Fatet në ikje të Kushtrim Bekteshit

Kultura November 14, 2017 - 08:41

Të premten në teatrin "Bekim Fehmiu", të Prizrenit, u dha premierë shfaqja "Ata që ikin", sipas tekstit dhe regjisë të Kushtrim Bekteshit. Ishin disa arsye që publikun e kishin bërë më kureshtarë për këtë premierë, shkruan sot, gazeta Zeri.

E para për faktin se regjisori Kushtrim Bekteshi, momentalisht regjisori më i suksesshëm në hapësirat shqiptare, në këtë premierë paraqitej në rolin e një kantautori, përkatësisht paraqitej edhe si autor i tekstit, ndërsa fakti i dytë kishte të bënte me atë se a do të mund ta përsëriste suksesin e shënuar më parë në këtë teatër, me shfaqjen "Shërbëtori i dy zotërinjve" të Carlo Coldonit, shfaqje kjo e cila vitin e kaluar mori të gjitha çmimet e mundshme si shfaqja më e mirë. 

Si autor i tekstit mund të themi se regjisori Kushtrim Bekteshi sprovohet me sukses. Ai ka arritur të ndërtojë një tekst drame, temat dhe motivet e të cilës shtrihen në disa plane. Është një dramë e tipit të absurdit që më shumë mbështetet në motivet psikologjike dhe sociale. Kundruar nga plani hapësinor dhe kohor është një dramë që ka të bëj me fatet e njerëzve, brenda një shoqërie të mbërthyer para së gjithash në krizë morale, të cilët për të ikur, në këtë rast nga vetja dhe nga rrethi përdorin një ashensor si metaforë fluturimi dhe një tren që mund t'i dërgojë diku tjetër, në ndonjë adresë të panjohur.

Sigurisht që ana më e mirë e këtij teksti është ndërtim i bukur i paradokseve, si në rastin e cigares dhe llullës, në kontekst të ndalimit të pirjes së duhanit apo edhe të renditjes para shtëpisë publike, ku më i vogli del fituesi më i madh. Kjo mbase përkundër faktit se rrëfimi në të dyja rastet fillon në formë shumë triviale. Edhe analogjitë ndërtohen bukur, si në rastin e varrimit, përkatësisht pritjes së kufomës, ku Bekteshi shfrytëzon edhe një element politik shumë të rëndësishëm siç ishte kthimi i të rinjve tanë nëpër arkivolet e mbyllura të ish ushtrisë jugosllave. Kjo mbase në kuptimin hapësinor i jepte një dimension shumë të nevojshëm tekstit.

Megjithatë teksti në tërësi, në kuptimin kompozicional, përkatësisht në planin e zhvillimit dhe shthurjes së konfliktit, linte për të dëshiruar. Kjo edhe për faktin se përkundër një dramaticiteti të dukshëm nëpër shumë skena, të cilat kanë një unazë lidhëse të qëndrueshme dhe që tekstin e bëjnë më të pranueshëm për skenën, ka pjesë të cilat tekstin e largojnë nga kjo dhe i japin një dimension më shumë letrar sesa skenik. Kjo mbase vërehet më shumë në pjesët ku në plan të parë zhvillohet monologu, gjë kjo e cila është vërejtur edhe gjatë shtrirjes së tekstit në skenë.

Sikur ky tekst të kondensohej dhe të strukturohej më mirë, do të mund ta ndihmonte edhe vetë shfaqjen që të realizohej me një dinamikë më të theksuar, si në skenat kur teksti ka gjuhë më identifikuese skenike dhe ku ritmi i shfaqjes është i jashtëzakonshëm. Në aspektin gjuhësor teksti nuk duket të jetë i harmonizuar në tërësinë e tij, ndërsa nga një gjuhë e pasur konotative, herë-herë zbritet në një gjuhë të komunikimit të zakonshëm, gjë që këto nivele vërehen edhe në shfaqje.

Duket sikur teksti i vetë, Kushtrim Bekteshin e ka vënë në pozitë të palakmueshme edhe në aspektin regjisorial, ndërsa nuk ka pasur kurajon që ta shkurtojë atë, përkatësisht ta shkarkojë nga gjuha thjesht letrare. Mbase në këtë rast bëhet e diskutueshme edhe çështja se përse ky regjisor kaq i suksesshëm insiston që shfaqjet e tij të zhvillohen në kohën brenda më shumë se dy orëve?! Ndryshe si regjisor, Kushtrimi është dëshmuar se mrekullueshëm shfrytëzon hapësirën skenike. Edhe në këtë shfaqje vërehet kjo, mbase do të thoshim më mirë se në shfaqjet e tjera të tij. Një disiplinë skenike e jashtëzakonshme nga aktorët veç e veç, por dhe si trupë, reflekton edhe në kuptimin estetik pamje të pastra dhe përplot shije. Skenografia që dominohet nga një ngjyrë metali dhe që është e mbushur me llambadarë i shërben shumë hapësirës skenike, brenda të cilës zhvillohet shfaqja. Edhe kostumografia dhe muzika janë në funksion të shfaqjes.  

Në këtë shfaqje regjisori ka zgjedhur për model të lojës të ashtuquajturën "gramatikë e shputave", ku e gjithë trupa shfaqet zbathur në skenë. Por kjo megjithatë nuk është se ka prodhuar ndonjë vlerë të shtuar në lojën e aktorëve, të cilët në kuptimin e kreacionit kolektiv dalloheshin për të mirë, ndërsa në kreacionet individuale, ku trupi dhe shpirti duhej të njësoheshin për të bartur tekstin, mbetej për të dëshiruar. Dy aktorët kryesorë të kësaj trupe, Ernest Malazogu dhe Xhevdet Doda ishin në nivelin e tyre tashmë të dëshmuar, ndërsa përdorimi i Hajat Toçilles për skena tashmë uniforme, duket sikur ka kaluar në një skematizim tashmë monoton, kjo për faktin se shtrati i monotonisë është përsëritja.

Në përgjithësi shfaqja u prit mirë nga publiku, sepse kriza morale e shpërfaqur nëpërmjet skenave të shumta, lehtësisht identifikonte ambientin tonë dhe njeriun tonë në të. Madje kishte raste edhe kur karikohej me ndonjë ves a mani të njeriut tonë, si në rastin e korrupsionit. Ndërsa regjisori Kushtrim Bekteshi dëshmoi edhe njëherë se është një regjisor përplot invencion dhe shumë kërkues për të gjetur më të mirën nëpërmjet lojës në skenë, ndërsa teatri "Bekim Femiu" edhe njëherë dëshmoi se është nga teatrot shqiptare më përkushtuese për të krijuar vlera të njëmendta teatrore. Në anën tjetër është mirë që teatrot tona nisin dhe i kthehen dramës kombëtare, përkatësisht teksteve të autorëve tanë, sepse ndryshe nuk mund të pritet një zhvillim më i mirë i teatrit ndër ne.