Më pëlqen të shoh ëndrra

Kultura November 25, 2017 - 08:38

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit", prezantojmë aktoren Xhejlane Tërbunja, e cila njihet për rolet e saj nëpër filma e seriale vendore. Veçmas është bërë e njohur nga seriali humoristik "Vikendi"

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Duke e kujtuar thënien e Ajnshtajnit "Vetëm budallallëku dhe universi nuk kane kufi, limit", shpesh mendoj kujt i ngjajmë ne, budallallëkut apo universit. Derisa universi është plot mistere dhe ngjyra, budallallëku është shumë i qartë dhe në të njëjtën kohë plot me befasi. Dhe derisa njerëzimi merret me çështjet e hapësirës, budallallëku e ka kapluar tokën. Po kjo nuk është përgjigjja ime në pyetjen tuaj. Përgjigja ime për pyetjen tuaj i ngjan më shumë një konkurrenteje për miss universi. D.m.th. pyes veten: a thua qysh kish me qenë bota sikur njerëzit ta kishin pasur të njëjtin standard të jetës. Me u duk njësoj, me fituar njësoj, me qenë të lumtur të gjithë, të dashur e te sinqerte me njeri -tjetrin, mos me pas luftëra, mospajtime...

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Dita më nisë me procedurat e mëngjesit të njëjta si të secilit njeri, mirëpo pa ritualin e kafesë, sepse nuk e pi. I shfrytëzoj prindërit e mi për transportin deri në Mitrovicë për xhirimet e emisionit “Vikendi”. Mbas xhirimit kthehem në shtëpi, gjithmonë pushoj pak duke u sill nëpër rrjetet sociale kot, duke i shmangur videot apo statuset që të mërzisin. Nëse nuk kam punë të tjera, në mbrëmje takohem me miqtë e mi për një gotë çaj, verë ose birrë. Kur kthehem në shtëpi, varësisht prej disponimit lexoj diçka, shoh ndonjë film, shkruaj ndonjë poezi, ndoshta flas me dikë që më pëlqen në fshehtësi. Flej vonë, mbas orës 1 ose 2, sepse mërzitem me fjet herët. Edhe shoh ëndrra pothuajse çdo natë, më pëlqen qe mundem të shoh ëndrra.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Librin e du shume ne përgjithësi. Sot, para se t’u përgjigjem pyetjeve tuaja, e përfundova “Ditari Sekret” të Pushkinit. Një libër i një natyre krejt ndryshe prej të gjithë librave që kam lexuar. Nuk flet për shumë dimensione jetësore. Është i gozhduar për natyrën e femrës, filozofinë dhe anatominë e trupit dhe sexit femëror. I guximshëm skajshmërisht. Nejse, libri që siç po e quani ju që më rri në vitrinën e mendjes është një libër nga fëmijëria “Robinson Crusoe”, novela nga Daniel Defoe, përplot aventura dhe magji.

Para dy viteve, duke shëtitur në Stamboll, e kam gjetur këtë libër në një librari që po mbyllej, të ilustruar nga një ilustrator rus Feodor Rosankovsky, në një format shumë të madh dhe me ilustrime fantastike. E kam blerë për mbesën time 4 vjeçe, që kur të rritet ta lexojë.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Unë e dua shumë , gjithmonë e kam dashur vendin tim. Njerëzit , populli ynë është i veçantë, i mirë, i ngrohtë. Kujdesemi për njëri- tjetrin, kemi konsideratë për njeri- tjetrin. Jemi origjinal. Një vend i vogël si ky i yni, me një rini fantastike, plot gjallëri, te bukur, të mençur, të talentuar. Sa bukur të mendosh që gjithçka kish me qenë e thjeshtë kur i numëron gjithë këto elemente pozitive. Po pse ndodh që pikërisht në këtë kohë të vëmë në mëdyshje shpesh dëshirën për të qëndruar ende në këtë vend. Fatkeqësisht dëgjoj pothuajse çdo ditë njerëz të dëshpëruar që duan të ikin prej këtu, kryesisht të rinj. Në një formë ose tjetër pak e dëshpëruar, e zhgënjyer ndihem ne këtë periudhë.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Përkundër të gjithave, unë besoj që kultura po ecën mirë. Po mendoj që po zhvillohet arti. Edhe pse me mundësitë e vobekta të vendit tonë, ka shumë gjëra të bukura që po dalin e po punohen. Ka kaq shumë të talentuar në çdo linjë të artit në Kosovë e tepër më gëzon ky fakt. Mirëpo ka shumë punë që të pastrohen shumë krijime që njerëzit po detyrohen t'i bëjnë për shkaqe ekonomike, financiare. Kultura do të trajtohet më mirë, pastër e bukur. Arti është i ndjeshëm, do kujdes të veçantë. Kisha pas dëshirë ta kuptojnë këtë gjë ata të cilët e kanë në dorë shtetin tonë.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Dje, njerëzit kanë pasur një armik të përbashkët, ndërsa sot të gjithë janë armiq mes vete. Sot, mendoj që gjithçka është në kaos. Njerëzit sot rrallë e dinë çka duan, ku shkojnë dhe pse. Njerëzit sot janë të humbur në përgjithësi. Ka prej atyre që kanë shumë kohë e nuk dinë çka të bëjnë me të, të papunë, nervozë e të lodhur. Ka prej atyre që nuk kanë aspak kohë, të stresuar, nervozë e te lodhur. Nesër, unë jam gjithmonë optimiste. Edhe pse dinamika do të jetë shumë më e shpejtë se sot. Shpresoj që nesër njerëzit do të kenë punë. Shpresoj me qenë më pak të humbur edhe më të qetë.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

“The Dance” Henrie Mattise, piktura që më pëlqen. Një grup njerëzish lakuriq në një rreth duke vallëzuar. Harmonia e asaj pikture, harmonia e vallëzimit lakuriq i njerëzve të kapur përdore, ma krijon një ndjesi qetësie, flladi dhe çlirimi. “Bluebird” Charles Bukowski i mërzitur, i lodhur, i shqetësuar, i shtirur, i lumtur... E kur je me veten, vetëm me veten e nxjerr jashtë e flet e qan me të. Kjo nuk është poezia e Bukowskit, kjo është ajo çka ai thotë përmes kësaj poezie. Nuk po veçoj asgjë prej këngëve, meqenëse ka një kohë të shkurtër që për gazetën tuaj i kam përzgjedh disa këngë për rubrikën “Dialog përmes muzikës”. Periudhën e fundit prej 3-4 vjetësh e kam film të preferuar “Interstellar”, Christopher Nolan, një film komplet, me gjithçka që jeta ka e përtej. Film fantastiko -shkencor, ne kërkim të një planeti tjetër. Film me një skenar super inteligjent. Dramë familjare, dashuri, dhimbje, shumë tension, luftë, paqe...