shkurtër. Tetori nga Kosova në Francë do të dërgojë festivalin e shijes, ndërsa krejt në fund muaji nëntor do të ketë një koncert nga Blerta Kosova, BiCalko dhe Tandem.

Programi i përbashkët vjetor i Ambasadave është gjithashtu një mundësi për të promovuar, për publikun e të dy vendeve, aktivitete të cilësisë të lartë, të hapura për të gjithë dhe të theksohen pikat e kontaktit mes qarqeve kulturore dhe qytetarëve të të dy vendeve.