“Beter Man”, kënga e dashurisë së jetës

Kultura November 20, 2017 - 10:59

Këtë javë, në rubrikën javore “Rrëfej përmes muzikës”, prezantojmë aktoren Driada Matoshi. Duke folur për këngët që  i veçon, ajo pohon se për të muzika është arti më i përkryer.

“Kam qenë gjithmonë dhe vazhdoj të jem e lidhur shumë fort për të. E vlerësoj dhe e shijoj muzikën e mirë. Si aktore muzika ka zënë vend të rëndësishëm në karrierën time. I jam përkushtuar me pasion mësimeve për muzikën, teknikave muzikale, solfegjos dhe sofistikimit të shijes për të”, thotë Driada, duke shtuar se ndonjëherë edhe e ëndërron veten si yll muzike.

“Sikur të mund të zgjedhja të dëgjoja dhe të bëja muzikë, do të ishte gjëja e parë të cilën do ta merrja, dhe ndonjëherë në kulmin e kreativitetit të ëndrrave të mia e shoh veten sikur ndonjë yll spektkular muzike”, rrëfen ajo për "Zërin".

Nga Edvard Grieg e deri tek Paolo Nutini, kjo është lista muzikore e Driada Matoshit.

Edvard Grieg – Peer Gynt Suites 1 and 2

Këto vepra brilante ma kujtojnë kohën kur në Teatrin Kombëtar po punonim "Natën e 12-të" të Shekspirit. Kolegu im Trimori – kompozitori i shfaqjes në I-podin tim e futi një listë me këngë aq të bukura sa shumicën nga to vazhdoj t'i dëgjoj akoma. Përveç këngëve të Queen, Madness, veprave me perkusione, në listë ishin edhe këngë të vjetra shqipe të Lucie Milotit, këngë të tjera shqipe me vlera nga Vaçe Zela, Nexhmije Pagarusha e Inva Mula.

Peter Green’s Fleetwood Mac - Black Magic Woman

Mësimet e para në muzikë, para se të shkoja në shkollën e ulët të muzikës, i kam marrë nga babai, i cili i binte kitarës dhe pianos. Kur e merrte kitarën për të kënduar bashkë ose për të më mësuar ndonjë këngë të re, gjëja e parë që luante ishte gjithmonë “Black Magic Woman” dhe mua më është dashur ta dëgjoja këtë këngë mijëra herë, deri në fund. Është e bukur, ia vlen.

Pearl Jam – State of Love and Trust

Gjatë kohës së studimeve i kam dëgjuar shumë Pearl Jam, REM, U2, Pink Floyd, Beatles, etj. Koncerti live-unplugged ne MTV i Pearl Jam, vazhdon të mbetet një ndër veprat më të dashura për mua. Më kujton kohën e studimeve, kohë shumë e veçantë në një qytet të ri, me njerëz të rinj dhe me një Driadë të re, e cila ka qenë në vazhdimësi në kërkim të vetes, të punëve që doja të bëja, duke provuar dhe eksploruar gjithçka që më është dukur e  bukur dhe interesante.

Sting – Tomorrow Will See

Më pëlqen kjo këngë, sepse flet më së miri për të drejtat fundamentale të njeriut, dhe kundër paragjykimeve. Kënga i kushtohet jetës së vështirë të një travestidi. Teksti i këngës i shkruar nga Sting, në një gjuhë krejt të thjeshtë, por nga një perspektivë shumë personale dhe intime e personazhit, shkon përtej linjës primare të rrëfimit dhe komunikon në mënyrën më të mirë me natyrën e vërtetë njerëzore, duke dhënë një mesazh të fuqishëm kundër diskriminimit, në baza racore, gjinore apo edhe të orientimeve seksuale.

Suzane Santo – Ghost In My Bad

Një kantautore e re, përplot jetë dhe zë shumë unik. Ka shumë pak kohë që e kam zbuluar, dhe me ka fascinuar me aftësitë e saja kreative- konceptuale. Një artiste e guximshme, që nuk më mërzitë asnjëherë, përveç kësaj, sa herë ia dëgjoj këngët, zbuloj diçka të re, në zë dhe melodi. “Ghost In My Bad” më inspiron të mendoj për gjëra të mëdha dhe të rëndësishme. Më bënë të ëndërroj.

Paolo Nutini – Better Man

“Beter Man” ma kujton dashurinë më të madhe të jetës sime. Vazhdoj ta dëgjoj dhe të ndihem mirë me gjithçka që kjo këngë prezanton për ne. Vazhdoj ta dëgjoj dhe të ndihem e dashuruar. /ZËRI/