Adil Olluri prezantohet në Beograd dhe Kikindë

Kultura December 01, 2017 - 11:24

Shkrimtari nga Kosova, Adil Olluri, do të prezantohet para publikut në Serbi. Olluri është ftuar të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar “Kikinda Short”, i cili mbahet në dy qytete të Serbisë, në kryeqendër, përkatësisht në Beograd dhe në Kikindë, shkruan "Zeri.info".

Lajmin e ka bërë të ditur vet shkrimtari Olluri, përmes rrjeteve sociale. Ai ka konfirmuar se para publikut atje do të lexojë dy tregime të tij. Ata janë “Kthimi i babait” dhe “Letër babait”.

“Tregimet e mia do të lexohen në Festivalin Ndërkombëtar ‘Kikinda Short’, që do të mbahet me 15 dhe 16 dhjetor të këtij viti. ‘Kikinda short’ është një nga evenimentet më të rëndësishme letrare në Evropën Juglindore. Ai është festival dyditor, ekskluzivisht për tregimin e shkurtër, që organizohet në dy qytete të Serbisë, Kikindë dhe Beograd.

Unë do të prezantohem me dy tregime ‘Kthimi i babait’ dhe ‘Vdekja e autorit’. I pari është pjesë e librit tim me tregime ‘Shumë rrugë dhe një rënie’ (2013, ribotim 2017), ndërsa i dyti është shkruar tash së voni”, ka shkruar Olluri në Facebook.

“Kikinda Short” është një festival për tregime të shkurtra që zhvillohet në pjesën më veriore të Serbisë, në qytetin e Kikindës. Qyteti është vetëm disa milje larg nga Hungaria dhe Rumania dhe organizatori donte të përfitonte nga pozita unike gjeografike që lidhë Evropën Juglindore me atë të Mesme.

Qëllimet kryesore të festivalit janë: 1) Takimi dhe lidhja e autorëve të rinj të Evropës së Mesme dhe Juglindore me redaktorët, botuesit dhe interpretuesit e rajonit si dhe me pjesëmarrësit nga e gjithë bota, me të cilën fiton festivali në varietetin e saj; 2) Pohimi i tregimit të shkurtër si zhanër letrar i lënë pas dore; 3) Popullarizimin e leximit, kryesisht në mesin e nxënësve të shkollave të mesme; 4) Afirmimi i tolerancës dhe ndryshimeve kulturore.

Që nga viti 2006, u mbajtën nëntë edicione të këtij festivali, me pjesëmarrjen e mbi 160 autorëve nga 28 vende (Shqipëria, Austria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kanadaja, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Greqia, Holanda, Kroacia, Hungaria, Italia, Lihtenshtajni, Maqedonia, Mali i Zi, Norvegjia, Gjermania, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Serbia, Spanja, Zvicra, Ukraina dhe Britania e Madhe)./ZERI

A.S.