Shkarkimet pa paralajmërim

Kultura November 23, 2017 - 09:36

Me vendimin e Ministrit të Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Gashi, Këshilli Drejtues i Galerisë Kombëtare të Kosovës, tash e tutje përbëhet nga piktorët Zake Prelvukaj, Enver Hoxha dhe Xhevdet Pantina, Driton Axhani, klarinetistja Malbora Krajku, skulptorja Arjeta Miftari dhe Arlinda Hajrullahu si përfaqësuese e MKRS-së.

Me ketë vendim automatikisht u shkarkua këshill i vjetër, i përbërë nga piktori Esat Valla, karikaturisti Nexhat Krasniqin-Nekra, skupltori Ismet Jonuzi, drejtori i fotografisë Afrim Spahiu, skulptorja Adriana Marku-Sedaj, përfaqësuesi i shoqërisë civile Luan Shllaku dhe Kimete Berisha, përfaqësuese e MKRS-së, i cili këshill kishte edhe dy vite deri në përfundimin e mandatit.

E kontaktuar nga gazeta “Zëri”, ish-kryetarja e Këshillit Drejtues të GKK-së, Adriana Marku-Sedaj, tha se ata nuk u paralajmëruan për këtë shkarkim, por u njoftuan vetëm përmes një mesazhi.

Sipas saj, nuk do të duhej që çështja e këshillave të institucioneve të kulturës të politizohej.

“Për shkarkimin jemi njoftuar me anë të një mesazhi nga ana e drejtoreshës së GKK-së, Arta Aganit. Në fakt nuk e kishim as të qartë a jemi shkarkuar a jo, sepse njoftimi i ministrisë ishte jo shumë i qartë. Në bazë të rregullores ne duhet të ishim paralajmëruar. Ne kemi pasur mbledhje të këshillit atë ditë. Siç duket po e politizojnë këtë punë. Unë i jam drejtuar me një letër ministrit dhe sekretarit, por ata nuk na kanë dhënë ndonjë sqarim. Pastaj kam shkuar edhe fizikisht të takohem me ta. Më kanë thënë se do ta shqyrtojnë këtë, por pastaj u publikuan edhe emrat e këshillit të ri”, tha për "Zëri" Adriana Marku-Sedaj, tashmë ish kryetare e Këshillit Drejtues të GKK-së, duke shtuar se sidoqoftë, i dëshiron suksese këshillit të ri dhe shpreson që puna do të vazhdojë aty ku ka mbetur.

Në anën tjetër, Samir Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Gashi, deklaroi për Zërin se nuk kemi të bëjmë aspak me emërime politike.

Sipas tij, ministri po shfrytëzon kompetencën e vet për të emëruar anëtarët e këshillave, duke theksuar se këshilli i sapo emëruar është krejtësisht profesional.

“Bazuar në Ligjin për institucionet e Kulturës, Statutit të Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe legjislacionit në fuqi, Ministri ka emëruar Këshillin drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës me këtë përbërje: Zake Prelvukaj, Xhevdet Pantina, Enver Hoxhaj, Malbora, Krajku, Driton Axhani dhe Arlinda Hajrullahu, si përfaqësuese e MKRS. Këshillat drejtues të institucioneve të Kulturës janë organe që emërohen nga Ministri, kështu që ministri e ka shfrytëzuar të drejtën e tij ligjore bazuar në mandatin e tij”, tha Hoxha.

Ai theksoi se e njëjta gjë mund të ndodh edhe në institucionet e tjera kulturore, duke pas parasysh se shumë këshillave po u përfundon mandati ose disa prej tyre, siç është ai i Teatrit Kombëtar të Kosovës, kanë mungesë anëtarësh.

Ish-anëtari i këshillit, Afrim Spahiu, thotë për Zërin se lajmin për shkarkimin e këtij këshilli e mori përmes opinionit publik.

“Kam dëgjuar nga të tjerët se ne si këshill jemi liruar nga detyrimi që kishim. Zyrtarisht asnjë njoftim apo bisedë nga Ministria e Kulturës personalisht nuk kam pasur. Kjo është një fatkeqësi e vazhdueshme e asaj që ne themi se nuk kemi politika kulturore, apo kulturë politike. Qëllimi jonë si këshill i konsoliduar dhe emëruar nga ministri i kaluar, Kujtim Shala, ka qenë të kontribuojë maksimalisht për të konsoliduar programin e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Në ketë drejtim bëmë të pa mundurën me kushtet dhe mundësit që kishim. Pasi skadoi mandati i drejtorit të Galerisë, Erzen Shkololli, na u dha detyrimi të zgjedhim drejtorin e ri të Galerisë, me ç’rast u emërua Arta Agani. Nëse pyesim se çfarë kemi bërë gabim, mund të them se si duket ne nuk jemi askushi për askënd, sepse një njeri që ka krijuar për rreth 50 vjet, mund edhe të gabojë, por duhet t’i jepet një njoftim për këtë”, tha Spahiu, duke theksuar se këtë njoftim dhe asnjë vërejtje ata nuk e morën asnjëherë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. /ZËRI/