Një këngë që s’e ka përfunduar misionin

Kultura December 06, 2017 - 11:07

Në rubrikën “Rrëfej përmes muzikës” këtë javë prezantojmë aktoren Semira Latifi. Ajo na flet për këngët e saj të preferuara. Aktorja deklaron se muzika zë vend shumë të rëndësishëm në jetën e saj dhe se i dëgjon pothuajse të gjitha zhanret. 

“Të gjithë kemi këngët tona të preferuara. Mund të jenë këngë që i kemi dëgjuar kur kemi qenë fëmijë, ose këngë që na ngjallin një kujtim, por mendoj që jo domosdoshmërisht duhet të kemi arsye ta pëlqejmë atë këngë. Ndonjëherë mund të na pëlqejë edhe pa ndonjë arsye të fortë, thjeshtë na bën të ndjehemi mirë”, thotë Latifi, duke shtuar se një këngë e mirë është ajo ku teksti dhe melodia bashkohen fuqishëm dhe provokojnë emocion.

Bethoven- "Fur Elise"

Është njëri ndër kompozimet më të njohura të Ludwig Van Bethowen, i cili u publikua 40 vjet pas vdekjes së kompozitorit. Kur kam qenë 5 vjeçe, kam pas një gotë porcelani dhe sa herë që kam dashur të pi diçka kam pi vetëm prej asaj gote. E veçanta e kësaj gote ka qenë, sepse sa herë që e kam mbajtur gotën në dorë, e kam dëgjuar melodinë e “Fur Elise”, e që për mua si fëmijë ka qenë diçka e veçantë. Kanë kaluar shumë vite prej asaj kohe të fëmijërisë, mirëpo unë sa herë e dëgjoj më kujtohen shumë momente të mira prej asaj kohe.

Spice Girls-"Wannabe"

“Spice Girls” kanë qenë pjesë e pandashme e imja. Të gjitha këngët i kam ditur, sepse i kam dëgjuar shumë. Kemi qenë 5 shoqe të pandashme dhe çdo herë i kemi ushtruar koreografitë dhe këngët e tyre. Kështu, çdo ditëlindje ose festë që kemi organizuar si fëmijë, ne e kemi pasur kohën tonë të performancës. 

Amy Winehouse-"Rehab"

“Rehab” është kënga e parë që e kam dëgjuar prej Amy Winehouse, pastaj kjo këngëtare u bë pjesë e pandashme e imja. Për një kohë shumë të shkurtë kam arritur që ta adhuroj çdo këngë të saj. Amy-in e kam dëgjuar për stilin e saj në përzierjen e zhanrit, ekspresivitetin përmes zërit të saj të thellë dhe teksteve të saja që për mua kanë qenë të veçanta.

Cesaria Evora-"Ingrata"

Këngëtare me fame nga Cape Verde, e njohur ndryshe si “Diva këmbëzbathur” e po ashtu është e njohur edhe si mbretëresha e mornas - zhanër i muzikës dhe vallëzimit nga Cape Verde. Ka qenë aktive prej viteve 1957-2011. Këngët e saj i dëgjoj atëherë kur kam dëshirë që të ndihem e qetë. Tekstet e saja kanë shumë kuptim, madje disa prej tyre kanë histori që ndërlidhen me vendin e saj të lindjes, me popullin dhe me fëmijërinë e saj. Kënga “Ingrata” flet për vitet e 40’ta dhe 50’ta kur shumë njerëz është dahur që ta linin vendin e tyre të lindjes për shkak të regjimit portugez.  

Maria Callas-"Ave Maria"

Një nga sopranot me influencë gjatë shekullit të XX, të cilën shumë kritikë e vlerësuan teknikën e saj, zërin e gjerë dhe interpretimet dramatike. Këtë këngë e kam dëgjuar shumë kur ishim duke e punuar shfaqjen e diplomës. Në atë kohë kisha rolin e Martha Washington dhe kërkoja shumë informacione për kohën kur ka jetuar, mënyrën e jetës etj. Gjatë provave, profesori im i aktrimit, Luan Jaha, na e propozoi “Ave Marian” që ta dëgjonim dhe tani kur e dëgjoj kam shumë kujtime që më rikthejnë në atë fazë aq të mirë të studimeve.

Bob Marley

Pa dyshim që Bob Marley njihet si njeri ndër figurat më të rëndësishme të shekullit XX. Shërbeu si ambasador i muzikës reggae dhe shiti mbi 20 milionë kopje të albumeve. Me tekstet e tij ka inspiruar të tjerët për të ndjekur një stil jetese të paqes dhe harmonisë. Me aq shumë këngë të mira është shumë e vështirë që të zgjedhësh më të mirën prej tij. Këngët që i dëgjoj më së shumti janë: “No Woman No Cry”, “Redemption Song”, “Three Little Birds” dhe “Red Red Wine”.

Billie Holiday-"Strange Fruit"

“Strange Fruit” është një këngë proteste me rëndësi të qëndrueshme. Vargjet e kësaj kënge simbolizojnë brutalitetin dhe racizmin e praktikës së linçimit në Amerikën e Jugut. Ishte hera e parë që një artist me ngjyrë të këndojë një këngë me një tekst kontraverz. Kjo këngë është shndërruar në simbol të racizmit, vuajtjes, dhimbjeve të përjetuara në SHBA.

"Amazing Grace"

John Newton ish kapiten i anijes së skllevërve, e shkroi këtë këngë në vitin 1772. Qëllimi i tij ishte që të ndalej tregtia e skllevërve. Tashmë është shndërruar në himn, i cili këndohet nga të gjitha racat. Po ashtu një këngë proteste e cila lidhet me të drejtat civile. Fatkeqësisht trafikimi i qenieve njerëzore dhe robëria ende ekziston, andaj ndonjëherë mendoj që kjo këngë ende nuk e ka “përfunduar plotësisht” qëllimin e saj.

Reamonn- "Tonight"

Ajo çka e bën të veçantë këtë këngë për mua është thjeshtësia dhe pastërtia që e përmban teksti. Mendoj që këtu gjen vend shprehja “Less is more”. Është prej këngëve të mia të preferuara dhe sa herë që e dëgjoj vazhdoj ta pëlqej më shumë. (Fotografitë: Brigitte Hamadey)