Erlisa Çerkini prezanton ekspozitën e parë

Kultura November 15, 2017 - 09:55

Ndonëse është vetëm 14 vjeçare, piktorja e re Erlisa Çerkini, po finalizon përgatitjet për hapjen e ekspozitës së saj të parë personale.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës do të bëhet nikoqire e punimeve të përzgjedhura nga piktorja Çerkini për t'u prezantuar në këtë ekspozitë të parë, e cila do të hapet më 16 nëntor, në ora 19:00 dhe do të qëndrojë aty deri më 23 nëntor.

Për gazetën “Zëri” Erlisa tregon se në këtë ekspozitë do të prezantohen rreth tridhjetë punime.

“Në ekspozitën time do të prezantohen afërsisht tridhjetë punime, të cilat kryesisht janë të punuara me ngjyra akrilik në pëlhurë. Realizimi i tyre më ka marrë  rreth dy vite punë”, tregon ajo.

Të gjithë ata që do ta vizitojnë ekspozitën e Erlisës do të kenë mundësi edhe t’i blejnë shumicën e punimeve që prezantohen aty, por mjetet e grumbulluara nga shitja e dy prej tyre kanë një destinacion të veçantë.

Piktorja ka vendosur që me paratë e mbledhura nga shtija e dy prej tyre të ndihmojë dy komunitet mjaft të veçanta të shoqërisë, Shtëpinë e Pleqve dhe SOS Fshatin e Fëmijëve.

“Shumica e veprave të mia do të jenë në shitje, ku dy nga pikturat, të cilat do të shiten, paratë e fituara nga to do t'ju dhurohen Shtëpisë se Pleqve dhe SOS Fshatit të Fëmijëve”, tregon Erlisa duke theksuar rëndësinë e filantropisë dhe zgjatjes së dorës për komunitet në nevojë edhe përmes artit.

Duke pasur parasysh vështirësitë që mund të dalin gjatë organizimit të një ekspozitë, e pyetur nga gazeta “Zëri” se nga kush po përkrahet edhe si po shkon i gjithë organizimi i ekspozitës, Erlisa bën të ditur se padyshim që mbështetja e saj më e madhe janë prindërit, të cilët po e përkrahin talentin e saj.

“Për hapjen e kësaj ekspozite Biblioteka Kombëtare e Kosovës ‘Pjetër Bogdani’ më ka dhënë objektin pa pagesë, për të ekspozuar punimet e mia. Por, kryesisht janë prindërit e mi ata të cilët po më përkrahin më së shumti për hapjen e ekspozitës”, tregon Erlisa, duke shtuar se meqenëse kjo është ekspozita e saj e parë ajo po ndihet shumë e entuziazmuar për organizimin e saj.

Megjithatë, ajo tregon se ka prezantuar punimet e saj para publikut edhe më herët.

“Po, në vitin 2015 kam marrë pjesë me një punim timin në ekspozitën kolektive të organizuar nga Fondacioni për të rinjtë e botës ‘Ibrahim Kodra’, me seli në Lugano të Zvicrës, në bashkëpunim me ‘Da Vinci’ ART School”, bën të ditur Çerkini.

Si për shumë artdashës të tjerë, edhe për Erlisën pasioni për artin vjen që nga fëmijëria dhe pranë vetës ka pasur një shembull, të cilin ka dashur ta ndjek.

“Dëshira ime për të qenë një artiste ka lindur që nga fëmijëria e hershme. Daja pikturonte dhe sa herë që e shikoja atë, me vinte ajo dëshira për t'u bërë piktore kur të rritesha”, tregon ajo.

Erlisa është e vetëdijshme se gjendja e artit në Kosovë nuk është më e mira e mundshme dhe kjo fushë nuk është shumë fitimprurëse, por kjo nuk e ndalon t’i përkushtohet ngjyrave.

“Shumica e njerëzve nuk e vlerësojnë artin aq sa duhet e sidomos në Kosovë, prandaj nuk mund të thuhet se arti është shumë fitimprurës, por kjo nuk më ndalon aspak së menduari veten time si piktore në të ardhmen, si dhe zhvillimin e shkathtësive të mia në këtë fushë”, thotë e bindur piktorja e re Erlisa Çerkini.

E kur e pyesim se cilët piktorë të famshëm do na i veçonte, ajo përmend dy: Salvador Dalin dhe Van Gogun.

“Lista e artistëve të mi të preferuar është shumë e gjatë, por Salvador Dali dhe Van Gogu janë të parët e kësaj liste. Te Dali më pëlqen mënyra e të shprehurit të ndjenjave në pikturë, kurse dashuria e madhe e Gogut për pikturën më motivon që ta adhuroj artin edhe më shumë”, tregon Çerkini.

Duke marrë parasysh edhe moshën e saj, padyshim që prioritet i Erlisës është shkolla dhe mësimi, por përveç kësaj edhe pikturës ajo merret edhe me disa aktivitete të tjera rekreative.

“Unë po ashtu vijoj kursin e anglishtes si dhe të gjimnastikës, ku kam pasur rastin të marrë pjesë në disa gara të mbajtura ne Kosove, në të cilat kam fituar medalje të argjend dhe të bronztë”, bën të ditur ajo.

E pyetur se ku po mendon t’i orientojë studimet e saj kur të vi koha, Erlisa thotë se padyshim që ajo do të lidhet me artin. Planet e saj janë që të studiojë pikturën dhe dizajnin e brendshëm (interierin) njëkohësisht, por deri atëherë i duhet të përfundojë klasën e nëntë dhe shkollën e mesme, e siç thotë edhe vetë, koha mund t’i sjellë edhe ndonjë ide të re. /ZËRI/

Image