28 Nëntori i një artisteje tiranase në Prishtinë

Kultura November 27, 2017 - 08:28

Flautistja e mirënjohur nga Shqipëria, Enkelejda Zajmi-Gorani, çdo 28 nëntor e pret në Prishtinë.

Në fakt ajo jeton këtu që nga viti 2000, pasi ka krijuar familje me bashkëshortin e saj, i cili është nga Kosova, shkruan "Zëri".

Për të martesa dhe shpërngulja për jetesë dhe zhvillimi i karrierës artistike nga Tirana në Prishtinë erdhi natyrshëm, prandaj edhe Festën e Flamurit e përjeton të plotë në kryeqytetin e Kosovës.

“Për Festën e Flamurit jam gjithnjë në Kosovë. Dhe çdo vit, teksa shoh flamujt që valëviten mendoj se çfarë kemi bërë në atë vit që ta nderojmë këtë flamur dhe ato burra dhe gra që janë sakrifikuar për këtë flamur”, thotë Enkelejda për "Zërin".

Ajo thekson se meqenëse edhe babi i saj ka origjinë nga Kosova, edhe pse e shkolluar dhe e punësuar në Tiranë, shpërngulja nuk ishte problem.

“Ishte si një shpërngulje nga një krahinë në një tjetër, nga një qytet i Shqipërisë në një qytet tjetër. Të paktën unë kështu e mendova dhe kështu jam rritur në familje. Me këtë frymë që jemi një vend, por i ndarë nga vullnete dhe forca externale historike”, shprehet flautistja.

LEXO EDHE: “Qëndresa”, 20 vjet pas

Ajo konsideron se ndër vite Tirana e Prishtina kanë gjetur çdo ditë e më shumë gjuhë të përbashkët, por ekzistojnë ende disa sfida.

“Kur jemi në fatkeqësi i gjendemi njëri-tjetrit, kur jemi mirë fillojmë të shtyhemi duke u anatemuar me ju të Shqipërisë apo ju të Kosovës. Kam bindjen se kjo jo vetëm që nuk i shërben funksionimit si një komb i vërtetë, por është një pengesë për shoqëritë tona, duke menduar se secila shoqëri është më e mirë se tjetra. Kemi shumë punë për të bërë me veten nëse duam të funksionojmë si kombet e civilizuara”, konsideron ajo.

Duke folur për zhvillimet e muzikës klasike, flautistja e Filarmonisë së Kosovës shpreh keqardhje për mungesën e teatrit të operës dhe të baletit në Prishtinë.

“Fatkeqësisht një institucion si teatri i operës dhe baletit ende nuk ekziston në Kosovë. Edhe pas 17 vjetësh Kosova është deficitare për një institucion të tillë kulturor”, thotë Enkelejda, duke shtuar se arsyetimin se kemi qenë në luftë nuk duhet ta përdorim më.

“Ju falënderoj për mundësinë që më dhatë dhe i uroj të gjithë publikut të Kosovës që na mbështet, gëzuar Ditën e Flamurit dhe uroj që viti tjetër të na gjejë me një zhvillim cilësor në këtë lëmi”, përfundon ajo.

Enkelejda ka studiuar në Akademinë e Arteve të Tiranës, në grupin e profesorit Gjovalin Shestani. Ajo punoi rreth 10 vjet në Teatrin e Operës dhe të Baletit në kryeqytetin shqiptar. /ZËRI/