Më vështirësi buxhetore po përgatitet shfaqja 'Oh, oh Xhulia'

Kultura December 02, 2017 - 08:33

Në Teatrin “Adriana”, të qytetit të Ferizajt, po përgatitet për t'u vënë në skenë para publikut shfaqja “Oh, oh Xhulia”, me tekst te Efraim Kishon dhe me regji të Besim Ugzmajlit, shkruan sot, gazeta Zeri.

Shfaqja i takon zhanrit komedi, ku autori sjell një subjekt hipotetik, si alternativë e Romeos dhe Xhulietës së Shekspirit. Në këtë rast ata, pra Romeo dhe Xhulieta, nuk kanë vdekur, por kanë një fëmijë dhe jeta e tyre është si mos më keq.

Megjithëse janë entuziast për punën që po bëjnë, regjisori Ugzmajli tregon se gjatë realizimit të kësaj shfaqjeje po përballen me disa probleme buxhetore, për shkak të mos zbatimit me kohë të kontratës mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sport dhe Teatrit “Adriana”.

“Provat për shfaqjen ‘Oh, oh Xhulia’ i kemi nisur gati nga muaji gusht dhe herë pas here i kemi ndërprerë për mungesë të mjeteve ngase kontrata mes Teatrit ‘Adriana’ dhe Ministrisë së Kulturës, e cila nuk është zbatuar deri më tani. Ata fillimisht janë arsyetuar me zgjedhjet, pastaj me votimin e rishikimit buxhetor. Sidoqoftë deri tani aktorët kanë treguar një profesionalizëm shumë të lartë dhe durim të madh”, bëri të ditur regjisori Ugzmajli.

Të kontaktuar nga gazeta “Zëri” në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit thonë së ky problem që lidhet me kontratën e tyre dhe teatrit “Adriana” të Ferizajt do të rregullohet shumë shpejt.

“Për shfaqjen e përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Departamenti i Kulturës, me emrin ‘Oh, oh Xhulia’ në mungesë të mjeteve në kategorinë e subvencioneve të kulturës, nuk ka mundur të bëhet transferimi i mjeteve sipas konkursit edhe pse të gjitha procedurat financiare janë përfunduar. Ju njoftojmë që jemi në pritje të alokimit të mjeteve në kategorinë e subvencioneve dhe në momentin që ajo ndodh, do të bëhet transferimi në llogarinë e përfituesit. Besojmë që kjo do të realizohet sa më parë”, ka thënë për “Zërin” Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Shfaqja “Oh, oh Xhulia” pritet ta ketë premierën para publikut ferizajas më 9 dhjetor.

Në këtë shfaqje me rolet e tyre paraqitën aktorët Shpëtim Selmani, Vjosa Tasholli, Sherif Bega, Mevlan Saraçi, Edona Berisha- Bekteshi dhe Milot Salihu.