Oh – sinekdoka e Pashkut

Kultura November 18, 2017 - 12:38

Vite më parë, duke persiatur për misterin e raportit të veprës, autorit dhe lexuesit, ritheksoja një të dhënë të përbotshme: “Vepra e mirë është si vera. Sa më shumë që të kalojë koha, ajo bëhet gjithnjë e më e dëshiruar. Një vepër e mirë jeton shumë më tepër, sesa krijuesi i saj, i cili ia lë shëndenë kësaj bote, duke ia lënë, megjithatë, edhe një pjesë të vetvetes - Veprën. Brezave që vijnë kjo vepër ua ofron - jo veç si mesazh artistik, po edhe si njëfarë misteri - një pjesë të shpirtit të krijuesit, me tërë rropullitë e tij, edhe mendore, edhe emotive...” 

Në letërsinë e Kosovës, madje në letërsinë shqipe në përgjithësi, romani “Oh” i Anton Pashkut është shembulli më tipik i dëshmisë së kësaj ligjësie universale. I botuar më 1971, ky roman është bërë me kohë shenja dalluese jo vetëm e autorit të saj, por e një brezi të tërë krijuesish, të cilët në letërsinë e Kosovës tashmë janë pagëzuar si “autorët e refuzimit” (shih. Nysret Krasniqi, Letërsia e Kosovës 1953 – 2000, AIKD 99, Prishtinë, 2016). Për më tepër, fryma e asaj kohe, e çliroi letërsinë shqipe nga shkrimi ideologjik, nga propaganda socrealiste, e cila, duke e nxjerrë artin e shkrimit nga shtrati i saj i vërtetë, e kishte shndërruar tashmë letërsinë në një gogol të shëmtuar në shërbim të pushtetit.

“Oh” i Pashkut, është oh i individit përballë shoqërisë, ashtu siç është oh i etnisë, përballë tragjedisë së  përsëritshme, tragjedisë pa fund që buron nga pushtimet dhe tkurrjet. Për më tepër, është një antitezë, një antitezë në mes asaj që ka qenë dikur etnikumi iliro-arbëror, qoftë edhe si idealitet krijimi, si botë imagjinare, dhe asaj që ka mbetur tani nga ai etnikum Porse, kjo pikëpamje, ky refuzim mund t’i atribuohet pa dilemë gjithë atij brezi krijues, që në betejën e madhe për lirinë dhe emancipimin e etnisë e shndërroi refuzimin e shëmtisë/torzos në platformë krijuese e kulturore për theksimin e veçantisë së etnisë në ish-federatën jugosllave. Kjo frymë e intelektualëve të Prishtinës u ngjiz gjatë viteve ’60 – ’70 në botën e letrave dhe, që andej, kaloi në të gjitha dimensionet e jetës shoqërore të shqiptarëve të Kosovës, duke kulmuar në fundvitet ’80 dhe në vitet ’90, kur mori formën e lëvizjes legale për liri e pavarësi, në krye të së cilës qe letrari e dijetari Ibrahim Rugova, njeriu që nga refuzimi estetik kapërceu te refuzimi politik, duke e refuzuar torzon hapur.

Përsëritja e gjymtyrëve të njëjta, ose të përafërta, veçimi dhe topika e tyre, janë elemente të rëndësishme të ligjërimit pashkian. Në romanin “Oh” shembujt e sinonimisë strukturore gjuhësore janë të shumtë, ashtu siç janë të shumtë edhe shembujt e sinonimisë me afri kuptimore. Anton Pashku “nuk e respekton” normën e zakonshme të radhitjes së fjalëve në fjali, të fjalive në periudhë, të periudhave në frazë; Pashku e ka normën e vet, normën e fuqishme të krijuesit... Ai është i veçantë si krijues, por edhe më e veçantë është gjuha e krijimeve të tij. Unik në të dyja, ai mbetet një model i shkrimit dhe i punës me gjuhën.

Në romanin “Oh”, lehtë bie në sy një sintaksë krejtësisht atipike e romanit; së këndejmi, mund të themi se shenjat dalluese të gjuhës së kësaj vepre janë: ndërrimi i funksionit sintaksor të gjymtyrëve, kalimi i tyre nga gjymtyrët kryesore në të varura dhe anasjelltas, përmbysja e rendit sintaksor, inversioni, transpozicioni semantik i foljeve, fjalitë e paplota, fjalitë e pagjymtyrëzueshme, fjalitë njëkryegjymtyrëshe vetore, fjalitë njëkryegjymtyrëshe pavetore, gjymtyrët homogjene, gjymtyrët e veçuara... në fund të fundit – njëfarë oksimoroni total i një teksti në prozë të shkruar të shumtën me ritmin, tonin dhe figuracionin e një vepre me poezi.... gemi i thotë degës, dega lisit, lisi lisave, lisat fushës, fusha kodrave, kodrat bjeshkëve, bjeshkët reve, qiellit, e qielli reve, retë bjeshkëve, bjeshkët kodrave, kodrat fushës, fusha lisave, lisat lisit, lisi degës, dega gemit e gemi i thotë desidiatit dhe breukut...

Në këta rreshta, shohim lojën semantike e sintaksore të Pashkut; përveç fjalisë së parë dhe asaj të fundit (gemi i thotë degës, përkatësisht gemi i thotë desidiatit), të gjitha fjalitë e tjera janë fjali njëkryegjymtyrëshe emërore, në të cilat mungon njësia kallëzuesore. Kjo e dhënë e përligj pakundërshtueshëm pohimin se ligjërimi pashkian, përveç të tjerash, gjakon elipsën. Pashku është shkrimtar i gjuhës maksimalisht të thukët, ai kërkon - dhe ia del mbanë - që nga fjala t’i nxjerrë të gjitha konotimet e mundshme, madje të krijojë prej saj sugjestione të pafundme. Loja e ndryshimit të funksionit sintaksor të gjymtyrëve, në këta rreshta, nis që nga fjalia e parë, në të cilën emri degës, në dhanore, ka funksionin e kundrinës së zhdrejtë, mirëpo fill në fjalinë e dytë, ky emër, nga gjymtyra e varur shndërrohet në gjymtyrë kryesore, në kryefjalë: dega lisit. E kështu me radhë kundrina lisit, bëhet kryefjalë në fjalinë pasuese “lisi lisave” deri te fjalia e fundit, ku Pashku “e rigjen” foljen-kallëzues.

(Pjesë nga një studim më i gjatë i autorit)