Baleti kosovar promovohet në UNESCO

Kultura November 22, 2017 - 10:31

Komisioni i Kulturës në UNESCO mbajti punimet nga data 8 deri më 10 nëntor këtë vit, Ndonëse Kosova sivjet nuk ka aplikuar për anëtarësim në këtë organizatë, atje u prezantua nga tre balerinë të Trupës Kombëtare të Baletit, shkruan sot, gazeta Zeri.

Baleti Kombëtar i Kosovës u përfaqësua në Komisionin për Kulturë nga balerini kryesor Sinan Kajtazi dhe balerinët e përhershëm Sead Vuniqi dhe Luljeta Ademi.

Të kthyer nga kryeqendra franceze në Prishtinë, ku po vazhdojnë provat dhe ushtrimet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në kuadër të plan-programit të tyre për sivjet, balerinët rrëfejnë për gazetën “Zëri” eksperiencën e tyre atje.

Sinan Kajtazi tregoi se ata drejt Parisit udhëtuan me ftesën e Rrjetit për Kulturë Evropiane. Sipas tij, kjo vizitë i siguroi Baletit Kombëtar të Kosovës shumë kontakte, të cilat do të përpiqen t’i përdorin në rritjen e aktivitetit të tyre kulturor.

“Ne kemi qenë të ftuar nga organizata joqeveritare Rrjeti për Kulturë Evropiane, e cila është pjesë e UNESCO-s. Sigurisht që ne kemi qenë të ftuar si artistë dhe për qëllim kemi pasur takimet e ndryshme me njerëz të kulturës, baletit në veçanti, me të cilët kemi krijuar kontakte dhe besojmë se këto takime do të jenë frutdhënëse. Baleti i Kosovës që nga viti 2014 është pjesë e Këshillit Ndërkombëtar të Vallëzimit, organizatë kjo nën ombrellën e UNESCO-s dhe takimi me zëvendës-presidentin e këtij këshilli ka qenë një hap shumë i rëndësishëm për ne”, theksoi Kajtazi.

Me vetë në Paris balerinët e Kosovës patën edhe monografinë e botuar me rastin e 45-vjetorit të Baletit Kombëtar të Kosovës. Libri monografikë “Këmbët” është përgatitur nga Naser Shatrolli dhe përmban shkrime për Baletin e Kosovës, marr nga arkiva e mediumeve të ndryshme kosovare. Kjo monografi u dorëzua në Bibliotekën e UNESCO-s.

“Është një fat i madh që monografia e BKK tashmë është pjesë e librarisë së UNESCO-s, si donacion zyrtar i BKK për këtë bibliotekë”, theksoi Kajtazi.

Balerini Kajtazi konsideron se BKK është një institucion që punon pa kursyer asgjë nga vetja.

“Besoj që dora e mbështetjes nga institucionet e kulturës të Kosovës, duhet të jetë edhe më prezente. BKK është një aset me vlerë i Kosovës, kështu që duhet ruajtur dhe mbështetur nga shteti”, theksoi ai.

Edhe për Sead Vuniqin dhe Luljeta Ademin prezantimi në UNESCO dhe qëndrimi në Paris ka qenë një eksperiencë e mirë.

Vuniqi thekson se janë ndier të nderuar që kanë pasur rastin të prezantojnë Baletin e Kosovës para zyrtarëve e përfaqësuesve të UNESCO-s.

“Pritja në UNESCO ka qenë shumë e mirë, duke marr parasysh se kjo nuk ka qenë hera e parë që ne marrim pjesë. Atje jemi takuar me zëvendës presidentin e Këshillit Kombëtar të Vallëzimit dhe me Drejtoreshën e Këshillit Kombëtar të Vallëzimit. Për katër-pesë ditë misioni ynë ka qenë të prezantojmë në mënyrën më të mirë të mundshme punën e Baletit të Kosovës dhe besoj që ja kemi dal”, theksoi Vuniqi.

Aktualisht Trupa Kombëtare e Baletit po mban provat për një shfaqje të re të cilën do ta sjellë premierë më 21 dhjetor. Koreografinë e kësaj shfaqje po e bën një koreograf gjerman dhe po e njëjta shfaqje në prill të vitit të ardhshëm do të jepet katër herë në Berlin dhe tri herë në Hamburg.

Pjesëmarrja dhe takimet në Paris, në margjinat e punës së Komisionit përbëjnë një pasuri të madhe për Baletin Kombëtar, por gjithashtu një domosdoshmëri për promovimin e profilit kulturor të Kosovës në nivel evropian dhe ndërkombëtar.

Shumë ngjarje paralele organizohen në margjinat e Konferencës së Përgjithshme, duke përfshirë prezantimet dhe debatet mbi çështjet kyçe në të gjitha fushat e kompetencave të UNESCO-s: arsim, shkencë, kulturë, informim dhe komunikim.

Ky mision u mundësua nëpërmjet mbështetjes nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Ambasadës së Kosovës në Francë, në partneritet me Rrjetin Kulturor Evropiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, partner zyrtar i UNESCO-s e cila i emëroi artistë kosovarë në mesin e delegatëve të saj, si dhe në mbështetje të Baletit Kombëtar të Kosovës që këtë vit feston 45 vjetorin e themelimit.

Konferenca e Përgjithshme bashkoi 195 shtetet anëtare të Organizatës. Rreth 200 ministra, duke përfshirë arsimin dhe kulturën, morën pjesë në Konferencën e Përgjithshme, e cila miratoi emërimin e Audrey Azoulay, si Drejtore e Përgjithshme e UNESCO-s, në mëngjesin e 10 nëntorit.