Dashuri e ndaluar në një shoqëri kontradiktore

Kultura December 01, 2017 - 11:17

Filmi nga Kosova, “Martesa”, i regjisores Blerta Zeqiri pati premierën botërore në një festival të kategorisë “A” në Tallinn të Estonisë më datën 28 nëntor. Bëhet fjalë për festivalin “PÖFF | Tallinn Black Nights Film Festival”. Për të parë se si po e pret publiku estonez filmin, që u shfaq dy herë në kuadër të këtij festivali, atje të pranishëm ishin regjisorja Blerta Zeqiri, producenti Kreshnik Berisha, aktorët Alban Ukaj dhe Genc Salihu si dhe drejtori i QKK-së Arben Zharku, shkruan "Zeri.info".

Përveç që ishte një prej tre filmave të rekomanduar në mediat estoneze, për filmin “Martesa” shkroi një analizë edhe magazina më e madhe evropiane e filmit, Cineuropa.

Kjo magazinë shkruan se filmi i regjisores kosovare Blerta Zeqiri, pati një debutim shumë të mirë duke sjellë një histori dashurie të hartuar shkëlqyeshëm nga një këndvështrim i komunitetit LGBT.

“Blerta Zeqiri është ndoshta një nga emrat më të njohur mes filmbërësve nga Kosova, në sajë të filmave të saj të shkurtër, sidomos ‘Kthimit’ të vitit 2012, i cili mblodhi shpërblime në Sundance dhe Sarajevë. Filmi i saj më i ri, ‘Martesa’, është shfaqur premierë botërore në Talin Black Nights, dhe është një nga debutimet më mbresëlënëse evropiane të vitit”, shkruan Cineuropa.

Sipas kësaj magazine, qysh në fillim regjisorja e bën të qartë se shoqëria ku është vendosur ngjarja është kontradiktore. Shkrimi sqaron se filmi “Martesa” flet për një çift në të tridhjetat, Bekimi (Alban Ukaj) dhe Anita (Adriana Matoshi), të cilët po planifikojnë martesën. Ata janë duke zgjedhur njëkohësisht një kuzhinë dhe duke planifikuar jetën e tyre deri sa janë edhe duke pritur nëse eshtrat e prindërve të Anitës, të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, do të kthehen nga Serbia.

“Bekimi është pronar i një bari dhe një mbrëmje teksa është atje me Anitën ai merr një surprizë: Shoku i tij i vjetër, Noli (Genc Salihu) është kthyer nga Franca, ku po studion dhe po ndjek një karrierë muzikore. Së shpejti, Bekim dhe Anita do të hyjnë në një konflikt shumë serioz dhe të paarsyeshme, arsyeja e të cilit është e vështirë për t'u shpjeguar. Pasi pajtohen sërish, çifti shkon në një darkë në shtëpinë e familjes së Bekimit por Bekimi thirret papritmas për të marrë Nolin në Stacionin e Policisë. Ai është rrahur nga ekstremistët fetarë dhe kjo skenë na konfirmon natyrën e vërtetë të marrëdhënies së dy burrave. Pasi Bekimi merr Nolin në shtëpinë e tij, Zeqiri na jep një nga skenat më të apasionuara dhe të paharrueshme për homoseksualët”, sqaron Cineuropa, duke shtuar se ndonëse regjisorja e përfundon filmin me dasmë, ajo cfarë ndodh atje nuk është aspak ajo çfarë jemi mësuar të shohim në filmat që përfundojnë me martesë.

Magazina e filmit evropian vlerëson përpjekjen e regjisores Zeqiri për të vënë në qendër një histori të dashurisë universale në këtë kontekst shumë të veçantë.

“Të tre heronjtë janë personazhet të vërteta prej mishit dhe të gjakut dhe gjendja e tyre është absolutisht reale. Kjo vjen si rezultat i idesë së qartë të Zeqirit se çfarë do dhe si do ta arrijë atë. Ajo e bënë këtë me kujtimet e personazheve, duke treguar kështu marrëdhënien e tyre”, theksohet në analizën e Cineuropës.

Për performancën e tyre vlerësohen edhe secili nga aktorët. Ata cilësohen si jo vetëm shumë të mirë, por edhe të frymëzuar. Shkrimi thekson se Alban Ukaj është një nga aktorët më të njohur të regjionit ballkanik të brezit të tij, i cili gjithashtu kishte një rol në “Silence of Lorna” të Dardenne Brothers, kurse për Adriana Matoshin përmendet fakti se është një nga aktorët më të shpërblyera që sivjet mori pjesë edhe në festivalin prestigjioz Karlovy Vary me filmin “Të padashtun”. Kurse për Genc Salihun, që është një muzikant i famshëm në Shqipëri e Kosovë, Cineuropa thotë se duke pasur parasysh që në rolin e tij të parë tregon aftësi performuese, ka shumë gjasë që karriera e tij mund të marr drejtime të tjera artistike./ZERI


 

Image