Aktorët kosovarë dërgohen në qendër psikiatrike

Kultura November 16, 2017 - 11:05

Aktivitetet kulturore të shqiptarëve në Zvicër çdo ditë janë duke u shtuar nga shumë shoqata kulturo-artistike të cilat e kanë të vetmin qëllim, bashkimin e sa më shumë shqiptarëve në një vend.

Një ngjarje e tillë që u zhvillua të martën mbrëma në qytetin St. Gallen mblodhi shumë dashamirës të teatrit të cilët patën rastin të shohin një shfaqje të përgatitur nga aktorët më të mirë të trevave shqiptare që jetojnë në Zvicër.

Shfaqja ``Stacioni 17b`` me regji të Ben Apolloni dhe Dan Berisha si dhe nën përkrahjen e Ministrisë së Diasporës dhe Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, përmes komedisë paraqitën situatën shumë të rëndë të artistëve kosovarë të cilët mundohen të japin kontributin e tyre por i gjithë mundi u shkon huç duke mos u vlerësuar sidomos nga situatat politike në vend. 

Shfaqja fillon me daljen në skenë të aktorëve si Fikrim Morina, Avdi Amidi dhe Dan Morina të cilët mundohen të sakrifikojnë jetën e tyre duke e lënë vendin për të ikur nga Kosova përmes rrugës hungareze që të gjejnë veten në një vend evropian për kushte më të mira jetësore dhe artistike.

Por, në mungesë të mundësisë për lëvizje të lirë, ikja bëhet në mënyrë ilegale. Pas arritjes së tyre ilegalisht në Zvicër, që të tre përfundojnë në repartin e psikiatrisë, si pasojë e një keqkuptimi mes tyre dhe personelit të sigurisë publike! Për të dëshmuar para organeve të drejtësisë se ata nuk janë të çmendur, ”të arratisurit” kërkojnë që të sprovojnë veten në profesionin e tyre, duke kërkuar mundësinë nga psikologja (Yllka Zuzaku) që të kenë një audicion për të zbuluar talentin e tyre që ta ndërtojnë “shfaqjen e ëndrrave”, me të cilën do të dëshmonin se janë artistë të vërtetë.

Pjesë e publikut ishte edhe drejtori i Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, Ridvan Murati i cili tha se shfaqja kishte një temë jashtëzakonisht të qëlluar dhe sipas tij në skenë ishte një fillim i mirë si dhe një zhvillim shumë interesant.

``Me atë kohë të shkurtër të përgatitjes së shfaqjes nga aktorët besoj se arritën të japin një mesazh tepër me vlerë për bashkatdhetarët këtu në Zvicër. Kjo temë që është paraqitur fatkeqësisht është një realitet i yni sepse rrethanat që i kemi në Kosovë e kanë sjellë artin kosovarë në këtë gjendje dhe këtë realitet aktorët e sollën në një komedi shumë të bukur. Bile në disa momente unë si aktorë e ndjeva përvojën e tyre``, ka thënë Murati.

Më tutje, ai shtoi se aktorët dhe regjisori këtë shfaqje e kanë menduar si një humor, por në fakt, sipas tij, e gjitha ishte një realitet i hidhur i aktorëve kosovarë.

Në mesin e shikuesve, Isuf Sherifi nga St. Gallen tha se kjo shfaqje e përgatitur nga grupi ``Aktrimi`` nga Cyrihu i ka pëlqyer shumë dhe sipas tij, gjëra të tilla duhet të përsëriten më shpesh.

``Shfaqja, apo tragjikomedia e vënë në skenë është vetëm një copëz sekuence e gjithë golgotës shqiptare me segmente të migrimit. Ajo na vjen me të gjitha fytyrat e saja traumatizuese dhe na fletë me gjuhën e një njeriu që nuk dorëzohet për asnjë çast. Edhe në situata të rënda, kur edhe njeriut më të çeliktë mund t'i pushojë zemra nga streset e tilla, ata nxjerrin veten mbi maje dhe dalin triumfues``, tha Isuf Sherifi, që sipas tij, ky grup i aktorëve duhet mbështetur edhe më tutje.

Ndërsa, aktori dhe udhëheqësi artistik i shfaqjes ``Stacioni 17b``, Fikrim Morina, ka thënë se janë munduar rreth gjashtë muaj për të finalizuar shfaqjen edhe pse kanë punuar jashtë orarit të punës së rregullt këtu në Zvicër, kanë arritur të japin një shfaqje që ka marrë shumë duartrokitje nga publiku.

``Jam shumë i kënaqur me publikun e përzgjedhur dhe me kritikat e tyre por edhe i zhgënjyer nga një realitet për të gjithë artistët kosovarë të cilët me pamundësi japin maksimumin e tyre dhe dalin para publikut për të treguar talentin e aktrimit``, ka thënë Morina.

Duhet theksuar se kjo shfaqje shumë e pëlqyer është komunikuar në dy gjuhë herë pas here, shqip dhe gjermanisht.

QKK në Cyrih e udhëhequr tashmë nga aktori ynë gjilanas, Ridvan Murati, është nën organizimet e ardhshme që do të mbahen në Zvicër dhe kjo qendër sipas Muratit ka nevojë të jep përkrahje të aktiviteteve të ndryshme kulturore.

``Momentin që artistët kanë me pas një hapësirë më të madhe për bashkëpunim, besoj se do të angazhohen që të japin kontributin e tyre më tutje``, ka shtuar drejtori i QKKS-së në Cyrih, Ridvan Murati. 

Sipas tij, kjo qendër në Zvicër është e hapur për të gjithë profilet e ndryshme si aktorë, muzicientë, fotografë, valltarë etj. Shfaqja ``Stacioni 17b`` do të vazhdojë të jepet në Bernë, Gjenevë dhe Winterthur në kuadër të Ditëve të Kulturës Shqiptare në Zvicër. (Drilon Pulaj) 

Image