“Abetarja” e Halilajt në Paris

Kultura December 09, 2017 - 15:21

Artisti kosovar, Petrit Halilaj, ka dërguar në kryeqendrën e artit botëror, në Paris, librin e “Abetares”. Ai e ka bërë pjesë të ekspozitës së tij jo vetëm librin, me të cilin mësoi shkronjat e shqipes, por edhe bankat shkollore. Tavolinat e mësimit janë marrë nga një shkollë fillore, ku Halilaj ka kaluar fëmijërinë e tij, shoqëruar edhe me fjalë dhe imazhe tjera të kohës.

Ekspozita “Abetare (Fluturat)” e hapur në galerinë Kamel Mennour prezanton punime të reja të Halilajt, një instalacion dhe disa skulptura, që sjelli histori personale të artistit, por edhe një copëz nga historia e Kosovës.

Një pjesë e ekspozitës sjellë ciklin “Abetare” nga Halilaj, punë e vitit 2015-të, por gjithmonë e perfeksionuar edhe gjatë këtij viti. Ky është një dedikim për librin, i cili në një kohë të regjimit serb ishte e vetmja mënyrë e dëshmisë së identitetit kulturor shqiptar dhe një mënyrë e mësimit të fëmijëve me gjuhën amtare shqipe. Pjesa e dytë e ekspozitës sjellë një instalacion me skulptura dhe me tavolina.

 

Këto punime po prezantohen para publikut francez që nga një dhjetori dhe ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 28 janar të vitit të ardhshëm.

Petrit Halilaj ka lindur në vitin 1986 në Kostërrc. Ai jeton dhe punon si artist mes Italisë, Gjermanisë e Kosovës.

Historia dhe biografia e tij personale janë gjithmonë një pikë ku ai mbështet, si inspirim për punët e tij. Fotografitë e tij nga fëmijëria e komplikuar, duke lëvizur nga një vend në tjetrin, gjithmonë përkthehen në realitet artistik.

Halilaj është artisti me të cilin Kosova debutoi në Bienalen e Venecias në vitin 2013-të, asokohe me kanarinat e tij të famshme. Puna e tij gjithmonë është si provokim artistik për tema të ndryshme, midis tyre edhe një Muze i Natyrës në Kosovë.

Në korrik të këtij viti artisti kosovar Petrit Halilaj është shpallur fitues i edicionit të dytë të çmimit “Mario Merz” - i vetmi çmim ndërkombëtar për art dhe muzikë. Ai u zgjodh si fitues nga një juri dhe një votim publik, duke triumfuar kështu në një listë e shkurtër me pesë artistë, duke përfshirë këtu: Francesco Arena, Gili Lavy, Shahryar Nashat, Suha Traboulsi.

A.S.