Rënia nis që nga 'lemzat' morale e kulturore

Kultura December 02, 2017 - 08:31

Jepi zërit!

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit", prezantojmë studiuesin e letërsisë, Femi Cakollin. Femi Cakolli u lind në fshatin Krilevë të Kamencës, më 1 mars 1969. Filloren e kreu në vendlindje, kurse të mesmen në Kamenicë. Fakultetin Filologjik, dega e Letërsisë, në Prishtinë, e mbaroi më 1995. Studimet postdiplomike i bëri në Prishtinë dhe doktoroi më 2005. Tani është doktorant në teologji në institutin BILD, në Ames të SHBA-ve. Që nga viti 1994 është pastor i Kishës Protestante në Prishtinë. Autor i gjashtë librave dhe i mbi 300 njësive publicistike nga fusha e letërsisë, teologjisë dhe kulturës. Është edhe editor i Shtëpisë Botuese “Tenda” që nga viti 1997.  

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Shtrimi i pyetjeve vetës dhe të tjerëve është arti i domosdoshëm ditor e çastor, permanencë e secilit individ. Pyetjet e mia nuk orientohen shumë në empiri dhe kurtuazi. Fokusohem në pyetje që do të më dërgojnë mua ose bashkëbiseduesit e mi drejt asaj që Sokrati e ka quajtur “flaka e inteligjencës”, drejt njohjes së vetvetes dhe jetës, prandaj vetën e pyes: “cili është synimi dhe kuptimi”?  

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Kjo pyetje më bën përshtypje pasi më ngjallë preokupimin e udhëtimit ditor shpirtëror, moral e intelektual. Ku shkoj? Kush ose çka më udhëheq mua? Vetë fjala “udhë”, ose përbërjet tjera sikurse “udhëtim”, “udhëtar”, “udhëkryq”, “hekurudhë”, “udhëheq”, “udhësi”, “paudhësi”, “i paudhi” etj. paraqesin konotacione që ta lypi fuqinë, rendin, magjepsjen dhe peshën e fjalës. Një person para 2000 vitesh ka thënë “Unë jam Udha”! Pothuajse çdo mëngjes viteve të fundit dalë që të ecë në malet e Gërmisë, diku 5-7 km., pastaj shkoj në punë dhe dalë shpesh në qytet që t’i takoj personat e zgjedhur, prej 3-5 veta në ditë nga gjysmë ore. Dua të jem udhëtar, jo bujtës.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Mbaj mend se qysh nga klasa e dytë e shkollës fillore udhëtoja diku 12 kilometra në te dy drejtimet, për ta marrë një lektyrë në bibliotekën e Strezofcit. Aty punonte një punëtore e zgjuar, dashamire e librit, e bukur, por që nuk rrinte shpesh në bibliotekë, andaj më duhej ta prisja me raste nga 2-3 orë. Thellë në kujtesën time janë këto librat e asaj kohe, mirëpo shtresimin më të madh sigurisht se e kanë bërë librat e mëvonshme, sidomos të Dostojevskit (Krimi dhe ndëshkimi, Idioti, Vëllezërit Karamazovë), pastaj “Rrëfimet" e Shën Augustinit, dhe Gjerasim Qiriazi, si autor i Rilindjes Kombëtare, me tri veprat e tij (Krestomaci I, Krestomaci II, Pengu i kaçakëve).

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Janë më pak se 35 vjet, për shumicën e popullin tonë, në Gadishullin Ilirik, kemi kaluar nga njëlloj mesjete në postmodernizëm, qoftë nga mënyra dhe cilësia e prodhimit, e konsumimit, e marrëdhënieve, e ambicieve, teknologjisë, të vërtetës etj. andaj jemi kaq gjatë nën tranzicion. Kriza morale është shtrirë kudo në shoqërinë tonë dhe po zgjerohet. Katër tema po e dominojnë shoqërinë tonë: lakmia për para, tërpia për pushtet e famë, shfrenia pas seksit si dhe mediokriteti i shoqëruar me falsitet, egoizëm dhe oportunitet. Prandaj, arsimi ynë është jo i mirë. Puna jonë joefikase. Marrëdhëniet e shtirura. Kështu janë hapur zaret për identitete ose subidentitete sektariane e antikombëtare. Rënia nis që nga “lemzat” morale e kulturore.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Populli ynë ka baza të shumta nacionale e kulturore që ka pasur mundësi t’i konservonte dhe t’i plasonte më mirë botës dhe kudo që jetojnë shqiptarët. Me çka njihen sot shqiptarët në botë? Është dashur që t’i gjenim tri pika së paku dhe më të mirën ta promovonim kudo. Ne karnevale nuk kemi, lojëra ose sporte ndërkombëtare jo, çmime ndërkombëtare jo, ne nuk prodhojmë së paku një gjë që bile gadishulli ynë ta përdorte. Veçoj dokufestin si dhe etnofestin si projekte rishtas kulturore tipike kosovare. Nga pikëpamja se si shqiptarë kemi fe të ndryshme këtë nuk e kemi promovuar fare as në Ballkan e lëre më larg.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Dje ishte e rëndë për t’u jetuar, nuk kishte liri, por kishim më shumë paqe, kurse sot pesha e lirisë po tkurret e shpërdoret, e kur liria shpërdorohet atëherë nesër do të vijë ose një diktaturë ose një pushtim. Mendoj se si Kosovë çdo ditë e më shumë po i humbim aftësitë e duhura që të punojmë si një ndërmarrësi familjare dhe komunitare.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Piktura e Da Vinçit “Darka e Fundit”, skulptura e Mikelangjelos “Pieta”, poezia “Vdekja e Nositit” e Lasgushit, dhe dalloj filmin shqiptar “Mësontorja” si dhe filmin e huaj “Juda Ben Hur”.