Përse jemi kaq të aftë për ta defaktorizuar veten!?

Kultura December 09, 2017 - 15:14

Në rubrikën e rregullt të së shtunës, "Jepi Zërit", prezantojmë publicistin dhe shkrimtarin Sylejman Aliu. Sylejman Aliu u lind më 1947, në katundin Kashtanjevë të Ferizajt. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Ferizaj, kurse studimet e gjuhës dhe të letërsisë shqipe i mbaroi në Universitetin e Prishtinës.

Gjatë studimeve ishte kryeredaktor i gazetës së studentëve “Bota e re”, si dhe gazetar e redaktor shumëvjeçar i të përditshmes “Rilindja”, kryeredaktor në gazetën e përditshme “Bota sot”, kryeredaktor, po ashtu, i së përditshmes “Iliria Post” dhe drejtor në Shtëpinë Botuese të Librit “Rilindja”. Tash është drejtues i shtëpisë botuese “SAGA” në Prishtinë. Është autor i 14 librave letrare (prozë, poezi, drama, skenar filmi), si dhe 9 libra të tjerë publicistik. Jeton në Prishtinë.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Pyetjet që i bëj vetvetes, janë të shumta dhe të shpeshta. Megjithatë, pyetja që më përsëritet më së shpeshti, është: përse ne shqiptarët jemi të tillë dhe aq të aftë ta defaktorizojmë vetveten kolektive me armën më të padurueshme të instinkteve inatçore ndaj vetvetes dhe aq të përulur e të zvarritshëm ndaj të huajve?! Duke ia bërë vetes gjithnjë këtë pyetje, brenda vetes më bëhet se dëgjoj zërin e madh të Faik Konicës, që thotë: “Zot, ruaje Shqipërinë nga shqiptarët” dhe më bëhet se brenda meje shpërthen e njëjta lutje: “Zot, ruaje edhe Kosovën nga shqiptarët”!  

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?  

Udhëtimi im i zakonshëm është bukur i pazakontë. Edhe në udhëtimet e mia brenda ditës nuk jam vetëm. Së bashku me mua vijnë dhe përplot të tjerë. I kam në mendje, që nga personazhet, që bredhin ngjarjeve artistike të rrëfimeve dhe deri te ferret tona politike, të cilat nuk prajnë të shumohen nga birucat tradhtuese të zhapinjve tanë për të arritur majën e ndotur morale të karriges lakmuese.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Në vitrinën e kujtesës sime ka shumë libra, që qëndrojnë dukshëm. Megjithatë, libri i parë në vitrinën e kujtesës sime ishte dhe është Abetarja, e cila, jo vetëm më mësoi alfabetin e gjuhës sonë të bukur, të cilin sot, fatkeqësisht, aq shumë po e shëmtojmë.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Populli ynë ka kaluar nëpër shumë kriza të thella dhe shfarosëse nga pushtuesit. Megjithatë, ishte krijuar një themel i fuqishëm i një ideali të shëndoshë për të arritur deri te çlirimi dhe liria nga pushuesit e njëpasnjëshëm. Por, me arritjen e këtij qëllimi, tash kemi shembur këtë ideal mëkëmbjeje dhe kemi arritur deri në nivel të përjetimit edhe më makabër të vetëpushtimit dhe të vetëshkatërrimit të pandalshëm. Më nuk mund të flitet as për moral, as për dinjitet e as për identitet. Të gjithë heshtin edhe kur injorantët shërbyes të Serbisë, mohojnë identitetin tonë të përhershëm kombëtar (shqiptar) dhe preferojnë që shqiptarët në Kosovë të quhen komb kosovar! Si mund të quhen shqiptarët në Luginë të Preshevës, ata në Maqedoni, në Mal të Zi? Serbë? Maqedonas? Malazias? Ndaj çmendurive të tilla të sajuesve të kombit kosovar heshtin të gjithë: edhe akademikët, edhe institucionet e tjera përgjegjëse, edhe krijuesit, edhe mediet...!

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Kultura dhe zhvillimet e saj ndër ne mund të shikohen dhe të trajtohen në shumë aspekte. Megjithatë, them se kultura dhe zhvillimet e saj, të cilat kanë ngecur pakuptueshëm, varen shumë nga niveli ynë përgjegjës kulturor dhe zhvillimor, i cili është shndërruar në manipulime numrash dhe përfitimesh që nga institucionet e larta deri te ato komunale, përgjegjëse për zhvillimin e kulturës në përgjithësi në Kosovë.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Si ishte dje e dimë të gjithë, si është sot përsëri e dimë të gjithë, por e heshtim. E sotmja nuk është dhe nuk garanton për një të nesërme, siç do të duhej ta dëshironim!

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

I përjetoj në mënyrë të veçantë pikturat e Jetulla Halitit, poezitë e Agim Gjakovës, këngën “Poçari” dhe filmin tonë televiziv “Dhembja krenare” me Enver Petrovcin në rolin kryesor.