Ekspozita humanitare me fotografi artistike ‘Explore Kosovo’

Kultura November 30, 2017 - 11:54

Fotografët, Fahredin Spahija, Bujar Gashi, Arben Llapashtica dhe Arben Islami, me fotografitë e tyre që për publikun do të jenë në shitje, sjellin përmes artit të tyre fotografik bukuritë dhe veçantitë e Kosovës, shkruan zeri.info.

Ekspozita e artit fotografik “Explore Kosovo” që si ide fillestare ishte dhënë nga fotografi Bujar Gashi, e pastaj u përkrah edhe nga tre fotografët tjerë Fahredin Spahija, Arben Llapashtica dhe Arben Islami, ngërthen në vete dy qëllime. Qëllimi i parë është që të krijohet një ngjarje kulturore që do të mundësonte mbledhjen e mjeteve financiare për t'i ndihmuar fëmijët dhe të rriturit në nevojë. Mjetet e mbledhura nga shitja e fotografive do të shpërndahen përmes shoqatës angleze “The Ideas Partnership”, e cila është një nga mbështetësit e kësaj ekspozite.

Qëllimi i dytë i ekspozitës “Explore Kosovo” është që të promovojë bukuritë dhe veçantitë e Kosovës përmes fotografive të shkrepura nga këta katër autorë, të cilat do të ekspozohen në një nga hapësirat e hotelit “Princi i Arbërit”, pronari i të cilit është mbështetësi më i madh i këtij aktiviteti kulturor-humanitar, me ndihmën e të cilit janë shtypur të gjitha fotografitë e kësaj ekspozite.

Fotografitë e ekspozitës janë kryesisht peizazhe që prezantojnë bukuri nga pjesë të ndryshme të Kosovës.

Ekspozita humanitare “Explore Kosovo” do të hapet më 6 dhjetor, në orën 18:30 në hotelin “Princi i Arbërit” dhe do të jetë ngjarje njëditore. Zëri