Panairi i jubilar i Librit në Tiranë

Kultura November 16, 2017 - 09:42

Në kryeqytetin shqiptar, përkatësisht në Tiranë, ka nisur një edicion jubilar i Panairit të Librit.

Ky është Panairi i 20-të që zhvillohet radhazi në qytetin e Tiranës, nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila organizon Panairin e Librit të Tiranës qysh prej vitit 1998 dhe ka treguar tashmë se është një organizatore efikase e aktivitetit më të madh vjetor për librin, duke shënuar rezultate në rritje nga viti në vit, dhe duke siguruar kështu vijimësinë e Panairit të Librit të Tiranës dhe përkrahjen e gjerë të tij.

Organizimi i këtij panairi është ngjarja më e madhe kulturore në pasqyrimin e veprimtarisë librore që zhvillohet jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë, por në gjithë hapësirën shqiptare: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi dhe Diasporë. Panairi i Librit do të shndërrohet në një ngjarje të rëndësishme kulturore për botën shqiptare, që do të ketë si objekt paraqitjen e botimeve më të mira të hedhura në qarkullim, në harkun kohor brenda një viti, përkatësisht brenda periudhës nëntor 2016- nëntor 2017.

“Ky panair do të bashkojë të gjithë njerëzit që merren me letrat shqipe; autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, me synimin për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale midis tyre dhe duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit në një publik sa më të gjerë, veçanërisht tek të rinjtë, në kushtet e mungesës së sistemit të shpërndarjes së librit në vendin tonë”, kanë njoftuar kështu organizatorët para hapjes.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Mapo”, Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, ka thënë se sivjet panairi do të ndajë këto çmime: "Autori më i mirë", "Përkthimi më i mirë", "Letërsi për fëmijë", "Çmimi i veçantë" dhe "Çmim për botuesit e librarët".

“Ky është një vit jubilar, por është një vit i vështirë për ne si botues. Ka më pak libra të botuara, për arsye të situatës jo shumë të shëndetshme ekonomike, sepse ka pasur më pak shitje. Kjo puna jonë kështu shkon, duhet të shesim libra që të botojmë pak më shumë. Në këtë drejtim nuk ka qenë vit i begatë, si rrjedhim edhe aktivitete ka ndofta më pak, por kemi nga ana tjetër libra shumë të mirë. Sepse siç e thashë më parë, botuesit punojnë me plane afatgjata, ata zgjedhin autorët më të mirë. Një pjesë e madhe e tyre bëjnë punë shumë të mirë, qoftë me librat origjinalë, ashtu dhe me përkthimet, me përkthyes të mirë. Librat redaktohen, paraqiten mirë grafikisht, shtypen shumë mirë dhe botuesit tregohen të kujdesshëm me çmimet. Këtë vit, si jubilar, ne do të japim më shumë çmime. E zgjeruam gamën e vlerësimeve, dhe praktikisht do të jepen këto çmime: "Autori më i mirë", "Përkthimi më i mirë", "Letërsi për fëmijë", "Çmimi i veçantë", dhe "Çmim për botuesit e librarët". E ndërmorëm këtë nismë për të vlerësuar me aq mundësi sa kemi, gjithë operatorët e librit shqip. Pa dyshim që mundësitë tona janë të kufizuara. Por kemi pasur për këtë edhe ndihmën e Ministrisë së Kulturës”, ka thënë ai, shkruan "Zëri".

Në Panairin e 20-të të Librit do të marrin pjesë rreth 100 shtëpi botuese, vendase e të huaja, institucione të arsimit të lartë dhe organizata të tjera që punojnë me librin.

Në këtë Panair do të ketë një pjesëmarrje të gjerë të ambasadave e institucioneve të huaja në vendin tonë, duke i dhënë kësaj ngjarjeje, kaq të rëndësishme për vendin tonë, një karakter ndërkombëtar.

Si çdo vit tjetër, në Tiranë, as kësaj here nuk mungojnë botuesit nga Kosova.

Besian Zeneli nga Shoqata e Botuesve të Kosovës konfirmon për gazetën “Zëri” se tashmë në Tiranë janë vendosur disa nga shtëpitë botuese kryesore të Kosovës, përfshirë këtu botimet e Akademisë së Shkencave, Institutit Albanologjik, "Artini", "Koha", "Buzku", "Pema", e të tjera.

“Botuesit kosovarë e shohin si shumë të rëndësishëm prezantimin në këtë panair. Rëndësia e këtij panairi është shumë e madhe kur dihet se Tirana është edhe kryeqyteti i kulturës shqiptare dhe vëmendja e të gjithëve është tek ky panair”, theksoi Zeneli.

Sipas tij pikërisht për këtë arsye nga Kosova drejt Shqipërisë janë përgatitur për t'u dërguar një numër i madh titujsh të rinj që do të jenë për herë të parë në duart e lexuesve.

Panairi i librit si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë, paraqet një rast të mirë jo vetëm për blerjen e librit, ndërsa libri aty mund të blihet me një çmim më të lirë dhe brenda një mundësie më të madhe për zgjedhje, por edhe për promovimin e librave të shumë autorëve gjë që ndihmon shumë në frymën e afirmimit të librit.

Tashmë shumë autorë kanë paralajmëruar promovimet e librave të tyre brenda hapësirave të panairit. /ZËRI/