“Qëndresa”, 20 vjet pas

Kultura November 27, 2017 - 08:21

Në vigjilje të Festës së Flamurit mund t’i veçojmë shumë projekte kinematografike që kanë trajtuar çështjen e shqiptarëve, apo vështirësitë e banorëve të të dyja anëve të Drinit në periudha të caktuara historike.

Kësaj radhe kemi vendosur ta kthejmë kokën nga një film i veçantë, trepjesësh, realizuar nga Adem Mikollovci, që sigurisht ka mbetur në kujtesën e publikut.

Në qendër të tij, krahas ndodhive të kohës kur është realizuar, është femra, është kryepersonazhi Qëndresa. Ishte viti 1997 kur u përfundua pjesa e tretë e këtij filmi, e njëzetë vjet pas aktorja Flutura Zeneli flet nëZëripër "Qëndresën", për rolin e saj të parë dhe për eksperiencën e jashtëzakonshme, kur edhe rrethanat ishin të tilla.

“Sa herë që unë flas për "Qëndresën" kam shumë mall për atë kohë që kaluam si ekip dhe shumë trishtim, duke e pasur parasysh situatën e rëndë politike të asaj kohe”, nis kështu rrëfimin e saj Flutura.

Ajo kujton se, meqenëse ishte ende në fillim të studimeve, në Akademinë e Arteve në Prishtinë, i është dashur miratimi i profesorit Faruk Begolli që ta pranojë rolin e ofruar nga Adem Mikullovci.

“Kam qenë dhe jam shumë falënderuese që të dy ma besuan këtë rol, që kishte peshë të madhe për atë kohë, duke vazhduar të jetë i rëndësishëm nëpër kohë.

Rikujtojmë se në këtë film paraqiten edhe aktorët: Hadi Shehu, Reshat Arbana, Jehon Gorani, Besnik Mikullovci, Mevlan Shaqiri, Lirak Çelaj, Fatime Bunjaku, etj.

Kur e pyesim për vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar ata si ekip, Zeneli thotë se për gjeneratat e sotme ato mund të jenë edhe të paimagjinueshme.

“Gjeneratat e sotme nuk munden as ta imagjinojnë atë periudhë ndoshta. Ka qenë kohë tepër e vështirë. Kemi shkuar fshehurazi në vendxhirim, kryesisht nëpër fshatra. Kemi xhiruar fshehurazi. Është montuar projekti fshehurazi nga Policia e Ushtria serbe. Nuk kemi pasur liri të lëvizjes, nuk e kemi ditur se çka do të ndodhë me ne. Çdo minutë e xhirimit ka qenë me frikë, por që ne e kemi pasur qëllimin tonë dhe kemi ditur ta përcjellim regjisorin tonë, Adem Mikullovcin, në çdo hap dhe ia kemi dalë. Kemi xhiruar nën breshëri të plumbave ndonjëherë. Ekipi ka qenë i ndaluar nga Policia rrugës me gjithë materialin e xhirimit. Janë maltretuar dhe u është konfiskuar materiali i xhirimit e tema e filmit ka qenë mjaft e ndjeshme. Flitej për UÇK-në, flitej për djemtë shqiptarë që bënin shërbimin ushtarak të asaj kohe dhe ktheheshin në kufoma. Fatmirësisht Policia nuk e kanë marrë atë material xhirimi”, tregon ajo.

Duke qenë se "Qëndresa" ishte rol që përçonte forcën e femrës, rolin e saj në familjen shqiptare, kontributin në rrethanat kur liria kërkohej e raportin me babanë e vëllezërit, Zeneli thotë se e ka ndier peshën e këtij roli.

“E kam ndier peshën e atij roli edhe në fillim, por thënë të drejtën ndër vite e kam ndier edhe më shumë peshën e rolit pas vlerësimeve të publikut në atë kohë, por që edhe sot vazhdojnë të më flasin për rolin e Qëndresës si një heroinë dhe kur e kthej kohën mbrapa e analizoj më mirë rolin dhe e vlerësoj peshën e tij pak më ndryshe, kuptohet dhe gjithmonë them se do të kisha mundur ta bëj edhe më mirë”, thotë Flutura.

Ajo shprehet e nderuar që ka punuar me Adem e Lumnije Mikullovcin dhe gjithë pjesën tjetër të ekipit, më të cilët ruan raporte të mira.

“Për mua ka qenë jo vetëm kënaqësi, por edhe privilegj të bashkëpunoja ngushtë me gjithë ekipin e projektit. Baca Adem dhe Lumnije Mikullovci kanë bërë një punë tepër të madhe dhe e marr të drejtën dhe guximin të them se ata janë patriotë të vërtetë dhe heronj të asaj kohe dhe jo vetëm ata dy, por i gjithë ekipi dhe njerëzit që na kanë ofruar gjithçka. Jo vetëm shtëpitë e tyre e ushqimin, por gjithçka humane”, thekson Zeneli.

Ajo kujton së përveç Kosovës në rrethana mira nuk e gjetën as Shqipërinë e vitit 1997.

Megjithatë, siç tregon Zeneli, edhe me atë pjesë të ekipit kaluan një eksperiencë të mirë dhe edhe në pjesën tjetër të atdheut gjetën shtëpi mikpritëse që u ndihmuan në finalizimin e këtij projekti, që ndër të tjera flet edhe për arratisjet e shqiptarëve të Kosovës drejt Shqipërisë.

Aktorja Zeneli ua uron shqiptarëve 105-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke pohuar se të ardhmen e ndritshme aq sa ua kemi borxh gjeneratave të reja, ia kemi edhe brezit të kaluar që u angazhua në këtë drejtim.

Aktorja Flutura Zeneli prej vitesh jeton mes Francës dhe Kosovës. Atë ka kohë që nuk e kemi parë me ndonjë rol të ri. /ZËRI/