Tasholli: Destani kishte ndarë mund dhe mjete për Universitetin e Tetovës

Kultura December 07, 2017 - 17:23

Shkrimtari Faruk Tasholli, në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” ka vlerësuar lartë biznesmenin Lazim Destani, i cili para pakë ditësh nga Universiteti Shtetëror i Tetovës është nderuar më titullin “Honoris Causa” për kontributin që ky i fundit për këtë Universitet.

Tasholli ka shkruar se çmimi i ndarë nuk nderoi vetëm Lazim Destanin, por familjarët e tij, bashkëvendësit në shpatijet e Sharrit dhe miqtë e shumtë të tij të shpërndarë nëpër botë.

“Si një nga miqtë e tij të vjetër, natyrisht, edhe unë përjetova një kënaqësi në këtë atmosferë festive, prandaj dua t'i them pak fjalë, që ndoshta nuk i thonë as nuk dinë t'i thonë të tjerët. Këtë njeri fisnik, personalisht e njoha pikërisht në vitin kur u themelua Universiteti i Tetovës nga bashkëvendësi i tij Profesor Fadil Sulejmani. Në atë themelatë të rëndësishme shqiptare po ky Lazim Destani ishte një gur i padukshëm, pasi kishte ndarë mund e mjete për tempullin e dijes që po pengohej nga pushteti maqedonas i kohës. Me të ishin edhe shumë bashkëvendës nga Malësia e Tetovës, e më së shumti nga Bozovca, andej nga vinte edhe profesor Sulejmani” ka shkruar ai. Tasholli ka shkruar me tej se ato ishin vitet e para kur ky njeri kishte bërë një ndërmarrje udhëtimesh me emrin simbolik “Sharr-Turist”.

Por, që atëherë e sot, kahdo që ka kaluar sipas tij, Lazim Destani fitimin e tij e ka ndarë me të tjerët, qoftë me institucionet kombëtare, qoftë me njerëzit e shkencës e të kulturës, qoftë me miqtë apo me skamnorët në nevojë.

”Nëse dikush mendon se ky dhe çmimet tjera Lazim Destanit iu ndanë për shkak të pasurisë që ka, gabojnë rëndë. Ai është më i pasur se pasuria e vet. Ai punësoi mijëra njerëz në kompaninë e vet Ecolog dhe sa herë shtoi pasurinë, ngushtoi varfërinë te shqiptarët. Por jo vetëm kaq, Lazim Destani në rrjedhat e biznesit ndryshoi shumë në planin financiar, por nuk ndryshoi kurrë në planin njerëzor. Ai krahas rritjes së biznesit veç sa e rriti reflektimin e shpirtit të tij të sinqertë e njerëzor. Nuk i harroi dot bashkëpunëtorët, miqtë aty ku jetoi e veproi dhe njerëzit që e rrethuan gjatë jetës. Jo rrallë më ka ndodhur viteve të fundit, kur ka dëgjuar për ndonjë fatkeqësi apo raste vdekjeje në mërgim, të më ketë thirrë ai ose ndonjëri nga familjarët e tij dhe të shfaq gatishmërinë për ndihmë. Kështu, ai ka dëshmuar se kur e din, nuk pret që nevojtarët t'i trokasin në derë, por ai u troket atyre. Ai ishte që kur e kishte Sharr-Turistin,në raste fatkeqe, kur nuk kishte vend në aeroplan, ta përbironte njeriun me anëtarët e ekipazhit të fluturimit. Ai edhe sot, ku kohën e ka shumë të kufizuar, kthehet të vizitojë miqtë, por më së shumti ata që i ka zënë ndonjë sëmundje në vitet e pleqërisë. Atij mund t'i ikën aeroplani në ndonjë udhëtim, por nuk mund t'i ikën rasti që të jetë pranë të sëmurit, pranë nevojtarit, pranë miqve me të cilët ka ndarë pjesë të lumtura dhe të vuajtura të jetës” ka shkruar shkrimtari Tasholli.

Ai ka shkruar se kur iu nda ky çmim, kujtesën time e prekën fjalët e profesor Fadil Sulejmanit, kur jo në pak raste, thoshte se Lazim Destani është një njeri dhe një patriot i madh. Ai këtë e kishte përjetuar nga afër. Por unë këtu, kam kënaqësinë të shtoj se Lazim Destani, është nga ata njerëz që shkrin pasuri për të bërë Shqipëri, e jo si disa që shesin Shqipëri për të bërë pasuri.