Kultura

Alarmi i Sibel Halimit për zhvillimet në shoqërinë tonë

Alarmi i Sibel Halimit për zhvillimet në shoqërinë tonë
04 dhjetor 2017 • 12 : 06
Bardh Frangu

Sociologia Sibel Halimi, këto ditë doli me librin e saj "Shoqëria në alarm", brenda kopertinës të së cilës ka futur shumë nga shkrimet e saj të botuara në shtypin tonë, shkrime këto që përbëjnë një shqetësim të autores rreth zhvillimeve të shoqërisë sonë dhe që si të tilla mbajnë hapur një debat të domosdoshëm, i cili ka nevojë të zhvillohet edhe më. Recenzentë të librit janë Anton Kolë Berisha, Hasnije Ilazi dhe Muhamedin Kullashi, ndërsa e botoi "Koha", Prishtinë, 2017.   

Libri “Shoqëri në Alarm”, siç thekson edhe vetë autorja në parathënien e librit, të cilën me të drejtë e ka konceptuar si prolog, është një reflektim mbi zhvillimet e gjithëmbarshme në shoqërinë kosovare, në gati pothuajse dy dekadat e fundit.

Është një revoltë e shqetësim për ndeshjen e vazhdueshme ndërmjet tradicionales e modernes, ku e para përpiqet të ruajë dominimin, ekskluzivisht në saje të oportunizmit të një pjese të shoqërisë, e cila në emër të asaj që e përkufizon si traditë, mban gjallë fosile nga e kaluara që godasin mbi idenë e të qenit vetja, dhe ku individi tretet pavërejtshëm në masën e atrofizuar. Duke përsiatur nga ky këndvështrim, libri përpiqet ta lëvizë çdo autoritet për të parë se çfarë në fakt është duke ndodhur dhe çfarë fshihet prapa tij.

Historia ka dhënë fakte të mjaftueshme për të dëshmuar se nga feminizmi janë çliruar të dy gjinitë. Ngase patriarkaliteti e kultivon raportin e dhunës. Ndaj kjo përpjekje nuk është luftë ndërmjet gjinive, por do të duhej të ishte luftë e gjinive kundër patriakalitetit.

Të liruar nga përgjegjësia, dhe me një mungesë të theksuar përkatësie ndaj çdo gjëje, anomalitë e shoqërisë në transicion janë më shumë sesa shqetësim për një cikël jetësor të një grupi njerëzish me krizë të thellë identitare, e brumosur në masë të ndjeshme me sfond religjioz.

Në një shoqëri të përfshirë në kaos e panik, gjithsesi, libri synon të hapë debat në një vend ku hapësira për një gjë të tillë është tkurrur në maksimum, sa shkaku i mbylljes në vetvete, po aq edhe nga pagatishmëria për debat pa tabu për çështje të ndejshme që e bëjnë tërësinë e një shoqërie në kontekstin aktual.

Si është e mundshme, teksa në vitet ‘50, me një konsensus politik, pastaj edhe atë shoqëror, të krijohej pakti kundër ferexhesë, teksa pothuajse për aq vite më vonë, kthimi retrograd nxit klimën për ta futur gruan kosovare nën shami dhe përtej saj.

Tendencë e hapur kjo për kontroll në kohën kur e gjithë shoqëria jeton në kushtet e një sistemi “big brother”, sa nga kontrolli i jashtëm, në funksionim të testimit të shkathtësisë për shtetbërje, po aq edhe nga kontrolli i brendshëm, instaluar nga parti politike me sfond autoritar, ku individi s`është vetja, ku lideri është gjithçka, dhe ku mendimi ndryshe konsiderohet njëfarë dore blasfemi.

Kjo tërësi e shkrimeve, pjesa më e madhe e të cilave janë botuar në “Kohën Ditore”, apo në një pjesë të periodikut shqiptar, është thjesht përpjekje për çlirim personal, të një dufi që buron nga zhvillimet negative, të cilat gradualisht me idenë e heshtjes afirmohen si vlerë e shoqërisë, e cila heshtjen e ka mënyrë mbijetese, sakaq oportunizmin e konformizmin mjete operacionale.

Në një shoqëri në krizë s`mund të flitet për të vërtetën, por thjesht për derivate të saj: gënjeshtra, mohimi, konformizmi apo oportunizmi. Këto devijime, gjithsesi e prishin qetësinë e një kundruesi të fenomeneve në shoqëri.

E vënë atë përpara përgjegjësisë, për të marrë qëndrim, për ta shpërfaqë atë dhe për ta dhënë një kontribut sado simbolik qoftë ai, për një ambient ku debati i kundërvihet tabusë së metanarracioneve apo meta të vërtetave. 

© zëri.info