Në Universitetin “Ukshin Hoti”, nesër, Artan Nimani, përuron librin e ri

Kultura November 28, 2017 - 14:33

Festën e 28 Nëntorit, Ditën e shenjtë kombëtare, Artan Nimani, ka vendosur ta bëj më madhështore për karrierën e tij, për opinionin shkencor dhe akademik, duke promovuar edhe një botim të ri, në Universitetin “Ukshin Hoti”, në Prizren.

Z. Artan Nimani, dje ushtar i lirisë, sot studiues e profesor universitar, ka theksuar se “kësaj feste madhështore, i japim edhe më shumë vlerë, kur e kurorëzojmë punën tonë me vepra në shërbim të brezave”.

Libri më i ri, “Bazat e menaxhimit ndërkombëtar”, shpie përpara dijet e kësaj shkence ndër ne, duke u bërë pjesë e të arriturave që tejkalon kufijtë nacional e gjuhësor.

Lidhur me këtë, Artan Nimani ka shkruar në rrjetin social: “Sot, duke kujtuar altruizmin e gjeneratave të tëra për lirinë tonë, përkushtimin e angazhimin për dije, shtet e përparim, i përkulem veprës dhe jetës së dëshmorëve tanë, martirëve dhe të gjithë kontribuuesve për lirinë tonë.

Kësaj feste madhështore, i japim edhe më shumë vlerë, kur e kurorëzojmë punën tonë me vepra në shërbim të brezave.

Nesër, do ta bëj promovimin e librit si kurorëzim i punës e përkushtimit tim disavjeçar, në frymën e analizës së dijeve më të arrira për menaxhimit ndërkombëtar. Falënderoj bashkëpunëtorët dhe recensentët për durimin e tyre, që kjo vepër imja, të jetë e tillë”.