Apeli i arbëreshëve drejtuar Papa Françeskut

Kultura November 29, 2017 - 12:54

Shenjtërisë së Tij, Françeskut, Papa i Romës, (Komiteti italo-arbëresh "Pro Erigenda Metropolia Ecclesiastica")

Shenjtëri,
jemi besimtarë katolikë-laikë të Kishës Arbëreshe që duam t’Ju lutemi mbi ngurrimin e tejzgjatur të Klerit tonë në kërkimin e mundësive të reja për të forcuar, për sot dhe për të ardhmen, veçantinë e Bashkësisë sonë fetare me origjinë shqiptare dhe me traditë bizantine.

Duke mos mundur që të kemi ndihmën e Konferencës Ipeshkvnore Italiane, institucion relativisht i ri dhe që nuk e njeh sa dhe si duhet historinë tonë të shkuar, dhe as të Kongregacionit për Kishat Lindore që nuk i është përgjigjur kërkesave të përsëritura të eksponentëve tanë, po iu drejtohemi drejtpërdrejt  Juve, Shenjtëri, të vetëdijshëm që vazhdimësia e përvojës sonë si të krishterë të traditës lindore të lidhur fort me Romën, varet nga urtësia e Selisë së Shenjtë dhe e Shenjtërisë suaj.

Hyrje
Në Itali jetojnë nga më shumë se 550 vjet qytetarë italianë me prejardhje dhe gjuhë shqiptare dhe me tradita kanonike-liturgjike bizantine; ata quhen ARBËRESHË dhe i kanë rezistuar latinizimit të pësuar nga arbëreshë të tjerë. 

Ekzistenca e tyre si të shpërngulur në Itali, nga pushtimi turk-osman i atdheut, ka qenë problematike, sidomos në aspektin fetar. 

Megjithatë, Selia e Shenjtë i ka mbrojtur gjithnjë komunitetet arbëreshe nga padrejtësitë e sundimtarëve vendas dhe të  empiètements të ipeshkvinjve latinë, mbas ndërprerjes së çdo marrëdhënie të arbëreshëve me hierarkinë kishtare të vendit amë.


Në fakt shumë kohë më përpara që Republika Italiane të njihte statusin e tyre juridik si Pakicë Gjuhësore Historike (Ligji 15 dhjetor 1999, n. 482), Selia e Shenjtë kishte ngritur për ta Kolegjin Grek të Romës në shekullin XVI dhe, më vonë, në shekullin XVIII, dy “Ipeshkvinj Shugurues për ritin Grek” (nënkupto: arbëresh) dhe dy Kolegje studimi në Shën Mitër Koronë (San Demetrio Corone – CS) dhe në Palermo.

Në vijim, shek. XX, Selia e Shenjtë krijoi dy Eparki: në Ungër (Lungro - provinca e Kozencës) dhe në Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëve - provinca e Palermos), duke i shënuar në Vjetorin Papnor si “Kisha Italo-Shqiptare”, së bashku me Abacinë (Manastirin) italo-greke të Shën Mërisë së Grottaferrata-s. Edhe kjo Abaci (ky Manastir), e banuar në kohët e vona më së shumti nga murgj me prejardhje arbëreshe, ka pasur përkujdesjet më të mëdha nga Papët e Romës, deri në shpalljen “hezarkike” apo abaci nullius.

Këto tri Qarqe fetare, duke marrë shkas nga Koncili i Dytë i Vatikanit, që ka njohur dhe lavdëruar rolin e Kishave Lindore, do të ishte dashur që të shfaqnin menjëherë instancë Autoritetit Suprem  për t’u bashkuar në një Mitropoli. 

Do të ishte korrigjuar kështu një vulnus që bën që komuniteti më i vjetër lindor) katolik i pranishëm në Itali, siç është ai arbëresh, të jetë ende pa një institucion kanonik tradicional siç e ka çdo Kishë Lindore në bashkim me Ipeshkvin e Romës: Patriarkanë, Kryeipeshkvi, Mitropoli. 


Të kihet parasysh që Arbëreshët e Italisë kanë qenë dhe janë gjithmonë të bashkuar me Kishën e  Romës, duke ndjekur me këtë linjën e Kishës Ilirike deri në krizën ikonoklaste të rimarrë përsëri me Koncilin e Firences. Ata nuk janë “uniatë”, por “ortodoksë me Romën” dhe përbëjnë një rast tepër të veçantë, një unicum në historinë e Kishës Universale, ku një meritë të veçantë për këtë ka Kisha Katolike e Romës, mbrojta e të cilit duhet garantuar.


Së fundi (në vitet 2004-2005), të tri Qarqet Kishtare kanë celebruar së bashku një Sinod Ndërheparkial, vendimet e të cilit janë miratuar nga Papa Benedikti i XVI-të në vitin 2010. 

Mënyra sinodale e ndjekur në këtë kontekst dhe vendimet e marra në të, na dukeshin si përfytyrim i një angazhimi që në mënyrë natyrore do të çonte në formimin e një MITROPOLIE. Për fat të keq, as në këtë rast nuk u shtrua një kërkesë e tillë nga Ipeshkvinjtë tanë.

Vërejtje
Ai që nuk ka inkurajuar një kërkesë të tillë, siç i duket këtij komiteti, është Dikasteri të cilit i përket mbrojta e Kishave Lindore katolike në botë që, sipas mendimit tonë, tash disa kohë nuk mbron sa duhet Kishën tonë Arbëreshe, duke mos përgatitur sa dhe si duhet klerin, formimi i të cilit lë për të dëshiruar, si për shembull në Siqili, ku arrijnë në dioqezë pa i njohur dhe gati duke përbuzur traditat e popullit të cilit i përkasin, apo duke emëruar, siç ka bërë tash disa kohë në Piana degli Albanesi (Hora e Arbëreshëve), Delegatë, Administratorë Apostolikë etj., të cilët nuk arrijnë që t’i japin impulse përtëritëse shpirtit të kësaj pjese të Kishës Arbëreshe, traditave e zakoneve të saj, gjuhëve dhe këngëve liturgjike: të gjitha këto shprehje dhe dëshmi të fesë së krishterë, të jetuara në gjendje pakice dhe shpeshherë të vëna në shënjestër.

Edhe pse lëvrues i risive hipotetike të ardhshme administrative të menduara, me sa duket, brenda këtij Kongregacioni, të paramenduara pa konsultimin e klerit dhe të popullit, nuk na duket e udhës që Dhespoti aktual i Eparkisë së Horës së Arbëreshëve (Piana degli Albanesi) të nënvleftësojë dhe të diskriminojë çdo gjë që ne me dashuri dhe përkushtim kemi ruajtur në shekuj, kur është botërisht e njohur që antropologjia dhe baritorja na tregojnë që në traditat e shëndosha të një populli qëndron baza për një ungjillizim të ri.
Në mënyrë të veçantë duam të sinjalizojmë që format e ndryshme të veçanta të eksperiencës katolike orientale, të pranishme në realitete të ndryshme kulturore dhe fetare në Itali, nuk mund të bashkohen tout court në një kuadër të vetëm teo-ideologjik të parapërgatitur artificialisht. Nuk mund të justifikohen krijesa të tilla hibride, të ndërtuara nga bashkimi i elementëve të ardhur si pasojë e ndryshimeve gjeopolitike të reja, me realitete autentike që kanë zënë rrënjë në Itali mbi baza të qëndrueshme fetare, historike dhe kulturore. 

Na duket se, me t’u vendosur marrëdhëniet e drejtpërdrejta me Ortodoksinë greke dhe sllave, Kongregacioni Oriental e sheh tani Bashkësinë Arbëreshe, Kishë orientale historikisht dhe gjeografikisht më e afërta me Selinë e Romës, si një peshë dhe jo më si një burim, duke harruar të shkuarën aq të pasur me bashkëpunime dhe shërbime për kauzën e ekumenizmit, siç e kanë theksuar i Lumi Papa Pali VI, Papa Shejt Gjon Pali II dhe Papa Benedikti XVI.
Sipas kësaj linje, më tepër “eversive” sesa pastorale, na duket se është ideuar emërimi i Dhespotit aktual të Horës së Arbëreshëve, për çka kërkojmë një shqyrtim për të verifikuar se një zgjedhje e tillë është bërë me vend apo jo. Nuk mund të pranojmë të bëhemi destinatarë të një anateme (mallkimi) as të një gjenocidi të vërtetë të ritit dhe kulturës sonë, që na bën të kujtojmë kohën, fill mbas Koncilit të Trentos, kur, nëse nuk arrihej latinizimi i kësaj Bashkësie, për të mos e quajtur Kishë ishte zbuluar termi zvogëlues Rit.


Duke konsideruar të gjitha këto, ky Komitet dhe duke interpretuar ndërgjegjen e përbashkët dhe ndjesinë e tanishme të përhumbjes që ndjejnë Arbëreshët përpara tradhtisë së ndjenjave të tyre më të thella dhe të historisë shumëshekullore, dhe duke i kujtuar Shenjtërisë Suaj: "marrëveshjen e besnikërisë”, jo të shkruar, por të mbajtur gjallë tash qindra vjet ndërmjet Arbëreshëve dhe Selisë së Romës; shërbimin e bërë prej tyre ndaj Selisë së Shenjtë me misionet katolike në Shqipëri gjatë pushtimit otoman; përkushtimin e tyre “që herët në ekumenizmin modern” (Papa Paolo VI-të);
besnikërinë e Arbëreshëve ndaj Shtetit Italian, për formimin dhe demokratizimin e të cilit kanë kontribuar me eksponentë të tyre të shquar; dëshminë e tyre si pjesëtarë të Kishës së pandarë, fragmenti i fundit i asaj Kishe Ilirike lindore, të formuar nga shën Pali, me traditë lindore e perëndimore, gjithmonë në bashkim me Ipeshkvin e Romës, nga i cili u shkëputën me forcë nga ikonoklasmi, por nga i cili u kthyen pa ngurrim me asnjëherë të mohuarin Koncil i Firencës; rolin e identitetit fetar, kulturor dhe civil që Arbëreshët e Italisë të traditës bizantine, nëse do të jenë të udhëhequr mirë nga ana baritore dhe kulturore dhe të përfaqësuar mirë në nivelin e Mitropolisë, do të vazhdojnë të luajnë në raport me Shqipërinë dhe Ballkanin, si një kujtim i epokës së para pushtimit turk, i drejton apel shenjtërisë suaj që aq shumë e do Popullin Shqiptar, degë e vjetër dhe “gjak i shprishur” i të cilit jemi, për tolerancën fetare që ushtron dhe për Martirët e vjetër dhe të rinj të tij, që të ngrihet Mitropolia e Kishës Arbëreshe të Italisë, duke i besuar figurës së  Mitropolitit  funksionin e  Kryetarit të Ritit  ashtu siç i njëjti funksion i është  besuar Arqipeshkvit të Milanos për  Ritin Ambrozian.

Ju falënderojmë, Shenjtëri, për vëmendjen që do t’i kushtoni kërkesës sonë dhe me devotshmëri lusim bekimin Tuaj apostolik
Piana degli Albanesi – Lungro, 5 korrik 2017
Presidenti: Salvatore La Barbera, ufficiale r.t. (oficer në lirim) dhe Sekretari: Prof. Giuseppe Chiaramonte, bibliot.